«Gati e pabesueshme! Çka me thanë tjetër?»

Në kujtim të Bekim Lumit dhe shfaqjes së tij të fundit – «Arturo Ui»: «Për fat të keq, kipcin e gangsterit dhe të kriminelit Arturo Ui e të vetave tjera të kësaj drame i gjejmë ende në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Të tillët i kemi me shumicë sidomos në politikë. Në politikë dhe në krim. Ata janë aty së bashku».




Më 14 qershor të këtij viti, para një muaji e gjysmë, Bekim Lumit iu plotësua njëra prej ëndrrave të fundit. Jo, nuk iu plotësua, më korrekte është të thuhet se ai bëri çfarë mundi që kjo ëndërr të bëhet realitet dhe, kësisoj, me forcat e fundit, e vuri në skenë parabolën «Arturo Ui» e Bertolt Brechtit.

Një ditë para shfaqjes, më 13 qershor, Bekim Lumi në profilin e tij në Facebook shkroi: «Një ditë para premierës së shfaqjes ‘Arturo Ui’? Po! Gati e pabesueshme! Mbas shumë rropatjesh, provash, mundimesh, lodhjesh, por edhe kënaqësie e deliriumi gjatë ecunisë krijuese, ia dolëm me ardhë deri te çasti magjik i premierës, kur regjisori ua beson plotësisht e ua jep në dorë lojtarëve (aktorëve) krijesën, artin, zemrën dhe shpirtin e tij. Çka me thanë tjetër? Përveç ju lumtë, që keni pasë aq durim, guxim dhe besim me më përcjellë e ndjekë në këtë aventurë të gjatë, të randë, të lodhshme e të vështirë, por edhe të andërrshme, të mistershme e fort të bukur! Pres që, nesërmbrama, në Natën Magjike të premierës, më 14.06.2018, ne orën 21:00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të shkëlqeni në artësimin dhe lojën tuej magjike! Ju due shumë!»

Ju due shumë!
Ju due shumë!
Ju due shumë!

Këto ishin fjalët e fundit publike në mediat sociale të Bekim Lumit. Një përshëndetje dhe një përqafim që dinte ta thoshte vetëm ai – me zërin e tij kumbues, me dashamirësinë e madhe, me gegnishten që i kishte aq shumë hije, sepse ka shumë që përpiqen të shkruajnë e flasin gegnisht dhe rezultati është mizerabël: as publiku nuk e kupton folësin e shpifur, as ky, folësi kinse i gegnishtes, nuk e kupton veten. Ndryshe ishte Bekim Lumi.

Bekim Lumi kishte talentin e pashoq të komunikonte me botën, jo vetëm me gjuhën e artit. Që në fund të viteve ’70 korrespondentit të gazetës «Rilindja» i kishte rënë në sy një djalë nga një fshat i Suharekës, i cili recitonte mirë, i cili lexonte shumë, i cili mësonte shumë. Bekim Lumi mësoi gjatë gjithë jetës, ai ishte shembull tipik i intelektualit kureshtar. Fundja, ky është mallkimi i mrekullueshëm për një intelektual: të jesh përherë kureshtar. Ata që nuk janë kureshtarë, janë të pafrytshëm si shtrati i lumit të tharë. Bekim Lumi ka vënë në skenë shumë drama, ka marrë çmime nacionale dhe ndërkombëtare, ka marrë vlerësime të larta për punën e tij.

Ju due shumë!
Ju due shumë!
Ju due shumë!

Me këto fjalë Bekim Lumi ia dorëzoi publikut punën e tij të fundit, fatkeqësisht të fundit, dhe pasi lëngoi edhe ca javë, dha shpirt, iku në amshim. «Arturo Ui është një parabolë, e shkruar me qëllim që të shkatërrojë respektin zakonisht të rrezikshëm për vrasësit e mëdhenj», shkruante Bertolt Brechti. Parabola «Arturo Ui» në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës – kjo ishte një ëndërr e kahmotshme e Bekim Lumit. Përmes saj ai përçoi një mesazh: mos kini frikë nga vrasësit e mëdhenj, nga të korruptuarit e mëdhenj, nga grabitësit e mëdhenj. Tingëllon si fjalia legjendare e Papa Gjon Palit të II kur vizitoi Poloninë dhe bashkëkombësve të tij u tha: «Mos keni frikë». Pastaj dihet se ç’ndodhi: ra Muri i Berlinit, ra Perandoria Sovjetike, erdhi demokracia, erdhi Wind of Change, siç këndonin Scorpions. Bekim Lumi do të thoshte: «Mos u tutni».

