Fund!

Aq shumë fushata elektorale, aq shumë akuza, aq shumë kundërakuza, aq shumë premtime... Që tani këto kampanja zgjedhore po marrin fund për një kohë, vërtet është lehtësim i madh për higjienën publike.

Foto: Shutterstock



Edhe pak orë dhe do të mbyllet fushata për zgjedhjet lokale në Kosovë. Nuk është e sigurt nëse vendit do t’i kthehet qetësia menjëherë, por gjithsesi zhurma e pandërprerë elektorale do të marrë fund. Ditëve të fundit fushata arriti kulmin e perversitetit politik – me akuza e kundërakuza, me debate pa përmbajtje dhe me përmbajtje që s’i dëgjonte më askush, me lojëra për pjesëmarrje apo jo në debate televizive, me intriga kodoshësh medial, me lajme të rrejshme dhe rrena të prezantuara si të vërteta, me premtime gjigande dhe plane madhështore.

Pamë gjatë këtyre ditëve kandidatë e kandidate, aspirues e aspiruese të një vendi në asambletë komunale, pamë polemika e shpifje, ofendime e kërcënime, krekosje patriotike dhe shtirje të pafundme, pamë intrigantë dhe ushtarë të Facebookut, «komandantë» virtualë dhe militantë të Twitterit, patriotë të rrejshëm e guximtarë që i tuten një pule, pamë gjithçka në këtë maskaradë të quajtur fushatë e zgjedhjeve lokale.

Shyqyr që po përfundon! Një mijë herë shyqyr. Që tani këto kampanja zgjedhore po marrin fund për një kohë, vërtet është lehtësim i madh për higjienën publike. Është mirë për shëndetin mental të qytetarëve që të kursehen nga poterexhinjtë politikë dhe medialë. Nga pyetjet antipyetje të rojtarëve të studiove, nga analizat që shpesh nuk i kalojnë belbëzimet e kafehaneve.

Viti 2017 ishte vit i çmendur ciklesh zgjedhore. U mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe pastaj filloi periudha e dizajnimit të qeverisë me intriga e lojëra të ndyra, premtime postesh dhe zaptime postesh. Jo rastësisht Kosova sot i ka mbi 60 zëvendësministra. Dhe mbi 20 ministra. Dhe kushedi sa zëvendëskryeministra. Dhe kushedi sa këshilltarë qeveritarë.

U mbajtën zgjedhjet në Shqipëri. Por, vendi nuk iu kthye normalitetit, sepse për t’iu kthyer normalitetit duhet të davaritet tymi i kanabisit. Në vend të prodhimit të lajmeve për integrim në BE, në Tiranë prodhojnë lajme baronët e drogës, ministrat e përzier në punë të pista, shkatërruesit e ambientit dhe e tërë kjo kakofoni ilustrohet me fotografitë e një sundimtari me shallvare.

Mos të harrojmë: u mbajtën edhe zgjedhjet në Maqedoni. S’pamë ndonjë dallim nga arena politike e Prishtinës dhe Tiranës. Jemi një. Të kurthuar në beteja të hidhura provinciale, ndërsa bota perëndimore, pjesë e së cilës thuhet se «duam të jemi», po largohet prej nesh. Ose: po e largojmë prej nesh. Me papërgjegjësi. Me korrupsion. Me vendime të tmerrshme gjyqësore. Faqe botës po shfaqet një komb tejet i talentuar për t’ia bërë gropën vetes. Krejt kësaj situate ia vë kapakun afera e radhës në EULEX. Edhe aty po flitet për afera, korrupsion, intriga e djallëzi të tjera.

Ndoshta i vetmi ngushëllim është kjo porosi e shkrimtarit francez Alphonse de Lamartine. Ai shkruante: «Në qoftë se arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë shoqëri të turpshme gënjeshtarësh; në qoftë se e bën atdheun të skuqet për shkak të këqijave zyrtare; në qoftë se lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit; në qoftë se lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit – ky pushtet, të jeni të sigurt, do të përmbyset. Dhe, do të përmbyset jo në gjakun e vet, si ai i vitit 1789, po në kurthin e vet. Dhe, meqenëse keni pasur revolucionet e lirisë dhe kundërrevolucionet e famës, tani do të keni revolucionin e ndërgjegjes dhe revolucionin e përbuzjes».