Ftesë për në Zvicër

Vendet e vogla e kanë nafakën që njëkohësisht të adhurohen dhe të trajtohen me mirëkuptim, që të shikohen nga lart dhe të mos merren si bash tamam. Por edhe vendet e vogla mund të jenë komplekse, vështirë të kuptueshme dhe tekanjoze. Por kush e kupton tërë një vend dhe njerëzit që e ndiejnë veten pjesë të atij vendi? Një përpjekje në disa vazhdime për të kuptuar Zvicrën.

Zvicra si «rast i veçantë», si «komb prej vullneti», si ishull i pavarësisë dhe neutralitetit, si Heidi-Zvicër dhe si Wilhelm-Tell-Zvicër, si Zvicër e akullnajave të përhershme dhe trëndafilave alpinë, e bujqve të lumtur dhe e ushtarëve në kufi përballë Europës armiqësore... Foto: Shutterstock



Ju dëshironi të shpërnguleni në Zvicër? Mirë se vini! Por a jeni të sigurt se Zvicra i përgjigjet përfytyrimeve që keni për të?

Disa e konsiderojnë Zvicrën Tokë të Premtuar, ku rrjedhin qumësht dhe mjaltë, ku të gjithë janë të pasur, jetojnë në paqe, thithin ajër të shëndetshëm dhe në mbrëmje flenë herët që në mëngjes të jenë të pushuar për ditën e re. Imazhi që shumica kanë për Zvicrën është idilik, paksa i përzier me kiç dhe bukur sipërfaqësor. Ndoshta kjo është e pashmangshme. Sepse vendet e vogla e kanë nafakën që njëkohësisht të adhurohen dhe të trajtohen me mirëkuptim, që të shikohen nga lart dhe të mos merren si bash tamam. Por edhe vendet e vogla mund të jenë komplekse, vështirë të kuptueshme dhe tekanjoze. Por kush e kupton tërë një vend dhe njerëzit që e ndiejnë veten pjesë të atij vendi?

La Suisse n’existe pas

Në Ekspozitën Botërore në Sevilla në vitin 1992 kush dëshironte të shkonte në pavijonin e Zvicrës, duhej të lexonte atë që ishte e shkruar qartë: «La Suisse n’existe pas!» Ky ishte një njoftim dinak dhe tejet i suksesshëm i botës, sipas të cilit ajo Zvicër siç paramendohet në kokat e shumicës së bashkëkohësve, madje edhe të zviceraneve dhe zviceranëve, nuk ekziston fare. Kjo fjali shkaktoi më pak shqetësim në botën e jashtme se në Zvicër. Parlamentarë të orientimit patriotik protestuan ashpër kundër këtij provokimi mendor dhe deshën të pengojnë që pavijoni i Zvicrës të hapet me një moto të tillë. Flitej për shpifje, për njollosje të atdheut dhe madje për tradhti ndaj vendit. Në të vërtetë kjo ishte një pikëpamje tejet e mençur dhe me efekt publicitar e disa artistëve, të cilët e dinin se një provokim ironik i bën më shumë njerëz kureshtar ndaj një vendi të vogël se mburrja e zhurmshme dhe shitmendja.

Ky ishte refuzim i Zvicrës së miteve politike, siç shpërfaqet shpesh në fjalimet patriotike. Zvicra si «rast i veçantë», si «komb prej vullneti», si ishull i pavarësisë dhe neutralitetit, si Heidi-Zvicër dhe si Wilhelm-Tell-Zvicër, si Zvicër e akullnajave të përhershme dhe trëndafilave alpinë, e bujqve të lumtur dhe e ushtarëve në kufi përballë Europës armiqësore, por po aq edhe Zvicër e brisqeve të xhepit dhe orëve, e çokollatës dhe djathit – dhe natyrisht: Zvicra e xhirollogarive sekrete: kjo Zvicër e klisheve e prezantuar deri në ngopje, kjo Zvicër e legjendave dhe e paragjykimeve ekziston me të vërtetë mbase vetëm në mite dhe në realitet duket krejt ndryshe. Me moton «La Suisse n’existe pas!» artisti Ben Vautier lëkundi imazhin e ngurtë që Zvicra ka për veten – një imazh ky që urgjentisht kërkonte rishqyrtim dhe modernizim. Ai këtë e bëri aq mençur dhe aq paturpshëm, saqë të mençurit dhe të paturpshmit menjëherë ia mbajtën anën atij. Ju natyrisht do të vini në një Zvicër, e cila ekziston me të vërtetë. Dhe prej meje doni të dini se çfarë duhet të dihet për këtë vend dhe banorët e tij, para se me mendjelehtësi të braktisni vendin tuaj dhe të shkoni në një vend tjetër. Unë me qejf ju tregoj si qëndrojnë gjërat. Natyrisht ashtu siç i shoh unë dhe si i përjetoj. Dhe kjo me siguri nuk është një pikëpamje për këtë vend, e cila përputhet me atë të shumicës.

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).