Kur Brechti e shkroi këtë pjesë teatrale, ai ishte larg atdheut dhe Adolf Hitleri në kulmin e pushtetit. Ndoshta kjo është arsyeja që në fund të parabolës Brecht është shumë i dëshpëruar. Kjo shihet në këtë skenë: një grua e larë në gjak pasi ka kërcyer nga kamioni i qëlluar me plumba dhe duke rënë përtokë nga hovi i mitralozit, e pyet publikun: «Ku jeni! Ndihmoni! Përse nuk e ndalë askush këtë murtajë?»

Kështu shkroi Brechti.
Kështu foli Bekim Lumi. Si kreshnik.
Dhe na tha lamtumirë me fjalët:

Ju due shumë!
Ju due shumë!
Ju due shumë!

Në fund të parabolës Brecht apelon: hapni sytë, veproni, në vend se vetëm të flisni. Mos triumfoni herët. Sepse barku prej nga doli kjo (e keqe) ende është i plleshëm.

Në Mynih të Gjermanisë në vitin 1999 Bekim Lumi, aktivisti i palodhshëm për lirinë e Kosovës, kishte ëndrra të mëdha. Ai punoi me mjetet e artit që ëndrra e tij, një shtet i drejtësisë sociale dhe barazisë, të bëhet realitet. Në të gjallë të tij ky shtet – s’u bë. Por, porositë na i ka lënë edhe me pjesën e fundit teatrale. Në një initervistë dhënë portalit «kultplus» Bekim Lumi kështu fliste për aktin e tij të fundit mbi dërrasat e shenjta të teatrit: «Arturo Ui është një dramë e shkruar në vitin 1941 nga dramaturgu i shquar gjerman dhe botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956), gjatë kohës së ekzilit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë), përderisa ai, për shkak të përndjekjes nga fashizmi, po e priste vizën për emigrim në SHBA. Me formën, me përmbajtjen dhe me personazhet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe portretizon historinë e dhunshme të uzurpimit të pushtetit politik dhe ekonomik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit ‘20. Edhe pse ngjarjet janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të kësaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, haraçi, korruptimi dhe kërcënimet ndaj tregtarëve e politikanëve, deri edhe vrasjet e tyre e, më tutje, edhe gjyqet farsë përmes presioneve dhe shantazheve ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame me 17 pamje, e cila, për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ’20. Për shkak të disa ngjashmërive dhe përkimeve të qëllimshme, ‘Arturo Ui’, me përmbajtjen, me disa nga motivet dhe me kryepersonazhin e saj, nga kritikët, krijuesit dhe njohësit e teatrit vlerësohet edhe si kipci bashkëkohor i tragjedisë ‘Rikardi III’ të William Shakespeare-it».

Pastaj Bekim Lumi bëhet edhe më konkret ndërsa flet për motivet që e kanë shtyrë të vë në skenë këtë parabolë: «Thjeshtësia dhe thellësia e dialogut, mjeshtëria me të cilën janë krijuar personazhet (sidomos kryepersonazhi Arturo Ui), aktualiteti dhe universaliteti i ngjarjeve, paralelet e çuditshme me shumë nga ndodhitë e pasluftës e këndej në Kosovë, si dhe mundësia që mbi një tekst të këtillë kaq të veçantë ta krijosh një shfaqje të madhe, të gjitha këto, pra, ishin të mjaftueshme për ta tërhequr vëmendjen time krijuese. (…) Sa ndodhitë po aq edhe personazhet e kësaj drame, përmes leximit, përjetimit dhe trajtimit regjisorial, mund të kontekstualizohen me shumë nga rrethanat dhe episodet tragjikomike politike e historike në Kosovën e pasluftës e këndej. Për fat të keq, kipcin e gangsterit dhe të kriminelit Arturo Ui e të vetave tjera të kësaj drame i gjejmë ende në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Të tillët i kemi me shumicë sidomos në politikë. Në politikë dhe në krim. Ata janë aty së bashku. Ndoshta një arsye më shumë për vënien në skenë të këtij teksti është edhe kjo».

Ju due shumë!
Ju due shumë!
Ju due shumë!