Gary Johnson për kryetar të Juesejit

Gary Johnsoni don me u ba president i SHBA-ve dhe me u marrë me rangët e shtëpisë së vet, e rruzullin me e lënë të qetë. Ai këmbëngul në tregti të lirë me botën, dhe synon me e reformu sistemin e mërgimit për t’iu mundësu njerëzve të ndershëm me shku e me u punësu ligjshëm në Amerikë. Ky mund të jetë lajm i mirë edhe për shqiptarët. Kurse përpjekjet e Johnsonit për ta ligjësu marihuanën do mund t’i gëzonin bujqit tanë në Lazarat.

Gary Johnsoni, si alpinist i rryer, është ngjitë në majat më të larta të secilit kontinent. Ai do mund të fitonin edhe garën e madhe të politikës!

Shqiptarët janë të bindur se zgjedhjet për kryetar të Shteteve të Bashkuara do t’i fitojë Hillary Clintoni, e emëruara e Partisë Demokratike. Madje edhe mediat tona po e përkrahin me të madhe në garën ndaj kundërshtarit republikan Donald Trump.

Por këta nuk janë të vetmit kandidatë në zgjedhjet e përgjithshme të 8 nëntorit. Gjasa teorike me fitu kanë edhe dy emra: Gary Johnson i Partisë Libertariane (apo Liritare) dhe Jill Stein e të Blertëve. Johnsoni, megjithatë, është i vetmi pos dy kandidatëve kryesorë që ndodhet në fletëvotime në të 50 shtetet.

Deri tash, i emëruari libertarian e ka fitu përkrahjen e një pjese të mirë të popullatës — kryesisht të rij, ushtarakë, dhe qytetarë të lodhur prej qeverisë që shpenzon së tepërmi e përzihet ku i e ku s’i takon. Në sondazhe, Johnsoni është luhatë mes 8 e 13 për qind të votave të përgjithshme, por nuk e ka mbërri 15-përqindshin që kish me ia siguru një vend në tri debatet televizive mes kandidatëve kryesorë.

Aq i duhet edhe me e ndryshu rrjedhën e zgjedhjeve. Ndërsa Clintoni e Trumpi e qujnë njëri-tjetrin të pandershëm, Johnsoni drun se askush s’do të flasë për çështjet që e shqetësojnë qytetarin. Ai premton me folë për to.

Johnsoni, ish-guvernator i shtetit Niumeksiko, thotë se ndan bindjet politike të shumicës së amerikanëve. Si libertarian apo «liritar», ai është konservator në çështjet ekonomike dhe liberal në çështjet shoqërore. Me fjalë të tjera, ai beson në një qeveri të vogël që ndërhyn sa më pak në jetën e qytetarit. Bën thirrje me i zvogëlu tatimet, me i thjeshtu programet qeveritare, me i fuqizu liritë e individit, dhe me e kufizu rolin e Juesejit në luftat e huaja.

Veç ku po na lë Johnsoni ne shqiptarët e sapodalë prej lufte? Nuk e dimë. Ai thotë se Amerika nuk bën me i shti duart në vendet e tjera duke i ndërru regjimet a duke e drejtu shtetndërtimin.

Por fushatën e ka përqendru kundër përzierjes në Lindjen e Mesme, dhe qëndrimet e tij për Kosovën janë të paqarta. Në një rast, ish-guvernatori pat thënë se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përdorë me vend mujshinë ushtarake qysh prej ndërhyrjes në Bosnjë-Hercegovinë. Ai s’e pat zënë ngoje Dardaninë, e as kam gjetë ndonjë gjurmë që Johnsoni e ka kundërshtu drejtpërdrejt ndërhyrjen e Natos më 1999. Qebesa, ka tregu pak interesim e njohuri për vendet e tjera, duke e çmu prajshmërinë e «marrëdhëniet me aleatët».

Johnsoni don me u marrë me rangët e shtëpisë së vet, e rruzullin me e lënë të qetë. Siç thotë vetë, ai është i vetmi kandidat që këmbëngul në tregti të lirë me botën, dhe synon me e reformu sistemin e mërgimit për t’iu mundësu njerëzve të ndershëm me shku e me u punësu ligjshëm në Amerikë. Ky mund të jetë lajm i mirë edhe për shqiptarët. Kurse përpjekjet e Johnsonit për ta ligjësu marihuanën do mund t’i gëzonin bujqit tanë në Lazarat.

Nuk po them se Johnsoni është e vetmja zgjedhje për Amerikën, e as nuk po i ftoj bashkëkombasit me heqë dorë nga mikja jonë Hillary Clinton. Por kërkoj që atij me ia dhënë hapësirën e merituar si kandidat.

Si guvernator, i ka ulë tatimet dhe e ka balancu buxhetin, ndërsa i ka përmirësu shërbimet thelbësore e paku punët e panvojshme të qeverisë shtetërore. Me mënyrën qysh ka qeverisë në mandatin e parë, ia ka dalë me e fitu edhe afatin e dytë, ani pse ka qenë kandidat i Partisë Republikane në një shtet thujse krejt demokrat. I zgjedhuri i tij për nënkryetar Bill Weld e ka bë të njëjtën gjë, duke shërby për dy katërvjetsha si guvernator i Masaçusetsit.

Edhe puna e Johnsonit si biznesmen dhe karriera e Weldit si avokat e prokuror janë për lakmi. Por udhëheqësit e mediat e kryerrymës kanë ngurru me i përkrahë. Shumë tuten se ata nuk kanë gjasa me fitu. Hera e mbramë që në Shtetet e Bashkuara është zgjedhë një kryetar prej një partie të tretë ka qenë viti i largët 1861, kur ngadhënjeu Abraham Lincolni. E që atëherë, Amerikën e kanë drejtu vetëm dy parti: republikane e demokratike.

Plot amerikanë, megjithatë, po e lypin udhën e tretë. Dhe tue e shkagu dyshen e vjetër, gazetat madhore si «Chicago Tribune» dhe «The Detroit News» e përqafunë këto ditë tiketën libertariane Johnson–Weld.

Ata «janë të zhdërvjellët, praktikë, dhe për dallim nga kandidatët e kryepartive, me përvojë në drejtimin e qeverive», shkroi Tribuna e Çikagos, që në dy zgjedhjet e fundit përkrahu kryetarin Barack Obama. Kurse gazeta e Detrotit nënvizoi: «E pranojmë se me kandidatin libertarian po vejmë bast përmbi bast. Por kjo është përkrahje e ndërgjegjes, që pasqyron bindjen tonë se Johnsoni do të jetë kryetar i përgatitur, i aftë, e i ndershëm».

Në mos përkrahje e hapur, Johnsonit i duhet të paktën një mundësi: me marrë pjesë në debate. Pastaj, le të vendosin vetë qytetarët.

Të paktën, jam i bindur se libertarianët do dilnin të dytët në këto zgjedhje, duke e lënë mbrapa ngucakeqin Donald Trump e tue përcjellë porosi paqe e dashamirësie për botën mbarë. Por mund edhe t’ua gllabërojnë votat të dy kryekandidatëve, duke i lënë të gjithë pa shumicën e nevojshme për t’u zgjedhë. Dhe atëherë — për herë të parë që prej 1824-tës — kryetarin e nënkryetarin e Juesejit kish me i caktu Kongresi.

Johnsoni, si alpinist i rryer, është ngjitë në majat më të larta të secilit kontinent. Ai e Weldi do mund të fitonin edhe garën e madhe të politikës!