Fushë-Kosova me sistem online për dokumente të gjendjes civile

Fushë-Kosovës, 12 tetor – Banorët e Komunës së Fushë-Kosovës tash e tutje do të mund të aplikojnë nga shtëpia (nëpërmjet interneti) për dokumente të gjendjes civile.




Kjo është bërë e mundur, pasi zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës kanë prezantuar projektin e ri të aplikimit për dokumente, shkruan sot «Koha Ditore».

Në një njoftim të kësaj komune thuhet se me qëllim të lehtësimit të procedurave administrative për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës, është prezantuar projekti i aplikimit online për dokumente të gjendjes civile në Komunën e Fushë-Kosovës.

«Fjala është për një aplikacion (softuer) që u mundëson të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës të aplikojnë nëpërmjet internetit, për dokumente të gjendjes civile, pa qenë e nevojshme të jenë fizikisht në komunë. Për realizim të këtij projekti, Komuna e Fushë-Kosovës, ka siguruar të gjitha pëlqimet e nevojshme nga Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtje të të Dhënave Personale (ASHMDHP)», thuhet në këtë njoftim,

Sipas zyrtarëve komunalë të Fushë-Kosovës, të gjithë qytetarët të cilët duan të pajisen me dokumente të tilla si ekstrakti i lindjes, certifikata e vendbanimit, certifikata e shtetësisë, certifikata e martesës etj., aplikimin mund ta bëjnë nga shtëpitë e tyre, duke hyrë në uebfaqe të Komunës së Fushë-Kosovës (http://kk.rks-gov.net/fushekosove).