Fuqia e shumëfishtë e diasporës

A e ndihmon apo e dëmton emigrimi një vend në zhvillim? A do të ishte Kosova më mirë apo më keq, politikisht dhe ekonomikisht, nëse rreth 700 mijë kosovarë të mos e lëshonin asnjëherë Kosovën?

Foto: Shutterstock



Nga mesi i korrikut, në kuadër të festivalit PriFilmFest, u shfaq filmi i shkurtër «Tisa», i cili bën fjalë për përpjekjet e kosovarëve për të hyrë në vendet e Europës. Në tetor të vitit 2009, në përpjekje për të kaluar nga Serbia në Hungari dhe pastaj në vendet tjera të Bashkimit Europian, 16 kosovarë humbën jetën në ujërat e ftohta të lumit Tisa. Me dhjetëra të tjerë, para dhe pas tyre, kanë humbur jetën në përpjekje të kalimit ilegal të kufijve.

Rruga e kosovarëve për në vendet e Europës ishte hapur në vitet e ’60 të shekullit të kaluar, kur zhvillimi i hovshëm ekonomik i vendeve të Europës kërkonte punëtorë nga vendet në zhvillim. Kjo rrugë filloi të mbyllej në fund të viteve të ’80, kur shumë qytetarë të ish-Jugosllavisë filluan të emigrojnë në mënyrë masive për shkak të përndjekjeve politike dhe luftërave. Mbi 55 për qind e diasporës së Kosovës ka emigruar mes viteve 1990-1999. Janë rreth 700 mijë kosovarë në diasporë, 381 mijë nga të cilët kanë lindur në Kosovë, kurse 300 mijë të tjerë kanë lindur jashtë vendit. Ministria e Diasporës ka arritur që të regjistrojë 400 mijë prej tyre dhe ky proces do të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

Është fakt i njohur nga të gjithë se diaspora kosovare dërgon mesatarisht nga 750 milionë euro në vit në formë të remitencave. Sipas Bankës Botërore, mbi gjysma e remitencave arrin përmes rrugëve joformale, apo jashtë sistemit bankar, çfarë do të thotë se të hyrat nga diaspora janë dukshëm më të larta sesa të dhënat zyrtare. Në fjalën hyrëse për «Rezultatet Preliminare të Regjistrimit të Diasporës», publikuar në qershor të këtij viti, ministri Valon Murati deklaroni se të hyrat vjetore nga diaspora janë afro 1,5 miliardë euro në vit.

Remitencat janë një ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës. Ato përbëjnë rreth 10 për qind të të hyrave dhe kontribuojnë me 16 për qind të Bruto Produktit Vendor (GDP). Sipas UNDP-së, rreth 25 për qind e familjeve kosovare marrin të hyra nga remitencat, apo rreth 80 mijë familje. Familjet që marrin remitenca kanë të hyra më të larta sesa familjet të cilat burim të të hyrave kanë pagën apo veprimtari tjera brenda vendit.

Por, efektet e diasporës nuk kufizohen vetëm te remitencat dhe financimi i konsumit të familjeve të tyre në Kosovë. Përveç ndihmës ekonomike, diaspora ka ndikuar dhe ndikon edhe në rrjedhat politike, edukim, integrimin e shoqërisë kosovare me vendet e botës dhe në themelimin e iniciativave qytetare.

Ndikimi politik

Sipas Ministrit të Diasporës, diaspora ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha etapat e historisë, sidomos në vitet e ’90 të shekullit të kaluar, kur diaspora u angazhua në mbledhjen e fondeve për luftën çlirimtare, në lobim pranë qeverive të vendeve perëndimore, por edhe në pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftë. Por, edhe pse në shkallë më të vogël, edhe më tej ndikimi politik i diasporës në Kosovë është prezent. Në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, diaspora mori pjesë në votim në numër më të madh se në zgjedhjet paraprake. Përveç votave me postë, një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të diasporës erdhën në Kosovë për të votuar. Mbi 70 për qind e atyre votave shkuan kundër partive të cilat kanë qeverisur me Kosovën përgjatë këtyre viteve.

