Gazetari gjeniale: 150 ditë punë për një portret

Një reporter i revistës gjermane «Der Spiegel» ka shoqëruar mbi 150 ditë Martin Schulzin, kandidatin e socialdemokratëve për kancelar të Gjermanisë. Kjo punë ka rezultuar me një portret që do të mbahet mend në historinë e gazetarisë gjermane.

Martin Schulz.



Në numrin e fundit revista «Der Spiegel» njofton: «Politika është përherë edhe inskenim, dhe zakonisht politikanët kujdesen që gazetarët të mbajnë një distancë minimale, në mënyrë që të dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjohet. Por, nganjëherë një politikan vendos të lejojë pamje më të thella me shpresën se motivet e tij, synimet e tij do të jenë më të kuptueshme. Kandidati i dështuar i socialdemokratëve për kancelar, Martin Schulz, mori një vendim të tillë, në fillim të vitit, kur për të situata dukej shumë më e mirë. Markus Feldenkirchen e shoqëroi atë gati një gjysmë viti, në 50 termine, biseda, në taksi, në avion. Kësisoj u krijua një imazh i afërt i fushatës elektorale me të gjitha shpresat, goditjet, zhgënjimet, një rrëfim i jashtëzakonshëm mbi politikën në vitin 2017. Mes Schulzit dhe Feldenkirchen pati vetëm një marrëveshje: teksti mund të botohet tek pas zgjedhjeve».

Të shtunën storja është botuar. Në një kohë kur në gazetari cilësia ngatërrohet me shpejtësi, portreti i gazetarit të «Der Spiegel» është një dëshmi se çka është gazetaria e vërtetë. Është durim. Hulumtim. Ecje. Vrap. Kontakte me politikanë. Biseda. Takime. Durim, sërish. Përqendrim. Natyrisht për të realizuar një projekt të tillë – 150 ditë duke shoqëruar një politikan – duhet të ekzistojë një gazetë apo revistë apo televizion apo medie digjitale e gatshme të vë në dispozicion mjetet e duhura financiare. «Der Spiegel» qe i gatshëm të investojë në një projekt të tillë.

Portreti i Martin Schulzit ka mbushur rrafsh 17 faqe të revistës nga Hamburgu. Ata që përtojnë ta lexojnë, mund ta dëgjojnë. Leximi i tekstit nga një aktor zgjat 93 minuta. Mbi një orë e gjysmë për 150 ditë nga jeta e Martin Schulzit. Portreti është një kapitull i ri në historinë e gazetarisë politike. Është një tekst i thurur me mjeshtëri, ku kapen çaste mes vullnetit për fitore dhe dyshimit se fitorja është e mundshme, momente të vetmisë dhe hidhërime me intrigat partiake, pritje gati mbinjerëzore nga elektorati dhe dorëzim para të pashmangshmes. Pas leximit të portretit lexuesi ndien keqardhje për Schulzin, i cili me sa duket nga fillimi e dinte se nuk kishte shans kundër Angela Merkelit, dhe respekt për një gazetar që punon 5 muaj për një portret të një politikani.
E.R.