Gazetari i shekullit

Ryszard Kapuscinski shëtiti botën si gazetar. Biografia e tij është plot kthesa, kundërthënie dhe formulime gjeniale.

Ryszard Kapuscinski, gazetar polak.

Ai ishte ndër publicistët më të njohur në Perëndim. Çdokush që ka synuar dhe synon të bëhet gazetar aq i mirë sa të mos i terrorizojë lexuesit, i ka lexuar me vëmendje tekstet e tij, disa madje i kanë lexuar të gjitha veprat e tij. Ose së paku një libër. Ai ishte virtuoz dhe i etur për formulime pothuaj letrare. Shpesh dukej se idetë i rridhnin nga gishtat. Gjithsesi ishte përherë i gatshëm të udhëtonte nëpër botë, para së gjithash nëpër vatra krize. Afrikë. Azi. Vendet arabe. Emri i tij: Ryszard Kapuscinski. Shtetas polak. Në Poloni që në të gjallë të tij (1932-2007) e kanë quajtur «Gazetar i shekullit». Alamet titull. Një barrë e rëndë për një gazetar.

Shumica e librave të tij janë përkthyer dhe botuar në gati të gjitha gjuhët kulturore të botës. Në librin «Mbreti i mbretërve» Kapuscinski përshkruan sundimin anakronik të perandorit etiopian Haile Selassie. Sistemi i tij brutal përbëhej prej demagogëve, pështymëlëpirësve, oportunistëve, plaçkitësve, vrasësve. Kryeplaçkitësi Selassie edhe qenit të tij ia kishe vendosur zinxhirët me diamante. Bashkë me qenin kishte shkuar në fillim të viteve ‘70 në Persepolis për të festuar përvjetorin e mbretërisë persiane. Në këtë banket, mes shumë të tjerëve, Selassie takoi edhe Josip Broz Titon, kryetarin e atëhershëm të Jugosllavisë. Pjesëmarrësit tregojnë se Tito kishte qenë i veshur me uniformë të bardhë. Kur kamerieri – një zviceran – iu kishte afruar Titos për t’ia mbushur gotën me verë, papandehur një pikë ishte derdhur në uniformën e liderit komunist jugosllav. Para disa viteve kamerieri kishte treguar për mediumet zvicerane se atëbotë Tito kishte ngrënë një çuran. Për këtë episod nuk ka shkruar Kapuscinski. Vetëm kjo ngjarje duket t’i ketë ikur në karrierën e tij.

Por ai ka shkruar për shumë ndodhi të tjera. Si korrespondent i agjencisë polake të lajmeve PAP, Kapuscinski kishte raportuar shpesh nga Afrika. Legjendare janë reportazhet e tij. Pastaj përshkrimet nga Teherani i ditëve të revolucionit (1979). Në librin «Lufta e futbollit» ai ka treguar hollësisht se si elitat e korruptuara të Salvadorit dhe Hondurasit në Amerikën latine nuk qenë në gjendje të ulin tensionet. Në vitin 1976, pas një ndeshjeje futbolli, mes dy vendeve shpërtheu lufta. E cila u quajt «lufta e futbollit».

Shumë polakë e madhërojnë Ryszard Kapuscinskin si hero të gazetarisë. Por në biografinë e tij, të shkruar nga gazetari Artur Domoslavski, janë ngritur shumë dyshime mbi punën e Kapuscinskit. Domoslavski shkruan se idhulli i tij i dikurshëm në reportazhe shpesh i ka kaluar kufijtë e gazetarisë. Domethënë: jo pak konstatime të Kapuscinskit kanë qenë thjeshtë fiksion, aspak realitet. Një përzierje e palejueshme e gazetarisë me letërsinë. Kur një shtëpi botuese amerikane e kishte lutur atë që me nënshkrimin e tij të konfirmonte se të gjitha citatet janë të sakta, Kapuscinski e kishte ndryshuar tekstin dhe disa emra i kishte hequr, të tjerët i kishte reduktuar në iniciale.

Një gazetare etiopiane lidhur me librin «Mbreti i mbretërve» kishte thënë: «Shumëçka që përmban kjo vepër mbi rrëzimin e monarkisë se Haile Selassie më shumë i shkon për shtati vëllimit me përralla <Një mijë e një net>». Një gënjeshtër e madhe duket të jetë edhe pretendimi i Kapuscinskit se e ka takuar revolucionarin kuban Che Guevara. Një autori amerikan ai i kishte thënë se takimin e tij me Che Guavarën e kishte trilluar shtëpia botuese, por ky trillim ishte përsëritur edhe në botimet e mëvonshme dhe Kapuscinski nuk kishte reaguar. Kapuscinski po ashtu ka shkruar se e kishte takuar luftëtarin kongolez Patrice Lumumban – por biografi i tij Artur Domoslavski dëshmon se gazetari polak kishte udhëtuar në Afrikë tek pas vdekjes së Lumumbas. Këto nuk janë akuzat e vetme. Kapuscinski fajësohet të ketë mbajtur kontakte me shërbimin sekret polak, madje krerëve të tij ai u kishte sjellë edhe dhurata nga bota e jashtme.

Pas botimit të biografisë figura e Kapuscinskit ka humbur pak shndritjen. Porse mbrojtësit e tij thonë se disa gërvishtje nuk mund të rrezikojnë pozitën e tij në gazetari. Biografi i tij thotë: disa libra të Kapuscinskit i takojnë letërsisë, jo gazetarisë. «Ai ka qenë artist, ai eksperimentonte». Përkthyesi i veprave të Kapuscinskit në gjermanisht Martin Pollack ka shkruar para disa vitesh në gazetën «Neue Zürcher Zeitung» se përkundër meritave të mëdha që ka kjo vepër, atij nuk i pëlqen tendenca për ta diskredituar tërësisht reporterin e njohur. «Ryszardi jetoi në kohëra të vështira, të karakterizuara nga ideologjitë, thyerjet, shpresat, zhgënjimet dhe gënjeshtrat, të gjitha këto të përziera me njëra-tjetrën». Metoda e Domoslavskit, sipas përkthyesit Pollak, është metodë e dyshimit, jo e hulumtimit pa paragjykime.