Ftesë për të notuar në detin e ngjyrave

«Kur i shoh pikturat e tua të shndrisin në muret e mia, atëherë e di se kam një vatër»: Vlera Abdyli, historiane e artit nga Marburgu i Gjermanisë, i shkruan një letër babait të saj piktor, Abdyl Ruhan Abdylit.

Pikturë e Abdyl Ruhan Abdylit.



I dashur baba,

Kam studiuar historinë e artit, sepse dëshiroja të kuptoja se çfarë më thonë pikturat e tua. Ato s’më treguan kurrë. Të kujtohet, dikur, kur me kureshtje të shikoja ndërsa ti pikturoje. Ti ishe në botën tënde, në të cilën në atë çast kishte qasje vetëm ti. Por pikturat e tua rregullisht më ftonin të notojë në detin e ngjyrave, të thellohem në to pa u fundosur. Pikturat tua ngjyrosnin qiellin tim me ngjyrat më të bukura. Në shkollë tregoja me krenari për ty. Dhe se babai im di t’i vizatojë të gjitha shtazët. Ti edhe katërkëmbëshit më monoton ia dhuroje ngjyrat më të bukura.

Kurrë nuk pikturoje me ngjyrë të zezë apo të bardhë. Shpirti yt prej artisti shndrit me ngjyrat më gazmore. Në pikturat e tua lexoj tregimet më të bukura. Ato rrëfejnë për njerëzit që s’mbërrijnë kurrë. Ata vishen me elegancë për mërgim. Ashtu si ne atëherë, baba. Kur ia kthyem shpinën Kosovës. Për atdheun e ri, të huaj. Pikturat e tua rrëfejnë për gratë dhe burrat, të cilët rrinë në një bankë dhe presin. Çka presin, baba? Në peizazhet e tua dielli na bën me dorë nga porta e shtresave të shumta të reve. Sa me dëshirë do të donim të hynim në atë portë.

Peizazhet e tua janë qilima që shndrisin si bar, mbi të cilët ne duke vallëzuar kthehemi në vendlindje. Kabash. Malli yt. Pikturat e tua janë ode për jetën. Kam studiuar historinë e artit, sepse ëndërroja që ta bëjë të mundshme një ekspozitë të madhe. Me shkëlqimin e tyre pikturat e tua nuk do të duhej t’i ndriçonin vetëm bodrumet e errëta të banesës tënde. Deri më sot nuk ia kam dalë. Ti i quan pikturat e tua «Të zhdukurit» apo «Jetimët» dhe brenda tyre fsheh portretin tënd. Të kam parë, baba. Mes të gjitha atyre fytyrave të pikëlluara, të cilat i vizaton ti. Mes trupave dhe kokave të plagosura. Mes gjithë atyre njerëzve me identitete të humbura. Mes gjithë atyre grave dhe burrave me sy të lidhur apo duar. Jo të zhdukur, por jetimë. Sepse janë larg atdheut. Që neve, familjes tënde t’ia mundësoje një jetë të sigurt.

Dua që edhe pikturat tua të gjejnë vatrën e tyre. Ndoshta një atdhe. Që mure, dhoma dhe shtëpi t’i mbushin me jetë. Që të vërshojnë lokale. Me dritë. Që edhe më shumë sy të notojnë në detin tënd të ngjyrave. Edhe unë jam jetime, baba. Kur ti je i tillë. Dikur shpesh thoshe: «Këtu s’do të rrimë gjatë». Pastaj shumë vite kaluan. Jeta ime e plotë, e deritanishme. Jetën në Kosovë e njoh vetëm nga tregimet e tua, e njoh vetëm nga pikturat e tua. Mërgimi i këtushëm edhe për mua është i huaj. Por kur i shoh pikturat e tua të shndrisin në muret e mia, atëherë e di se kam një vatër.

Marburg, 2017