Gabimet e zotit Macron në Ballkan

Përpjekjet e Emmanuel Macron për të bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE nuk kanë lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe kanë shumë të bëjnë me zgjedhjet europiane. Megjithatë, bllokimi i hapjes së negociatave është një lëvizje shumë e rrezikshme për asnjë përfitim politik për Macronin. Përkundrazi, kjo mund të jetë vetëm në dobi të forcave iliberale në rajon të mbështetura nga Moska.

Emmanuel Macron. Foto: RTR



Këshilli Europian ka arritur një marrëveshje për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, që do të fillojnë në qershor të vitit 2019, nëse reformat vazhdojnë të japin rezultate konkrete. Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe shtete të tjera anëtare përfshirë Greqinë i dhanë dritën jeshile këtij procesi pavarësisht nga kundërshtimi fillestar i shprehur nga Franca dhe Holanda. Emmanuel Macron paraqiti qëndrimit e Francës mbi zgjerimin në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Sofje në maj, duke deklaruar se nuk mund të ketë zgjerim përpara një thellimi të vetë Bashkimit Europian.

Ky veprim mund të ketë qenë i lidhur me shqetësimet rreth partive populliste brenda vendit të tij. Por kjo ndërhyrje ishte shumë në kundërshtim me fjalimin e tij në Sorbonne vitin e kaluar, ku ai foli për një Europë të bashkuar të udhëhequr nga një vizion i qartë, i cili nuk tërhiqet përballë forcave anti-europiane. Duket se në preferencën e saj për vonesën e hapjes së bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, Franca ka rënë viktimë ose e mungesës së koherencës së pafat ose e frikës së politikës populliste në shtëpi.

Ajo që ndodhi midis vizionit në Sorbonne dhe derës së përplasur në Sofje nuk ka të bëjë aspak me vetë Ballkanin Perëndimor, sidomos duke pasur parasysh arritjet e dukshme të Maqedonisë vitin e fundit. Ajo ka lidhje me partitë e brendshme franceze populliste dhe republikanët që e kthejnë zgjerimin e Ballkanit në një çështje zgjedhore përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në vitin 2019.

Megjithatë, zotimi për të bllokuar Maqedoninë dhe Shqipërinë nuk ka gjasa të lëvizë ndonjë votë. Për më tepër, kjo strategji ngushëllimi e partive populliste dhe të ekstremit të djathtë nuk ka rezultuar ndonjëherë efikase për partitë pro-europiane apo ato të qendrës së djathtë, zbatuese të këtyre strategjive, qoftë disa dekada më parë apo sot.

Në vend të kësaj, kjo rrezikon një qeveri që e ka vënë të gjithë besueshmërinë e saj në lëvizjen drejt BE-së dhe NATO-s. Duke i thënë Shkupit se negociatat mund të hapen në qershor 2019 pas një referendumi për emrin e ardhshëm të Maqedonisë të kujton një formulë popullore të përdorur në Ballkan: «Ne do të votojmë për opozitën kur ata të jenë në pushtet».

Në Sorbonne, Macron vuri vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit në thelbin e atij që ai beson se duhet të jetë një projekt i ri europian. Duke kritikuar inercinë dhe frikën e shprehjes së ideve dhe vlerave proeuropiane, ai mbështeti ambicie të forta, të guximshme dhe proaktive si mënyrën e vetme për të kundërshtuar narracionin populiist dhe të ekstremit të djathtë në Europë.

Në Ballkan ai kishte theksuar zgjedhjen strategjike të lidhjes së rajonit me BE-në dhe nënvizoi nevojën për të respektuar reformat dhe ato demokratike. Disa muaj më vonë në Sofje, Macron bëri një dallim të habitshëm midis një Europe sovrane dhe një Europe të bashkuar. Sovraniteti nënkuptonte se Ballkani duhet të ankorohet në BE për arsye historike dhe gjeopolitike. Megjithatë, uniteti nënkuptonte se nuk mund të ketë zgjerim përpara se BE-ja të reformohet.

