«Galeria e ofendimeve» takohet me «Burrneshat» në thirrjen për ndryshim

Format e trupit të femrës të mbushura me fjali fyese janë përdorur për të përçuar mesazh kundër dhunës.




Nëpërmjet ekspozitës «Galeria e ofendimeve», ato janë përcjellë në krejt Serbinë. E fenomeni shoqëror shqiptar që prek gratë është shtjelluar përmes një shfaqjeje teatrale, shkruan sot «Koha Ditore».

E para është pjesë e historisë personale të artistes serbe Ivana Smiljaniq, e cila ka kaluar në një marrëdhënie abuzive, kurse e dyta është shfaqja e regjisores shqiptare Valbona Xibri, «Burrneshat».

Ndonëse temat janë të ndryshme, njashtu sikurse edhe trajtimi i tyre, ato lidhen ngushtë për një pikë të vetme e që ka të bëjë me gruan si objekt i keqtrajtimit në njërin rast dhe ndryshimin e identitetit, në tjetrin.

Të dyja artistet u bënë bashkë të hënën në panelin e diskutimit me temën «Trupi im, territori im» udhëhequr nga Besa Luci, në ditën e fundit të edicionit të tretë të festivalit rajonal për të drejtat e njeriut «FemArt». «Trupi i femrës nuk është pronë publike», ka qenë njëri prej mesazheve që është përcjellë në panelin e mbajtur në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së.