Përveç votimit direkt, studimet nga vendet tjera kanë treguar se diaspora ndikon edhe në familjet e tyre që vota të shkojë për ndryshim. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Senegal, studiuesit monitoruan bisedat telefonike të diasporës senegaleze në SHBA dhe Francë me familjarët e tyre në Senegal. Diaspora senegeleze u bënte thirrje familjarëve të tyre që të regjistrohen për votim, si dhe gjysma e bisedave të monitoruara bënin thirrje për të votuar kandidatët opozitarë. Në një studim tjetër për ndikimin politik të diasporës së shtetit afrikan Cape Verde, studiuesit gjetën se familjet të cilat kanë së paku një emigrant janë më shumë të gatshme që të avokojnë për ndryshime politike.

Edhe pse nuk ka studime të cilat do të mund të matnin ndikimin e diasporës në qëndrimet politike dhe votimin e familjarëve të tyre në Kosovë, duke marrë parasysh se mbi 93 për qind e diasporës jeton në vendet me demokraci të konsoliduara dhe drejtësi sociale, toleranca e tyre ndaj zhvillimeve politike, sociale dhe ekonomike në Kosovë duhet të jetë më e ulët sesa e atyre që jetojnë në Kosovë, 99 për qind e të cilëve në tre vjetët e fundit nuk kanë vizituar asnjëherë vendet e Europës apo Amerikës Veriore. Duke jetuar në një vend të zhvilluar dhe me kulturë të lartë politike, pjesëtarët e diasporës e shohin se si funksionon një vend i cili qeveriset mirë, mund ta krahasojnë atë me qeverisjen në vendin e origjinës dhe të bëjnë presione në forma të ndryshme për ndryshime. Në një shkrim të botuar në muajin qershor në Kosovo 2.0, Dafina Halili ofron një pasqyrë shumë të mirë të angazhimit të diasporës për një demokraci funksionale në Kosovë.

Organizimi qytetar

Përveç remitencave dhe ndikimit politik, diaspora është një ndër kontribuueset më të mëdha të organizimeve të ndryshme qytetare. Në numrin e së dielës, më 17 gusht 2014, gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» raportonte për angazhimin qytetar të diasporës së Stubllës së Epërme të Komunës së Vitisë. Në qershor të këtij viti një reportazh të tillë e kishte edhe gazeta Tages Anzeiger, për një fshat tjetër të Vitisë – Smirën.

Në një hulumtim për aktivizimin qytetar në lokalitete të ndryshme të Kosovës, Instituti GAP gjeti se në gjashtë lokalitete të identifikuara, pothuajse në të gjitha diaspora ishte shtysa kryesore e organizimit, ku përveç ndihmës financiare, ata kontribuonin edhe me dhënien e ideve dhe angazhim konkret praktik. Diaspora e fshatrave Koretin, Smirë, Stubëll e Epërme, Dobërçan kontribuon në mirëmbajtjen e hapësirave publike, ndriçimin publik, ndërtimin e shtëpive për familjet në gjendje të rëndë sociale, shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit e kanalizimit, organizimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore.

Hapja e bizneseve dhe investimi në patundshmëri

Diaspora është meritore edhe për hapjen e bizneseve të reja në Kosovë dhe blerjen e patundshmërive. Në një shfletim të shpejtë në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës dalin së paku 120 biznese të cilat në emërtimin e tyre shkruan GmbH apo «shoqëri me përgjegjësi të kufizuara» (gjermanisht: Gesellschaft mit beschränkter Haftung), 122 biznese që në emërtimin e tyre kanë «Bau» apo kompani ndërtimore, dhe rreth 100 biznese të cilat mbajnë ndonjë variant të fjalës «Swiss». Mbi 70 për qind e diasporës jeton në vendet gjermanofolëse (Gjermani, Zvicër dhe Austri). Këto kompani me emërtime gjermane mund të jenë biznese me kapital nga diaspora, biznese të familjarëve të personave në diasporë, apo biznese të personave të riatdhesuar nga këto vende.