Ky është një argument shumë i diskutueshëm duke pasur parasysh se procesi është të paktën një dekadë i vjetër dhe kështu ka shumë pak kuptim në përpjekjen e presidentit për të bllokuar hapjen e thjeshtë të bisedimeve, duke i hapur rrugën një procesi të gjatë dhe të vështirë. Përveç kësaj, sa i përket ekuilibrit ligjor dhe politik të BE-së dhe funksionimit të saj, Maqedonia apo Mali i Zi – vende me respektivisht më pak se dy dhe më pak se një milion njerëz – vështirë se mund të krahasohen me Turqinë ose Rumaninë. A ka vërejtur ndokush ndonjë ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrin e brendshëm që kur Kroacia u bë anëtare e BE-së në vitin 2013?

Macron gjithashtu deklaroi se: «Nuk do të ishte serioze të hapej një proces i ri zgjerimi sot pa kushte», duke shtuar se Komisioni ka vënë në dukje çështje specifike si korrupsioni dhe emigracioni për të cilat duhet bërë shumë më tepër. Megjithatë, duhet të vihet në dukje se asnjë proces zgjerimi nuk është hapur dhe nuk ka përfunduar kurrë pa kushte. Për më tepër, ai deklaroi se vendet që punojnë shumë, si Maqedonia, duhet të shpërblehen. Nuk ishte kurrë fakt i kryer që zgjerimi do të gjente natyrshëm vendin e tij në projektin e Macronit për një Europë më demokratike. Kishte shpresë, sidomos në lidhje me ndryshimin pozitiv në Maqedoni, se politika e zgjerimit do të ishte më politike, e bazuar në vlera, së bashku me aspiratat e Macronit për Europën, kundër ndikimit të regjimeve mendjengushta brenda dhe jashtë BE-së. Për fat të keq, kjo nuk u materializua.

Kështu që, ajo që mungon ende është një politikë zgjerimi e hartuar pas vizionit të vetë Macronit të Europës të zhvilluar në Sorbonne, me qëllim që të tregojë, me vetë fjalët e tij, se zgjerimi mund të shkojë krah për krah me një ambicie të përtëritur europiane. Mund të argumentohet, nga një këndvështrim liberal, që vendet në një situatë iliberalizmi dhe kapje të shtetit, ku partia hegjemoniste në pushtet ka dëmtuar sundimin e ligjit dhe ka krijuar një model plotësisht klientelist, nuk duhet t’i afrohen BE-së, vetëm në rast se ajo punon ndryshe nga kjo për qeveri më pro-BE siç është ajo e Maqedonisë, siç është heshtja shurdhuese e Beogradit mbi marrëveshjen e emrit të arritur nga Shkupi dhe Athina.

Por kjo qasje nuk diskutohet haptazi. Për më tepër, referendumi i marrëveshjes për emrin në Shkup mund të dështojë këtë vjeshtë, gjë që do të shkaktonte dorëheqjen e qeverisë. Në të njëjtën situatë, zgjedhjet e vitit 2019 në Greqi mund të sjellin në pushtet një qeveri që kundërshton çdo marrëveshje me Shkupin. Prandaj, bllokimi i hapjes së negociatave është një lëvizje shumë e rrezikshme për asnjë përfitim politik për Macronin, për partitë pro-BE dhe për vetë BE-në. Përkundrazi, kjo mund të dështojë, vetëm në dobi të forcave iliberale në rajon të mbështetura nga Moska.

Ballkani është i vetmi rajon ku BE-ja ka pushtet të projektojë një realitet të ri, por është gjithashtu rajoni ku Europa ka dështuar më shumë. Referendumi në Maqedoni këtë vjeshtë dhe zgjedhjet në Bosnjë në tetor duhet të ndiqen nga afër duke pasur parasysh mundësinë e rezultateve negative. Në prag të një samiti të rrezikshëm të NATO-s duke marrë parasysh pikëpamjet e Donald Trumpit për aleancën, nëse Europa do të bëhet një aktor autonom dhe i fuqishëm, përfshirë edhe nga një pikëpamje ushtarake, së bashku me ambicien e Macronit, ajo fillon në Ballkan.

Ky artikull u publikua fillimisht në faqen e internetit të Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme. Përkthyer dhe botguar nga BIRN, reporter.al