Gashi: Të prishet kontrata mbi falje për Manastirin e Deçanit

Avokati Tomë Gashi në emisionin «Rubikon» të KTV-së ka thënë se vendimi për 20 hektarët e dhënë për Manastirin e Deçanit mund të anulohet, pasi sipas tij ekziston një rregullore sipas të cilës të gjitha vendimet në mes viteve 1989-99 mund të shfuqizohen lehtë.




«Deri në vitin 2002 askush prej Deçanit nuk ka bërë ankesë për anulimin e vendimit për dhënien e tokave Manastirit të Deçanit. Republika e Serbisë ja ka falë këto toka manastirit të Deçanit», ka thënë Gashi.

«[Deçani] duhet të kërkojë anulimin e kontratës mbi falje të Republikës së Serbisë. Në momentin që kërkojnë anulimin e kësaj kontrate, ata do ta fitojnë rastin», ka thënë Gashi që është bazuar në kontratën e vitit 1997 të Serbisë.

«Duhet të angazhoni ekspertët më të mirë dhe rasti do të zgjidhet», ka thënë ai duke ju drejtuar drejtorit të administratës komunale, Bashkim Ramosaj.

Krahas të gjitha argumenteve të ofruara u kërkua ndihmë nga ekspertët për të zgjidhur rastin.

«Hajdeni e na ndihmoni ta zgjidhim këtë çështje», ka thënë Adem Lushaj nga Shoqata e Intelektualëve të Kosovës.

Komuna nuk i ka bërë komentet e duhura drejt Gjykatës duke mos i ndjekur rrugët procedurale dhe si e tillë ka pësuar nga vendimi. Kështu u shpreh ekspertja e të drejtës kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj në «Rubikon» të KTV-së.

Mushkolaj gjithë këtë rrëmujë e shqetësim e sheh si pasojë e keqqeverisjes.

«Krejt këtë po e shoh si rezultat e pasojë e keqqeverisjes prej vitit 2007 e këndej», ka thënë ajo.