Në bazë të rezultateve preliminare të regjistrimit të diasporës, del se 0.74 për qind e mërgimtarëve kanë biznese të tyre në vendet ku ata jetojnë. Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë në Gjermani dhe Zvicër. Diaspora me prejardhje nga Gjakova ka numrin më të madh të bizneseve, në krahasim me pjesëtarët e diasporës nga komunat tjera. Përveç kësaj, përmes asistimit në forma të ndryshme, diaspora ka ndihmuar shumë kosovarë që të gjejnë punë të përkohshme në vendet e Europës. Kjo ka ndihmuar në fitimin e shkathtësive dhe kulturës së punës, e cila është vënë në përdorim me kthimin e tyre në Kosovë.

Për 17 vjet, diaspora ka qenë një ndër motorët e biznesit të ndërtimeve në Kosovë. Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për investimet e huaja direkte deri në muajin prill 2017, pjesa më e madhe e këtyre investimeve hyjnë në kategorinë e patundshmërive dhe ndërtimeve, të cilat vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra. Ironikisht, edhe pse diaspora është një ndër financueset më të mëdha të patundshmërive në Kosovë, në bazë të regjistrit të diasporës del se mbi 70 për qind e familjeve në diasporë jetojnë me qira.

Ndikimi i diasporës në zhvillimin e komunikimit digjital

Nëse diaspora dërgon rreth 750 milionë euro para të gatshme për çdo vit, po aq mund të jetë edhe ndihma jofinanciare, apo dërgesat në mallra. Pothuajse çdo anëtar i 80 mijë familjeve të cilët kanë së paku një anëtar të familjes në diasporë pajiset me një telefon mobil të teknologjisë më të fundit, kompjuter apo veturë. Sipas raportit më të fundit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), në Kosovë ka më shumë përdorues të telefonisë mobile sesa banorë, kurse penetrimi i telefonisë mobile është mbi 109 për qind. Në muajt e verës, regjistrohen mbi dy milionë përdorues të telefonisë mobile.

Njësoj, nevoja për komunikim me anëtarët e diasporës ka bërë që shumë familje kosovare të kenë së paku një kompjuter, ose të jenë të lidhura me internet. Sipas ARKEP-it, në tremujorin e parë të 2017-ës penetrimi i shërbimeve të internetit për shtëpi ishte 83 për qind. Shtrirja e internetit është në shkallë gati të njëjtë si në qytete, ashtu edhe në fshatra. Sipas të dhënave të grumbulluara nga kompania Hallakate, kompani e specializuar për krijimin, menaxhimin dhe zhvillimin e prezencës në internet, në Kosovë janë mbi një milion përdorues aktiv të Facebook-ut dhe afër 600 mijë përdorues të Instagram-it. Një milion i përdoruesve të internetit qasen përmes telefonave mobilë. Sipas Valon Canhasit, themelues i kompanisë Hallakate, shpërndarja e internetit dhe telefonisë mobile ka të bëjë më shumë me trendet globale të zhvillimeve teknologjike dhe me faktin se infrastruktura e Kosovës ka qenë e shkatërruar nga lufta dhe ka qenë më lehtë të kalohet menjëherë në teknologjinë e avancuar. Por, prapëseprapë, dërgesat nga diaspora, të aparateve mobile dhe kompjuterëve, si dhe nevoja për komunikim, kanë ndikuar në përshpejtimin si dhe financimin e kësaj shtrirjeje.

