Gazeta e afërt me Erdoanin: Gjermania fajtore edhe për masakrën e Srebrenicës!

Kryetari turk Rexhep Taip Erdoan duket se ka humbur kontrollin me akuza absurde kundër Gjermanisë. Edhe më ekstreme po tregohen mediat e tij.

Rexhep Taip Erdoan.



«Ti, zonja Merkel, i mbron terroristët». Kjo është deklarata e fundit fyese e presidentit turk Rexhep Taip Erdoan në adresë të kancelares gjermane Angela Merkel. Më parë Erdoan kishte thënë se ndalimi i fjalimeve të ministrave të tij në Gjermani për referendumin mbi sistemin presidencial në Turqi i përngjan «metodave naziste». Merkel i ka quajtur këto deklarata të papranueshme. Se deri ku mund të shkoj çmenduria dhe propaganda e regjimit të Erdoganit dhe mediave të tij tregon një kryeartikull i botuar para disa ditësh nga gazeta «Sabah». Duke injoruar faktet historike gazeta në fjalë e bën fajtore Gjermaninë për krizën e euros, shkatërrimin e Jugosllavisë, masakrën e Srebrenicës dhe sundimin e dhunshëm të Slobodan Millosheviqit. Për shkatërrimin e Jugosllavisë Gjermaninë e akuzojnë edhe nacionalistët serbë. Rrjedhimisht, gazeta turke «Sabah» duket si një lloj imitueseje e gazetës serbe «Politika» e viteve ’90.

Përveç gjermanëve regjimi i Erdoganit ka zbuluar se fashistë janë edhe holandezët. Erdoani është zemëruar se ministrave të tij nuk i është lejuar të bëjnë fushatë për referendumin e tij në Turqi. Por siç ka bërë me dije gazeta «Cumhuriyet» kryeministri Binali Yildirim në një intervistë më 6 mars për televizionet ATV dhe AHaber kishte premtuar se në Holandë nuk do të mbaheshin tubime për referendum duke pasur parasysh se atje më 15 mars mbahen zgjedhjet parlamentare. Se përse dëshironin të flisnin në Rotterdam para kësaj date ministri i Jashtëm turk dhe ministrja e Familjes mbetet enigmë.

Me akuzat e tij se holandezët na qenkan nazistë Erdoan tregon një injorancë të paparë. Ai ndoshta nuk e di se Rotterdami është bombarduar nga nazistët në maj të vitit 1940. Me atë rast u vranë 800 njerëz dhe pjesa e vjetër e qytetit u shkatërrua. Injorant dhe provokator siç është Erdoani po ashtu më gjasë nuk e di se kryetar i Rotterdamit është një mysliman, i cili praktikon besimin. Ahmed Aboutaleb, i lindur në Marok, qeveris qytetin më të madh të Europës me port. Në paraqitjen para mediave socialdemokrati Aboutaleb tha se pala turke e kishte «gënjyer», duke i thënë se nuk do të mbahej asnjë tubim në Holandë për referendumin e 16 prillit në Turqi.

Sa i përket dijes mbi historinë Erdoan pati tërhequr vëmendjen e opinionit në fund të vitit 2014, ku gjatë një takimi me myslimanët nga Amerika Latine kishte thënë se Amerikën nuk e ka zbuluar detari italian Christoph Kolumbus më 1492, por myslimanët më 1178. (-lli)