Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung»: Merkel po gabon kur po e lavdëron Vuçiqin

Në Serbi shteti ligjor po lëkundet, aferat e korrupsionit po shtohen, por kancelarja gjermane Angela Merkel duket se i ka këshilltarët e dobët - andaj ajo po a lavdëron luftën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq kundër korrupsionit, gjë që shumë serbë e përjetojnë si tallje, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

E entuziazmuar me Vuçiqin: Kancelarja gjermane Merkel gjatë një takimi me kryetarin e Serbisë.



Aleksandar Vuçiq ka triumfuar edhe në Beograd. Në zgjedhjet e së dielës partia e presidentit serb SNS ka betonuar dominimin e saj. Pesha politike e Beogradit në Serbi është e madhe – pa kryeqytetin është vështirë të qeveriset Serbia, këtë e ka ditur edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili në 1996 i pati manipulaur zgjedhjet lokale. Pas protestave disamujore të opozitës së atëhershme të bashkuar serbe, Millosheviqi lëshoi pe pjesërisht dhe kryetar i Beogradit u bë Zoran Gjingjiqi, më vonë i vrarë nga mafia gjysmështetërore si kryeministër i Serbisë.

Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) shkruan në numrin e së martës se Vuçiqi me të vërtetë është i popullarizuar te shumë serbë, ndërsa opozita nuk po arrin të bind njerëzit se në Serbi do të bëhet mirë kur të largohet Vuçiqi nga pushteti.

«E gjithë kjo pothuaj se nuk do të duhej t’i interesonte Europës nëse Serbia nuk do të ishte anëtari potencialisht më i madh i BE-së, pasi Turqia de fakto e ka shmangur veten nga radha e aspirantëve. Vuçiq e ka shpallur anëtarësimin e Serbisë në BE si synim kryesor të politikës së jashtme. Ultranacionalisti i dikurshëm serb dëshiron të hyjë në histori si njeriu që i ka integruar serbët në Perëndim, ndonëse Serbia tradicionalisht lëkundet mes Perëndimit dhe Lindjes. Edhe për këtë arsye ia vlen që sundimi i tij të shikohet më qartë – dhe një shikim i tillë shpalos gjëra shqetësuese», shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Gazeta përmend aferat e shumta korruptive në Serbi, për shembull rastin e ministrit të Mbrojtjes, i cili thotë se ka blerë një banesë me paratë e një tezeje në Kanada, ndonëse as nuk dihet kush është ajo teze dhe as si janë trasnferuar paratë në Serbi. Kryetari i deritanishëm i Beogradit, një njeri besnik i Vuçiqit, thuhet se i ka 45 gjirollogari, prej të cilave rrjedhin para në Ishujt Virgjin britanik dhe në Zvicër. Drejtësia nuk vepron, ndërsa shumica e mediave kontrollohen nga Vuçiqi.

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» për herë të parë pas një kohe të gjatë kritikon hapur sundimin e Vuçiqit dhe mbylljen e syve nga ana e Gjermanisë dhe BE-së ndaj zhvillimeve në Serbi. «FAZ» kritikon edhe kancelaren Angela Merkel, e cila pak ditë para zgjedhjeve lokale në Beograd e priti në Berlin Vuçiqin – dhe kjo zemëroi opozitën serbe, e cila e sheh kancelaren gjermane si përkrahëse elektorale të Vuçiqit. Merkel e lavdëroi Vuçiqin në një mënyrë që duket e habitshme.

«Nëse ajo edhe prapa dyerve të mbyllura ka folur kështu, atëherë duhet ngritur dyshime mbi cilësinë e këshillave që i prezantohen kancelares mbi gjendjen në Serbi», kritikon «FAZ». Merkel tha se «jemi të impresionuar se si Serbia po ecën në rrugën e reformave. Kjo po shihet edhe në shumë indikacione sa i përket luftimit të korrupsionit». Fakti që Merkel e lavdëron luftën e Vuçiqit kundër korrupsionit, te shumë serbë shihet si tallje, por përkrahësit e Vuçiqit me siguri tani kanë respekt edhe më të madh për të – duke e parë presidentin si një shitës të mirë të vetes së tij.

«Përse BE nuk mban qëndrim më të qartë (ndaj Serbisë)?», pyet gazeta gjermane. «Një përgjigje e mundshme gjendet në luftën për Beogradin, e cila po zhvillohet mes Perëndimit dhe Lindjes. Rusia (…) nuk ka interes në kursin perëndimor të Vuçiqit dhe dëshiron ta bind Serbinë të heq dorë. Edhe për këtë shkak duket se në Bruksel dhe Berlin Vuçiqit i tolerohen shumë gjëra, ndërsa ai këmbëngulë në orientimin themelor të politikës së jashtme. Kjo mund të jetë e kuptueshme në aspektin strategjik. Por çka do të përfitonte BE nëse një ditë do të pranonte një Serbi me një shtet ligjor të shndërruar në skelet, vetëm e vetëm për t’ia marrë atë Rusisë nga dora?» (-lli)