Gazetari me gurkali

Banditë me kompjuterë që prodhojnë mjegull: nuk ka fjalë të tjera për t’i përshkruar një pjesë të me-nder-me-thënë gazetarëve që kryesisht përmes portaleve të çmendurisë këto ditë po përhapin lajme të rrejshme për situatën në Maqedoni dhe kështu po hutojnë opinionin. Pasojat e kësaj biçim-gazetarie janë fatale. Më keq është vetëm në Beograd: atje mediumet po i përngjajnë gazetës naziste «Völkischer Beobachter».

Enver ROBELLI*

Pak orë pasi të shtunën e kaluar në një lagje të Kumanovës filloi një përleshje e armatosur e një grupi sulmuesish shqiptarë me forcat maqedonase të sigurisë, një portal shpërndau lajmin se ndër viktimat e para ishte një vajzë tetëvjeçare. Kanë kaluar pesë ditë nga shkëmbimi i zjarrit në Kumanovë dhe opinioni nuk ka asnjë njohuri nëse atje është vrarë një fëmijë ose jo. Por hedhja në opinion e lajmeve të rrejshme po vazhdon. Gjatë ditës së mërkure u përhap lajmi se qenka gjuajtur me armë shtëpia e Ali Ahmetit, shef i partisë BDI. Pas pak orësh lajmi u përgënjeshtrua nga familjarët e Ahmetit.

Në ditët e kaluara portalet e etura për gjak e popullaritet postuan lajme se filan komandanti ka vdekur në luftime në Kumanovë, me atë rast nuk harrohej të theksohej se heroi më i ri i shqiptarisë paskësh rënë bash në Lagjen e Trimave. Aty ku përmendet trimëria edhe duhet të banojë trimëria, sipas kësaj logjike. Të njëjtat portale, pa fije turpi, pa asnjë ngurrim, pa aspak keqardhje pas pak orësh sillnin haberin: u ngjall luftëtari që kishte rënë bashkë me vesën e mëngjesit.

Lajmi i radhës me gjasë i rrejshëm tregon se si një vëlla i paskësh dërguar një letër motrës së vet, duke vajtuar e qarë se në fushëbetejën e Kumanovës ka mbetur pa plumba dhe pa shokë, të cilët i ka vrarë policia e Maqedonisë.

Portali nuk jep as emrin e letërshkruesit, as emrin e motrës. I mbetet lexuesit ta paramendojë situatën: vëllai sypatrembur, me shtatë plagë në trup, ulur mbi një gur nga koha e pellazgëve dhe ilirëve, merr kalemin dhe një copë letër dhe i shkruan motrës. Në këtë marrëzi ka një imitim të keq të mitit serb për «Vashën serbe» («Kosovska devojka»), e cila pas Betejës në Gazimestan u jep ujë me ibrik luftëtarëve të plagosur serbë dhe kërkon të fejuarin e saj, kumbarën dhe bajraktarin. Dikur ajo kupton nga një luftëtar i plagosur rëndë se që të tre kanë rënë në betejë. Athua ka mundësi që edhe kjo meseleja me letrën e vëllait për motrën një ditë të shndërrohet në mit? Të përjetësohet në poezi e në piktura ky mit nga Kumanova? Të bëhet pjesë e kujtesës kolektive? Nuk është larg mendjes.

Kur nuk kanë asgjë për të shpikur, atëherë gazetarët duhet t’i paraprijnë ngjarjes: për shembull duke pyetur nëse «sonte do të digjet flamuri i Maqedonisë» në Prishtinë. Kushedi, mund të kenë harruar diçka të tillë kokat e nxehta iliro-pellazge dhe do t’i falënderohen gazetarëve që po ua kujtojnë një akt të tillë – po, po! – patriotik. Në këso situatash fantazia nuk ka kufi. Nëpër rrjetet sociale qarkullonte këto ditë edhe një përbetim i padishahut tonë të ri në Ankara, Rexhep Taip Erdoganit, i cili paskësh thënë se nuk do ta falë kurrë gjakun e derdhur në Kumanovë. Natyrisht që Erdogani nuk ka thënë kurrë diçka të tillë, por si të binden mijëra injorantë që kullotin nëpër Facebook dhe portale me gazetarë idiotë.

