Fundi i Perëndimit

Pa SHBA-të në rolin prijës Perëndimi nuk do të mbijetojë në formën e tanishme. Europa nuk mund të marrë rol udhëheqës; për këtë ajo është tepër e dobët dhe e përçarë. Dhe kështu bota perëndimore, siç e kemi njohur, do të zhduket para syve tanë. Kina e madhe është nisur t’ia zë vendin fuqisë së lodhur botërore, ndërsa në Europën e mplakur sërish po zgjohet nga varri fantazma e nacionalizmit, një ankth i së kaluarës së errët.

Joschka Fischer, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë. Foto: Shutterstock



Me zgjedhjen e Donald Trumpit si president i ’45 i Shteteve të Bashkuara mbase i është rënë vulë ndarjes nga ai që deri më tani e quanim «Perëndim». Me këtë nocion mendohej bota transatlantike, e cila doli prej dy luftërave botërore të shekullit të ’20 dhe përmes katër dekadave sa zgjati Lufta e Ftohtë mori një trajtë të fortë. Ajo deri në ditët e sotme dominoi globin. «Perëndimi» me këtë rast nuk duhet të ngatërrohet me «Oksidentin». Natyrisht, të dyja e kanë vendin së bashku, por pa Oksidentin Perëndimi nuk mund të merret me mend në aspektin religjioz, kulturor dhe normativ, por prapë duhet bërë dallimin.

Oksidenti karakterizohej qenësisht nga Mesdheu. Ndonëse Europa në anën veriore të Alpeve ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për krijimin e Oksidentit, karakteri themelor ishte mesdhetar. Ndërsa karakteri i Perëndimit ishte atlantik, ai është rezultat i shekulli të ’20 dhe i luftërave të mëdha të këtij shekulli. Lufta e Parë Botërore së pari filloi si luftë europiane mes Fuqive të Boshtit dhe Fuqive të Ententës. Tek më 1917, me hyrjen e Shteteve të Bashkuara në luftë, kjo luftë europiane u bë luftë tamam botërore, dhe kështu filloi të krijohet ai që sot e quajmë Perëndim.

Në Luftën e Dytë Botërore, pas sulmit të Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik, në gusht të vitit 1941 Winston S. Churchilli dhe Franklin D. Roosevelti, kryeministri britanik dhe presidenti amerikan, nënshkruan në një anije luftarake në Atlantik Kartën e Atlantikut, si të thuash certifikatën e lindjes të Perëndimit. Nga kjo më vonë së pari do të zhvillohej NATO, e cila deri më sot garanton sigurinë e Europës përmes garancisë së Shteteve të Bashkuara për mbrojtje, dhe së dyti një aleancë e demokracive të lira, shteteve të sundimit të ligjit dhe ekonomive të tregut, të cilat ndajnë një themel të përbashkët të vlerave dhe për katër dekada me radhë së bashku dhe me sukses i rezistuan kërcënimit sovjetik.

Domethënë: Perëndimi bazohet në një siguri të përbashkët transatlantike, të garantuar nga SHBA-të dhe në vlera politike dhe shoqëroro-kulturore që ndahen me njëri-tjetrin. Në thelbin e vet Perëndimi përfshinë hapësirën transatlantike, më saktë: Atlantikun verior. Perëndimi nuk ekziston pa Europën dhe nuk ekziston pa Amerikën veriore. Pikërisht për këtë bëhet fjalë sot, sepse Amerika ka filluar të tërhiqet nga ky rol. Se çfarë do të thotë zgjedhja e Donald Trumpit për të ardhmen e demokracisë amerikane, këtë do ta tregojë ardhmëria. Dhe çfarë mund të realizohet dhe çfarë jo nga premtimet e tij të ndryshme elektorale.

Dy gjëra, ndërkaq, mund të parashikohen që sot me plauzibilitet të madh: presidenca e Trumpit do të jetë shumë më disruptive në politikën e brendshme dhe të jashtme të Shteteve të Bashkuara se ç’parashikohet sot. Sepse ky president nuk ka fituar vetëm kundër të gjitha rregullave të pashkruara të sistemit politik të demokracisë amerikane, jo vetëm kundër një kundërkandidateje jashtëzakonisht profesionale dhe Partisë Demokratike, por edhe kundër pjesës më të madhe të Partisë Republikane. Përse ai të heq dorë nga kjo recetë suksesi tani që do të jetë në post?

