«Fytyrat e shpresës» përfshin edhe imazhe të Kosovës së pasluftës

The Guardsman - Më shumë se 100 mysafirë ishin bërë pjesë e një punëtorie për fotoreporterë që organizoi Jessica Lifland, teksa prezantoi edhe një ekspozitë në «Bungalow 615» të «Front Page Gallery» në Ocean Campus të San Franciscos.




Ekspozita e Liflandit shpalosi 21 fotografi të realizuara në dy shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtatë të tjera në mbarë botën, brenda dy dekadave të fundit, që u kuruan nën titullin «Faces of Hope» (Fytyrat e shpresës).

Në hapje të ekspozitës, udhëheqësi i Departamentit të gazetarisë, Juan Gonzales, e përshkroi Liflandin si instruktore kyç e programit dhe më pas e takoi atë me mysafirin special të mbrëmjes, fituesin e çmimit «Pulitzer», fotografin e profesorin Kim Komenich, transmeton sot «Koha Ditore» shkrimin e «The Guardsman».

«Ngjarja u përcoll me shumë shpirt – pati atmosferë shoqërore dhe familjare», ka thënë Gonzales.

Si fotoreportere, Lifland ka udhëtuar në Republikën Dominikane, Haiti, Jordani, Kosovë, Filipine, Paraguai dhe Senegal. Puna e saj në «Faces of Hope» sjell fëmijët me fytyra të dëmtuara të cilët u nënshtrohen operacioneve pa para, komunitetin haitian që mundohet të rimarrë veten pas katastrofës që shkaktoi tërmeti, refugjatët irakianë në Jordani, Kosovën e pasluftës, si dhe ngjarje fshati Samm Njaay në Senegal.