Gazeta zvicerane: Putini po zhvillon luftë kundër Perëndimit

E përditshmja zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» thekson se rreziku që buron nga manipulimet zgjedhore ruse në Amerikë dhe Europë po nënçmohet. Përzierja e Moskës është e papranueshme dhe kërkon një reagim të vendosur.

Foto: Shutterstock



Europa sapo ka marrë frymë e lehtësuar nga fitorja e Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale në Francë, duke penguar kështu ardhjen në pushtet të «partisë autoritare-nacionaliste» të Marine Le Pen, shkruan gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ). Por, kjo fitore nuk duhet të shërbejë që europianët dhe amerikanët të rehatohen në kolltukë, sepse Franca – ashtu si më parë SHBA-të – qe viktimë e një fushate të orkestruar nga jashtë për ndikimin e zgjedhjeve. Modeli ishte i njëjti si një vit më parë te demokratët amerikanë: përmes emailave të rrejshëm hakerët krijojnë qasje ndaj kompjuterëve të kampit të Macronit, vjedhin dokumente interne dhe i prezantojnë ato pak para zgjedhjeve me qëllim që të dëmtojnë favoritin e zgjedhjeve.

Gazeta zvicerane shkruan se për dallim nga SHBA-të në Francë nuk funksionoi përpjekja nga jashtë për të manipuluar zgjedhjet. Por, ata që qëndrojnë pas fushatës së dezinformimit nuk e kanë ndërmend të dorëzohen, por nga gabimet që kanë bërë tani në Francë do të nxjerrin mësimet e duhura për aksionin e ardhshëm. Ekziston rreziku që ndërhyrjet në zgjedhje të bëhen përcjellës të përhershëm të fushatave elektorale në Perëndim. Kjo është e papranueshme, sepse është sulm në zemër të demokracisë. Këso sulmesh shkaktojnë pasiguri, dëmtojnë besimin në ndershmërinë e zgjedhjeve dhe përmbajnë një rrezik të pakalkulueshëm që informatat e rrejshme mund të ndikojnë në mënyrë fatale në modelimin e pushtetit në një vend. Që tani po vërehet rritja e nervozizmit në Gjermani para zgjedhjeve të shtatorit, të cilat mund të jenë cak i sabotatorëve.

Se kush qëndron pas këtyre sulmeve, qëmoti nuk është fshehtësi e vërtetë. Një sërë indikacionesh tregojnë se bëhet fjalë për udhëheqjen ruse. Ky nuk është vetëm vlerësim i shërbimeve sekrete perëndimore, por edhe i firmave të ndryshme të sigurisë së kompjuterëve, shkruan NZZ – dhe përmend firmat APT 28, Pawn Storm dhe Fancy Bear si krijesa të shërbimit sekret rus. Sulmet e këtyre grupeve ndaj autoriteteve, partive dhe politikanëve të shteteve të NATO-s si dhe kundër grupeve kritike ndaj qeverisë në Rusi tregojnë se pas tyre qëndron Kremlini.

Sipas gazetës këto metoda i kanë rrënjët në epokën sovjetike, kur bukë e përditshme e shërbimeve sekrete ishte dezinformomi. Pjesë e shërbimit sekret rus ka qenë edhe Vladimir Putini. Doktrina e re e ushtrisë ruse parasheh sulme me hakerë dhe i konsideron këto më të rëndësishme se sulmet me armë konvencionale. Sipas NZZ kjo është një luftë me mjete të tjera. Në Francë Moska dështoi, por nuk mund të mohohet se pati sukses në SHBA. «Duke pasur parasysh këtë sfond duket tragjike që fuqia tradicionale e botës së lirë qeveriset pikërisht nga një president që s’ka kurrfarë ndjeshmërie për rrezikun nga Moska dhe në lidhje me këtë në mënyrë konstante e gënjen popullin e tij. Megjithatë, është e nevojshme që Putinit t’i tregohet vendi. Për këtë nuk mjafton vetëm pajisja me teknikë dhe personel e mbrojtjes perëndimore kundër sulmeve të hakërreve. Duhet një doktrinë e re e trembjes. Rusia duhet ta ndjejë qartë se fushatat e ardhshme manipuluese do të kenë për pasojë hakmarrjen e dhimbshme. Fundja, edhe Perëndimi disponon me një arsenal të pasur të mjeteve joushtarake. E mundshme është ndjekja intensiv e hakërreve rusë si dhe ngrirja e parave të regjimit të Putinit në Perëndim. Një diskutim për këtë është i nevojshëm para se Kremlini në mënyrë edhe më mizore të vazhdojë sulmet kundër themeleve të demokracive perëndimore». (-lli)