Banditë me kompjuterë: nuk ka fjalë të tjera për t’i përshkruar një pjesë të me-nder-me-thënë gazetarëve që kryesisht përmes portaleve të çmendurisë këto ditë prodhojnë lajme të rrejshme për situatën në Maqedoni dhe kështu hutojnë opinionin. Me këtë lloj gazetarie mjegullprodhuese po shkatërrohet një profesion që duhet të jetë në shërbim të opinionit me lajme të besueshme, me analiza logjike, me raportime korrekte. Po ndodh e kundërta: opinioni po ballafaqohet me një kakofoni dhe zinxhir lajmesh të gënjeshtërta, të cilat po të mos ishin të rrezikshme do të mund të konsideroheshin si pjesë e rubrikës së humorit. Jo, humori dhe sajimi i lajmeve nuk janë punë e ndershme e gazetarëve në asnjë rrethanë, rrjedhimisht as tani, pas përleshjes në Kumanovë, ku lanë kokë e kocka hiç më pak se 22 persona. Mbi gjakun e tyre, shqiptarë e maqedonas, shumica me gjasë viktima të një intrige shërbimesh sekrete e politikanësh cinikë, disa portale po bëjnë një dasmë klikimesh.

Se çfarë mund të shkaktojnë mediumet e papërgjegjshme e kemi parë në vitin 2004, kur Radio-Televizioni i Kosovës pa asnjë verifikim dha lajmin se serbët i kishin ndjekur disa fëmijë shqiptarë dhe tre prej tyre ranë në lumin Ibër dhe humbën jetën. Si të ishin të dirigjuar me shkop magjik në mbarë Kosovën dolën në rrugë e fushë mijëra njerëz, shpërtheu «zemërimi popullor» dhe u derdh ndaj kishave ortodokse, shtëpive të serbëve dhe ndonjë plaku a plake serbe. Bilanci: 19 të vrarë. Pak më shumë se gjysma shqiptarë, të tjerët minoritarë. Rezultati i këtyre trazirave: u forcua pozita e Serbisë në kërkimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, madje pjesa më e madhe e planit të Ahtisaarit merret me pakicat, sidomos me serbët, derisa shumicës shqiptare i jepet një pavarësi me shumë defekte.

A kanë mësuar gazetarët shqiptarë diçka nga kjo përvojë e hidhur? Duket se jo. Që nga viti 2004 teknologjia është zhvilluar me shpejtësi dhe kështu është bërë punë e lehtë që me një kompjuter të hapësh portal pa asnjë gazetar, por vetëm me dy-tre kriminelë që tërë ditën shëtisin nëpër internet (sidomos në rrjetet sociale) dhe vjedhin lajme, u hedhin pak kripë, pak helm, pak gurkali – dhe qe ku e ke lajmin, taze, i proshkët, i njomë, i freskët, i sapo këputur nga degët e internetit, me shkronja të zeza në hapësirën me lara – mes bythëve të Kallashit dhe Rovena Stefës, meseleve të Burdushit dhe fjalimeve të një injoranteje nga provinca si Duda Balje.

Në kohën e komunizmit jugosllav ka pasur Ministri të Informacionit dhe ajo në radhë të parë ka qenë aparat i censurës, i mbikëqyrjes së mediumeve, i frikësimit të gazetarëve. Ajo kohë mos u ktheftë! Por edhe në këtë epokën e demokracisë së brishtë duhet të ketë një institucion para të cilit duhet të japin përgjegjësi e llogari të gjitha ato mediume që prodhojnë mjegull, shpifin e shpikin lajme, plasojnë gënjeshtra dhe kështu ndotin jo vetëm higjienën publike, por edhe tensionojnë gjendjen edhe ashtu jo aq të qëndrueshme në Ballkan.

