Gati projekti i OSTAP nga Austria për trajtimin e ujërave të zeza për Gjilanin

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, i shoqëruar edhe nga drejtorët e drejtorive komunale, kanë pritur përfaqësuesit e kompanisë OSTAP nga Austria, të kryesuar nga Christoph Gierlinger që bashkërisht është duke u punuar në finalizimin e projektit për trajtimin komplet të ujërave të zeza në pjesën urbane dhe rurale të Gjilanit si dhe investimin në rregullimin e lumit, «Stanishorka», «Mirusha», dhe lumenjëve të tjerë, deri tek fabrika – impianti që do të ndërtohet në fshatin Uglarë.




Me këtë rast Ismail Januzi, këshilltari për zhvillim ekonomik dhe investime i kryetarit Lutfi Haziri, ka thënë se së bashku me kompaninë nga Austria janë duke punuar në finalizimin e projektit për investimin e rrjetit të ujërave të zeza, kolektorëve, rregullimit të shtratit të lumenjve që në tërësi kapin shumën mbi 7 milion euro, transmeton Koha.net.

«Jemi në finalizim të projektit që përfshinë mbi 50 kilometra rrjet të ujërave të zeza, pastaj vendosjen e kolektorëve në lumenjtë e 15 fshatrave, në tre lumenj në qytet, si në lumin «Mirusha», «Stanishorka» dhe kolektori i lumit «Morava», të cilët pastaj së bashku shkojnë në Fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Uglarë. Është e paraparë të ndërrohen gypat e kanalizimit në qendër të qytetit, ajo në drejtim të rrugës së Prishtinës dhe investime të tjera në pjesë të tjera të qytetit. Me këtë projekt bëhet zgjidhja përfundimtare e ujërave të zeza. Vlera e këtij projekti është mbi 7 milionë euro, po ashtu do të punojmë gjatë të ardhmes edhe në paramasë dhe parallogari të saktë. Nëse shkohet sipas dinamikës së paraparë, presim në pranverën e vitit të ardhshëm të nisin punimet në këtë projekt dhe në vitin 2016 – 2017 do përfundojë i gjithë ky projekt», thënë në fjalën e tij Ismail Januzi.