Gazetari gjerman: «Në Kosovë po rritet mllefi ndaj BE-së dhe numri i ithtarëve të ekstremizmit fetar»

Korrespondenti i disa gazetave gjermane për Ballkanin, Norbert Mappes-Niediek, thotë se refuzimi i BE-së për t'ia hequr regjimin e vizave kosovarëve po prodhon ithtarë të islamit radikal në Kosovë. Sipas tij që nga shpallja e pavarësisë më 2008 në Kosovë nuk ka ndryshuar asgjë - paratë po mbesin në administratën e korruptuar.

Pamje nga Prishtina. Foto: Shutterstock



Qeveria gjermane është duke vëzhguar një ndikim të islamit fundamentalist në Kosovë me mbështetje të Arabisë Saudite. Kjo është bërë e mundshme për shkak të zhgënjimit të kosovarëve me Bashkimin Europian, thotë korrespondenti i disa gazetave gjermane për Ballkanin, Norbert Mappes-Niediek, në një bisedë me radion gjermane «Deutschlandfunk». Sipas Mappes-Niediek në Kosovë dëshpërimi me BE-në është më i madh se entiziazmi për islamizmin apo Turqinë. «Që nga shpallja e pavarësisë në të vërtetë nuk ka ndryshuar asgjë, pra që nga 2008, qe gati një dekadë, papunësia praktikisht sillet rreth 50 për qind. Në fakt, ende rrjedhin shumë para nga BE-ja në Kosovë, por ato para s’po arrijnë te njerëzit, por po mbesin në administratën e korruptuar, e cila po përkrahet nga BE, sepse kësisoj shpresohet se do të ketë siguri».

Mappes-Niediek kritikoi Bashkimin Europian për refuzimin e liberalizimit të vizave ndaj kosovarëve dhe përkujtoi se Brukseli javën që shkoi ua ka hequr vizat 42 milionë ukrainasve, ndërsa 1,6 milionë kosovarë, të cilët në luftën e vitit 1999 janë konsideruar si aleatët më të ngushtë të europianëve, duhet të marrin vizë, madje edhe për vizita familjare dhe shpesh as vizën nuk arrijnë ta marrin. Sipas Mappes-Niediek zhgënjimi ndaj BE-së është i madh dhe po prodhon ithtarë të islamit të panjohur për shoqërinë kosovare. «Mendoj se është një islamizëm i përqafuar nga inati dhe pa rrënjë kulturore, thjeshtë nga dëshpërimi dhe poshtërimi».

Sipas Mappes-Niediek përpjekjet e Arabisë Saudite për ndikim në Kosovë nuk kanë qenë aq të suksesshme për një kohë të gjatë. «Kosova në të vërtetë ështe¨një shtet sekular, bashkë me Shqipërinë ndoshta shoqëria më sekulare në Ballkan. Islami dhe në përgjithësi feja nuk kanë luajtur kurrë rol të madh». Por, pas luftës sauditët u koncentruan në xhamia, në komunitetin e vogël dhe të dobët islamik, ndërtuan xhami, futën para… «Kjo është parë me mosbesim që nga fillimit, sepse kosovarët e shihnin veten si aleat të amerikanëve. Kishte një islamofobi të vërtetë te shumica e kosovarëve dhe kjo ka ndryshuar masivisht në vitet e fundit».

Sa i përket Turqisë Mappes-Niediek tha se Erdoani po ndjek në Ballkan një politikë neoosmane. Qëllimi i tij është të shtojë peshën e politikës së jashtme turke në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Maqedoninë perëndimore. (-lli)