Publicisti boshnjak Kemal Kurspahiç para disa vitesh ka botuar librin «Krimi në orën 19:30», në të cilin pasqyron propagandën luftënxitëse të mediumeve serbe dhe sidomos të Radio-Televizionit të Serbisë, i cili nëpërmjet të emisionit «Ditari» («Dnevnik») që emitohej në orën 19:30 ka manipuluar pandërprerë opinionin me lajme të rrejshme. Kurspahiç ka qenë ndër penat më të njohura të gazetarisë në Jugosllavinë e Titos; në vitet 1988 deri 1994 ai drejtoi gazetën legjendare të Sarajevës «Oslobogjenje». Kjo e përditshme doli edhe në ditët më të rënda të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe më 1992 u zgjodh gazeta e vitit në botë.

Në një pjesë të rëndësishme të punimit të tij, i cili së pari është botuar në anglisht nga Instituti i Paqes në Washington, Kurspahiç analizon zhvillimin e tmerrshëm të mediumeve në Serbi. Gazeta «Politika», televizioni i Beogradit, më vonë i Serbisë, dhe shumë revista u shndërruan në tribuna të kërcënimit, urrejtjes, shpifjeve kundër popujve finjë, kundër «separatistëve» shqiptarë, «ustashëve» kroatë, «muxhahedinëve» myslimanë. Kurspahiç me të drejtë thekson se gazetarët u bënë gjeneratorë të terrorit, dhunës dhe dëbimeve, jo në vrojtues kritikë. Sipas tij, ishin gazetarët ata që e krijuan Slobodan Millosheviqin. Në figurën e liderit të ri ata shihnin shpëtimtarin e kombit serb nga «gjenocidi». Për të skalitur këtë imazh gazetarët shërbeheshin me ilustrime nga bota e fantazisë. Millosheviqi herë shpërfaqej në horizont si princ mesjetar serb, herë përshkruhej si hero i botës moderne, mishërim i një politikani që Serbinë do ta shndërrojë në utopi, në një vend të madh (Serbia e Madhe!), ku nëpër Danub dhe Savë do rrjedh qumësht e mjaltë. Në rrugë për të ndërtuar këtë utopi, sipas kësaj mendësie agresive politike, do të duhej të dëboheshin popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë.

Kështu në Serbi, në kuadër të mobilizimit nacional për «dasmën e madhe» të gjakderdhjes, shqiptarët në media ishin vetëm «shiptari», një kualifikim pezhorativ. «Para dhjetë vitesh ma kanë vrarë burrin; para tre muajsh ma kanë vrarë djalin», thoshte një serbe nga Kosova. «Kush», e pyeste gazetari i televizionit të Beogradit. «Shiptari, po kush tjetër», përgjigjej ajo. Fjala është për një emision nga shtatori i vitit 1985. Pasuan, më vonë, edhe shumë tekste të tjera raciste, ku nënat shqiptare akuzoheshin si «makina për lindje», ku boshnjakët diskualifikoheshin si «komb artificial» etj. Kjo atmosferë polli edhe një përbindësh – Sllobodan Millosheviqin. Në dokumentarin e BBC mbi shkatërrimin e Jugosllavisë shihet dhe mësohet qartë se me çfarë djallëzie televizioni i Beogradit kishte përgatitur vizitën e Millosheviqit në Fushë-Kosovë më 1987. Përderisa mediumet serbe kritikonin policinë e atëhershme krahinore për dhunë ndaj serbëve, të cilët paskëshin dalë t’i ankoheshin Millosheviqit se po vuanin shumë nën shqiptarët, njëri prej liderëve lokalë serbë, Mirosllav Sholeviqi, vite më vonë do t’i thotë BBC: «Atë natë asnjë polic s’ka mbetur pa një goditje».