Trump edhe më tutje do të këmbëngulë në devizën «Make America great again» si bazë themelore e presidencës së tij, pa marrë parasysh se çfarë bën vaki. Në fillim të viteve ’80 edhe Ronald Reagani kishte bërë të njëjtin premtim, por atëbotë Amerika ndodhej ende në Luftën e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik dhe Ronald Reagani vendosi për një përgjigje imperiale: ta detyrojë Bashkimin Sovjetik të armatoset derisa s’mund të qëndronte më në këmbët e veta dhe t’i mundësojë SHBA-ve kohëra madhështore ekonomike madje edhe duke hyrë thellë në borxhe.

Opsioni imperial sot nuk ekziston më për Trumpin. Sidomos elektorati i tij dëshiron që pas të gjitha luftërave të humbura, të pakuptimta të George W. Bushit në Lindjen e Afërt dhe të Mesme Amerika të merret me vetveten, ajo dëshiron të heq dorë nga roli i fuqisë botërore. Në të vërtetë Shtetet e Bashkuara do të mbesin fuqia më e madhe globale, por nuk do të jenë më garantuese të sigurisë së Perëndimit, fuqi udhëheqëse e rendit liberal botëror dhe një ekonomie botërore të bazuar në tregti të lirë. Me Trupmin SHBA-të do të lëvizin në drejtim të izolimit dhe nacionalizimit.

Çështja ende e hapur do të jetë sa shpejt dhe sa radikale do të realizohet kjo zhvendosje e boshtit në politikën amerikane. Paralajmërimi i parë i presidentit të zgjedhur se ekonomia më e madhe e botës do të tërhiqet nga Marrëveshja transpaqësore e tregtisë së lirë (TPP), e cila ishte negociuar nga qeveria Obama, jep shkas për pesimizëm. Çfarë dhurate për Pekinin! A e ka radhën tani Deti i Kinës Jugore? Republika Popullore e Kinës nga Donald Trumpi po detyrohet të marrë rolin e garantueses së tregtisë së lirë botërore dhe mbase edhe për mbrojtjen globale të klimës – me këtë rast ajo nuk e ka të qartë se çfarë po i bën vaki.

A do të synojë Trump të arrijë një marrëveshje me Vladimir Putinin, e cila i jep fund luftës në Siri, duke ia lënë këtë vend Moskës dhe Teheranit? Kjo do t’i rrotullonte gati të gjithë boshtet e pushtetit në Lindjen e Afërt, me pasoja të rënda përtej rajonit, pa përmendur këtu tradhtinë ndaj opozitës siriane kundër Asadit.

Dhe a do të organizohet me Putinin një Jaltë 2.0 mbi Ukrainën, Europën Lindore dhe Kaukazin, me ç’rast de fakto do të pranohen zonat e ndikimit? Se në ç’drejtim do ecin SHBA-të nën qeverisjen e Trumpit duket që sot, por vetëm shpejtësia dhe radikalizmi i këtyre ndryshimeve janë të hapura. Këto do të varen para së gjithash nga rezistenca në Kongres (si nga demokratët ashtu dhe nga republikanët) dhe nga opinioni publik amerikan.

Por nuk duhet pasur iluzione – pa SHBA-të në rolin prijës Perëndimi nuk do të mbijetojë në formën e tanishme. Europa nuk mund të marrë rol udhëheqës; për këtë ajo është tepër e dobët dhe e përçarë. Dhe kështu bota perëndimore, siç e kemi njohur, do të zhduket para syve tanë. Kina e madhe është nisur t’ia zë vendin fuqisë së lodhur botërore, ndërsa në Europën e mplakur sërish po zgjohet nga varri fantazma e nacionalizmit, një ankth i së kaluarës së errët. (-lli) – «Süddeutsche Zeitung»