Gashi: Dyshojmë që shifrat e pastërtisë së ajrit nga KEK-u po manipulohen

I pari i qytetit të Obliqit, Xhafer Gashi, ka folur për problemin që ka ky qytet me KEK-un dhe dëmtimin e ambientit.




Shifrat e pastërtisë së ajrit, sipas Gashit, dyshohet se po manipulohen nga KEK-u, pasi Komuna e Obiliqit nuk ka mundësi të bëjë matje të tilla, transmeton Koha.net.
«Dyshojmë që manipulohen shifrat nga KEK-u. Ne nuk kemi mjete që t’i bëjmë matjet, por shpesh shihet edhe me sy se çfarë gjendje është», tha Gashi në Interaktiv të KTV-së, duke shtuar se ka ditë që tymi i zi po del nga tymtarët e KEK-ut dhe kjo është shqetësuese.

Gashi ka thënë se sëmundjet janë në rritje, mjetet e rënda të KEK-ut po dëmtojnë infrastrukturën, ftohësit, sipas tij, kanë shndërruar disa ara në moçalishte, kështu që ai ka pasur disa kërkesa, të cilat përfshihen edhe në Ligjin për Obliqin, si punësimi me favore të banorëve, të rritet shërbimi shëndetësor, të krijohen brezat e gjelbra, të bëhet trajtimi i fenolit, parandalimi i zhurmave dhe krijimi i kushteve për sport.