Më 1987 Millosheviqi kishte mbledhur në një takim në Igalo, në bregdetin malazez, gazetarë besnikë serbë për një bisedë të rëndësishme. Më parë diktatori i ardhshëm iu kishte thënë gazetarëve: «Hani dhe pini! Nga vjeshta e ardhshme nuk do të keni më kohë për këtë». Ushtarët me pena në dorë u renditën në shërbim të regjimit mbi një decenie me radhë, duke sulmuar – për shembull – intelektualin kroat Branko Horvat për shkak të librit të tij mbi Kosovën dhe duke madhëruar mitingjet nacionaliste si formën më të lartë të demokracisë. Derisa fundvitet e ’80-ta mund të quhen periudhë e ndezjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve në mediumet serbe, vitet ’90-të (gjatë rezistencës së padhunshme dhe më vonë luftës së UÇK), janë kohë e kultivimit dhe konsolidimit të urrejtjes.

Në vitin 2011, gati 11 vjet pas rënies së Millosheviqit, Radio-Televizioni i Serbisë kërkoi falje për raportimin gjatë viteve 90-të. Ky medium, mes tjerash, kishte gënjyer në vitet ‘90-të se në Sarajevë myslimanët i hidhnin serbët në kafaze luanësh në kopshtin zoologjik.

Duket se shumë mediume serbe nuk kanë nxjerrë asnjë mësim të duhur nga e kaluara. Mjafton të shikohen titujt e gazetave serbe në lidhje me përleshjen në Kumanovë: «Kërcënime nga Tirana: ose na e jepni jugun e Serbisë ose ju pret masakra», «Nisi lufta për Shqipërinë e Madhe», «Haradinaj i priu sulmit në Kumanovë!», «Ramushi urdhëroi, Rama miratoi!», «Shqipëria e Madhe po troket në derë!», «Vëllai i Haradinajt përgatit sulm kundër Mitrovicës», «Terroristët e UÇK-së kërcënuan: lufta totale fillon më 12 maj», «Mbledhje dramatike e zyrës për koordinimin e shërbimeve të sigurisë», «Terroristët kërcënojnë se do t’ia vënë flakën Ballkanit», «Analistët: gazsjellësi turk shkaktoi luftën», «Nikoliqi ngre në këmbë ushtrinë në mbrojtje të jugut të Serbisë», «UÇK e mori përgjegjësinë», «Konfliktet në Kumanovë pjesë e planit më të madh», «LUFTË në regji të Amerikës», «Terroristët shqiptarë sulmuan me urdhër të agjentëve amerikanë. Janë të gatshëm ta përplasin Maqedoninë në luftë civile vetëm për ta bërë të pakuptimtë projektin rus të gazsjellësit», «Shqiptarët përdorën taktikën e ISIS-it».

Me këtë ton të çmendur, me këtë gjuhë raciste e kriminale ka shkruar gazeta naziste «Völkischer Beobachter» dikur. Serbia sot është vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE dhe toleron gazeta naziste. Përleshjet në Kumanovë kanë shpalosur edhe më shumë anën e errët të gazetarisë ballkanike – prej portaleve me pronarë të papërgjegjshëm në viset shqiptare deri te gazetat luftënxitëse të Beogradit. Njëra prej tyre, gazeta «Blic», madje është në pronësi të dy shtëpive mediatike perëndimore – «Springer Verlag» nga Berlini dhe «Ringier» nga Zürichu. Të dyja këto shtëpi shquhen sidomos në luftën kundër antisemitizmit, por në Ballkan po mbajnë mediume raciste.

*Autori është redaktor i politikës së jashtme i gazetës zvicerane «Tages Anzeiger» dhe kolumnist i «Kohës Ditore».Banditë me kompjuterë që prodhojnë mjegull: nuk ka fjalë të tjera për t’i përshkruar një pjesë të me-nder-me-thënë gazetarëve që kryesisht përmes portaleve të çmendurisë këto ditë po përhapin lajme të rrejshme për situatën në Maqedoni dhe kështu po hutojnë opinionin. Pasojat e kësaj biçim-gazetarie janë fatale. Më keq është vetëm në Beograd: atje mediumet po i përngjajnë gazetës naziste «Völkischer Beobachter».

*Autori është redaktor i politikës së jashtme i gazetës zvicerane «Tages Anzeiger» dhe kolumnist i «Kohës Ditore».