«Gazetari» serb Mirosllav Llazanski shpërblehet me postin e ambasadorit në Moskë pasi zhvilloi fushatë proruse në Maqedoni

Ambasadori i ri i Serbisë në Moskë quhet Mirosllav Llazanski, i cili më shumë se gazetar është një propagandist i Kremlinit në Ballkan. Tash ai po shkon në Moskë te punëdhënësi i tij i vërtetë – pasi ka kryer aktivitete të dyshimta në Shkup dhe me vite të tëra është angazhuar që Serbia ta «rimarrë» Kosovën me forcë ushtarake.

Vladimir Putini dhe Mirosllav Llazanski.



Sa i përket Kosovës «gazetari» serb, Mirosllav Llazanski, ka një mendim të qartë: ai më së shumti do të dëshironte që «kjo» (çështja e Kosovës) të zgjidhet ushtarakisht. Llazanski nuk është aq budalla: ai e di se kjo nuk është e mundshme, dhe këtë e pranon. Por ai këshillon politikën serbe të mos nënshkruajë de jure heqjen dorë nga Kosova dhe të presë, sepse një ditë mund të ndryshojnë rrethanat gjeopolitike dhe Serbia prapë mund ta kthejë Kosovën «në gjirin e saj». Fundja, edhe hebrenjtë kanë pritur 2000 vjet derisa janë kthyer në Jerusalem, thotë ky propagandist serb. Në argumentimet e tij të marra Llazanski thotë se po të kthehej sot Serbia në Kosovë së paku 50 për qind e shqiptarëve do ta pranonte atë.

Llazanski është njëri nga ata gazetarët e kohës së komunizmit jugosllav, i cili mburret se ka intervistuar për gazetën «Politika» gjeneralë sovjetikë dhe gjeneralë të NATO-s. Cilësia e këtyre intervistave është shumë e diskutueshme, po aq sa është dhe ka qenë edhe cilësia e gazetës «Politika» (sidomos nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit). Llazanski është stolisur me titullin  «vojno-politički komentator» (komentues i çështjeve ushtarako-politike), një sinonim për të përhapur teori të komplotit dhe për të bërë propagandë për Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe më vonë ushtrinë serbe.

Viteve të fundit Llazanski kaloi edhe zyrtarisht nga gazetaria në politikë. U zgjodh deputet i partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq. Me vite të tëra Llazanski ka përfaqësuar interesat e Rusisë në paraqitjet e tij publike në rajon. Në Beograd është sjellë si ambasador i Rusisë. Tani Llazanski do të ketë mundësi të punojë afër punëdhënësit të tij të vërtetë: Vuçiqi e ka emëruar Llazanskin ambasador në Moskë. Ky nuk është rasti i vetëm i gazetarëve ballkanikë që e shesin lëkurën te regjimet e korruptuara dhe të kriminalizuara, por Llazanski është, megjithatë, një ekzemplar i veçantë.

Këtë e tregon veprimtaria e tij në Maqedoni, kur regjimi prorus i Nikolla Gruevskit ishte para largimit nga pushteti. Policia maqedonase i ka ofruar mediave të pavarura KRIK, Nova TV dhe OCCRP dëshmi mbi aktivitetet e Llazanskit në Shkup. «Pjesëtari i agjencisë serbe të informimit BIA (shërbimi sekret serb, v.j.) Goran Zhivaleviq, më 3 mars të këtij viti (2017) i telefonoi Ivan Stoilkoviqit, deputet në parlamentin maqedonas dhe kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve, i cili e njoftoi se në Shkup e kishte mirëpritur gazetarin, i cili do të kryente detyrën për ta», thuhet në një shkrim të portalit KRIK nga Beogradi.

Në transkriptin e përgjimeve nga shërbimi maqedonas mund të lexohet: «Hej, e akomodova atë, e informova për kolumnën që duhet ta shkruajë sot për ‘Politikën’. Po shkojmë (Stoilkoviqi dhe gazetari) në protesta të incizojmë dhe pastaj kur të ulemi diku në mbrëmje, do të të thërras» – kështu i kishte thënë Stoilkoviqi agjentit të BIA-s serbe Zhivaleviq.

Stoilkoviq tha se do ta çonte Llazanskin në takim me Nikolla Gruevskin, shefin e partisë qeverisëse maqedonase. Një ditë pas takimit me Gruevskin në gazetën serbe «Politika» u botua një kolumne e Llazanskit me titullin «Ne damo Makedoniju» («Nuk e japim Maqedoninë»), ku autori qartë pozicionohej në anën e Gruevskit. Llazanski e kishte njoftuar politikanin serb të Maqedonisë, Stoilkoviq, se kolumna e tij kishte thyer të gjitha rekordet e lexueshmërisë në Serbi.

Jo vetëm ky aktivitet i Llazanskit në Maqedoni tregon se Serbia, me urdhër të Rusisë, dëshironte të pengonte ardhjen në pushtet të Zoran Zaevit dhe, rrjedhimisht, edhe bllokimin e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë që do të thoshte edhe bllokim i mëtutjeshëm i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Kur falangat e Gruevskit sulmuan parlamentin në Shkup dhe gjakosën disa deputetë, në zyrat e parlamentit ndodhej edhe punëtori i BIA-s serbe, Goran Zhivaleviq. Llazanski është arsyetuar se në Shkup e ka kryer vetëm punën e tij si gazetar, por ka pranuar se e ka zakon që sa herë që udhëton në vende të tjera të lajmërohet në ambasadën e Serbisë.