Gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës, gjenden eksplozivë

Një deputet i opozitës hodhi gaz lotsjellës gjatë një takimi të komisionit të çështjeve të jashtme në parlamentin e Kosovës dhe një eksploziv u gjet më pas në shtëpinë e komisionerit të demarkacionit.

Foto: BIRN

Driton Çaushi, një deputet nga Vetëvendosje, hodhi gaz lotsjellës të martën gjatë takimit të komisionit për marrëveshjen kontroverse të kufirit me Malin e Zi, në përpjekjen më të fundit të opozitës për të bllokuar marrëveshjen.

Në video shfaqen deputetët që kolliten dhe fërkojnë sytë ndërsa largohen nga dhoma e mbushur me gaz.

Një eksploziv u gjet më pas në çatinë e një shtëpie që i përket Murat Mehas, kreut të komisionit të qeverisë së Kosovës për demarkacionin. Policia tha se ekspertët e ekspozivëve e çaktivizuan atë.

Lajmi për zbulimin e eksplozivit doli vetëm pak çaste përpara se Meha të shfaqej në një konferencë për shtyp me kryeministrin Isa Mustafa për të folur rreth marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që opozita e refuzon fuqishëm.

«Ky është një veprim i papranueshëm. Veprime të tilla vënë në rrezik jetët e familjeve dhe tregojnë qartë se po përballemi me njerëz që nuk ia duan të mirën Kosovës. Ata vënë në rrezik të ardhmen e Kosovës», tha Isa Mustafa.

Incidenti i gazit lotsjellës bëri që takimi i komisionit të anullohet, por drafti i dokumentit për ratifikimin e tij u kalua te kryesia e parlamentit, që tani pritet të lërë një takim për seancën e votimit në parlament.

Por deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj Bujupi tha se edhe nëse deputeti përgjegjës për hedhjen e gazit lotsjellës arrestohej, protestat kundër marrëveshjes me Malin e Zi do të vazhdojnë.

«Si gjithmonë, arrestimet dhe çdo përpjekje tjetër për të na ndaluar ne janë të kota. Ne nuk synojmë të ndalojmë, sepse nuk mund të lëmë që të jepet tokë», tha Kadaj Bujupi në Facebook.

Deputetët e opozitës në Kosovë kanë hedhur vazhdimisht gaz lotsjellës në parlament në muajt e fundit në përpjekje për të penguar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit, që ata thonë se i jep shumë tokë Malit të Zi.

Vetëvendosje ka përdorur gaz lotsjellës për të penguar seancën parlamentare që kur u nënshkrua marrëveshja nga tetori 2015 deri në janar të këtij viti.

Incidenti i fundit erdhi një ditë pasi deputetët nga opozita dhe partitë qeverisëse u ankuan rreth sigurisë së keqe për një eksploziv që ishte vënë pranë parlamentit javën e shkuar.

Qeveria e Kosovës më në fund miratoi projekt-ligjin mbi demarkacionin e kufirit më 3 gusht, mes protestave të vazhdueshme të opozitës kundër marrëveshjes, që sipas tyre i merr Kosovës 8’000 hektarë tokë.

Që ligji të hyjë në fuqi, parlamenti duhet ta ratifikojë dokumentin me një shumicë dy të tretat.