Natyrisht, për të gjitha këto që u thanë më lartë ekzistojnë edhe anët negative. Investimet e mëdha të diasporës në patundshmëri kanë ndikuar në rritjen e çmimit të patundshmërive për ata që jetojnë në Kosovë. Mbi 20 mijë banesa janë të pabanuara vetëm në Prishtinë. Remitencat kanë ndikuar në dembelizmin e të rinjve dhe në rritjen e kostos së punësimit. Një pjesë e konsiderueshme e kuadrove në fusha të ndryshme janë larguar nga vendi. Veturat e dhuruara nga diaspora kanë rritur vjetërsinë e veturave në Kosovë, efektet anësore të të cilave janë ndotja e ambientit dhe rritja e aksidenteve rrugore.

Por, nëse peshohen të gjithë faktorët, diaspora është shumë më shumë aset sesa pengesë për zhvillimin e vendit. Nëse këta 700 mijë persona do të qëndronin në Kosovë, gjasat do të ishin që gjendja ekonomike dhe sociale do të ishte edhe më e rëndë. Për dhjetë vjet (2004-2014) janë hapur vetëm 63 mijë vende të reja të punës. Në anën tjetër, vetëm brenda një viti, nga tetori i vitit 2014 deri në tetor të 2015, nga Kosova kanë emigruar rreth 90 mijë persona.

Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin e Oxfordit, Paul Collier, punëtorët e një vendi migrojnë nga vendet me modele sociale të dështuara në vendet me modele sociale funksionale. Me «model social» ai nënkupton një ndërthurje mes institucioneve, normave dhe rregullave të një vendi. Vetëm kalimi nga një model i dështuar social në një model të zhvilluar, automatikisht rrit produktivitetin e punëtorëve, pa marrë parasysh shkathtësitë e tyre. Sipas Collier punëtorët në vendet në zhvillim janë shumë më produktivë sesa ata në vendet e pazhvilluara, jo për shkak të karakteristikave individuale të punëtorëve, por për shkak të karakteristikave të shteteve. Kalimi prej një vendi të varfër si Kosova në një vend të zhvilluar si Gjermania, për punën e njëjtë, rrit produktivitetin dhjetëfish. Mënyrë tjetër për të dëshmuar se produktiviteti i punëtorëve varet nga modeli social i shtetit më shumë sesa nga karakteristikat e punëtorëve është duke i krahasuar emigrantët me vendasit. Pothuajse çdo herë emigrantët janë po aq produktiv sa vendasit e shteteve të zhvilluara.

E ardhmja e diasporës kosovare

Emigrimi i kosovarëve ka vazhduar edhe pas vitit 1999 dhe ky trend do të vazhdojë, edhe në rast se ekonomia e Kosovës shënon rritje më të madhe. Paradoksalisht, me këndelljen ekonomike të një vendi, shkalla e emigrimit rritet. Me rritjen e të ardhurave të qytetarëve krijohen kushte për financimin e rrugëtimit për në diasporë. Qytetarët më të varfër do të dëshironin të emigronin, por nuk mund të paguajnë kostot që paraqet migrimi ilegal, kurse qytetarët e pasur nuk kanë arsye të largohen. Janë ata me të ardhura mesatare të cilët kanë para të mjaftueshme për të marrë rrugën e emigrimit, por jo aq sa për të zhvilluar një jetë të mirë në vendin e tyre. Po ashtu, sipas Paul Collier, vendet e vogla kanë shkallë më të lartë të emigrimit sesa vendet e mëdha. Sipas anketës së UNDP-së më 2012, rreth 15 për qind e kryefamiljarëve të anketuar kishin plane për të emigruar jashtë vendit së bashku me familjet e tyre. Rreth 70 për qind e tyre si arsye për këtë kishin cekur kushtet ekonomike. Edhe pse ekonomia e vendit mund të përfitojë nga emigrimi, rritja e hovshme e shkallës së emigrimit mund të kthehet në bumerang për të ardhmen e vendit. Lehtësimi i rrugëve për emigrim do të nxiste edhe më shumë largimin nga vendi. Kjo do të bënte më të lehtë për pjesëtarët e diasporës që të tërheqin familjarët e tyre jashtë Kosovës, sesa të vazhdojnë të dërgojnë me miliarda euro çdo vit.