Ftesë për investime në Maqedoni

Forum ekonomik në Zvicër për investime në Maqedoni. I dyti brenda dy viteve. Përfaqësuesit e Qeverisë flasin për klimë të mirë investimesh. Investitorët shprehen të lumtur.

«Të investosh dhe tregtosh me Maqedoninë», forum ekonomik në hotel «Krone» të Cyrihut.

Reth 100 persona nga bota e biznesit kuvendojnë në një sallë të hotel «Krone» në Cyrih për ekonominë në Maqedoni. Maqedonas, shqiptarë, zviceranë dhe të interesuar të tjerë. Të enten e 3 nëtorit 2016. «Të investosh dhe tregtosh me Maqedoninë», është titulli i forumit ekonomik, që e kanë zgjedhur organizatorët e tij, Qeveria e Maqedonisë dhe Oda Ekonomike e Zvicrës për Europën qëndrore.

Edhe në këtë periudhë krize politike, Qeveria maqedonase nuk e ka humbur vëmendjen për promovimin e vendit për investime. Ky, në fakt është takimi i dytë i tillë brenda dy viteve. Me të njëjtët aktorë. Nga pala e autoriteteve maqedonase në forum referuan Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministër dhe Arlind Zeqiri, ministër për Investime në Qeverinë e Maqedonisë. Ish ministri për investime, tani drejtor i Agjencisë së Investimeve të Maqedonisë, Visar Fida, pavarësisht paralajmërimit, nuk u paraqit në forumin e sivjemë.

Autoritetet e Qeverisë promovuan klimën e mirë për investime në Maqedoni. Ata afirmuan edhe njëherë modelin e të ashtuquajturave zona të lira ekonomike të shpërndara nëpër të gjithë vendin, ku ndërmarrje të renomuara botërore nga fusha të ndryshme ushtrojnë me sukses aktivitetin e tyre afarist. Përveç të tjerash, investitorët i josh edhe sistemi i taksimit të sheshtë prej dhjetë për qind. Kjo ka çuar në rritjen e investimeve dhe ngritjen e mirëqeniens së vendit, sidomos përmes punësimit.

Ngritje në pozitë ka përjetuar edhe Arlind Zeqiri, atëbotë promotor për investime në Maqedoni nga Zvicra. Ai, në vorbullën e riformatimit të Qeverisë pas aferës së audio-përgjimit Xhaferi-Mehmeti, u emërua ministër për Investime. Një ndër pesë ministrat për Investime të Maqedonisë! I vetmi ministër shqiptar për Investime, konform 20-përqindshit të famshëm të përfaqësimit të shqiptarëve. Pesë ministra për investime, nga 20 gjithsejt, sa do jokonvencionale të duket, dëshmon për njëmendësinë e Qeverisë së Maqedonisë në çështje të investimeve. «Sipas raportit të fundit të ‹Doing buisiness› Maqedonia llogaritet si një ndër dhjetë vendet më miqësore për biznes në botë», afirmon Zeqiri.

Arlind Zeqiri, njëri ndër pesë ministrat për Investime në Qeverinë e Maqedonisë.
Arlind Zeqiri, njëri ndër pesë ministrat për Investime në Qeverinë e Maqedonisë.

Sipas ministrit, Maqedonia ka qenë vazhdimisht në kontakt me investitorë potencialë nga Zvicra. Këto negociata kishin humbur dinamikën e tyre për shkak të krizës politike mbi njëvjeçare në Maqedoni. Nga forumi i para dy viteve, spektrit të investitorëve zviceranë në Maqedoni, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit 2016 do t’i shtohen edhe dy ndërmarrje. Zeqiri nuk dëshiron të përmendë emra, ajo që ai mund ta thotë është se këto firma zvicerane veprojnë njëra «në fushën e elektroktrokomponentave, kurse tjetra prodhon sensorë të cilësisë shumë të lartë».

Dhe, këto kompani do të vendosen njëra në Zonën e Lirë Ekonomike të Shkupit, ndërsa tjetra do të pozicionohet në Maqedoninë perëndimore. Kjo normalisht domethënë që ajo do të ushtrojë aktivitetin e saj afarist në vendbanimet shqiptare. «Por, lokacionin po e diskutojmë ende», rrëfen ministri shqiptar i Investimeve. Motoja e Arlind Zeqirit kur e konfronton me pritjet që ka popullata shqiptare në Maqedoni nga ministrat shqiptarë, edhe për investimet e huaja, është: «Patriotizmi më i madh është të jesh profesionist i madh». Konkluzionet e Zeqirit nga debati në forum janë: Duhet akoma më shumë punë, «duhet të fokusohemi më shumë».

Esenca e referatit të Zeqirit është suksesi i investitorëve të deritanishëm. Ata i provojnë premtimet e Qeverisë me dyfishimin e investimeve në Maqedoni. Auditorit iu drejtuan me përvojat e tyre të investimit në Maqedoni Bojana Dimovska, menaxhere e firmës Rontis Corporations SA; Andrej Vckovski, drejtor i kompanisë Netcetera; Daniel Ruchti, drejtor i ndërmarrjes Ruchti AG; Jasminka Taleska, reprezentuese e Novartis në Maqedoni. Reprezentativ është rrëfimi i përfaqësuesit të Ruchtit. Ai nuk ka ankesa për trajtimin e investitorëve të huaj në Maqedoni. Sigurisht, sipas tij, përparon më mirë kur i ul paksa kriteret dhe je i vetëdijshëm se Maqedonia nuk është Zvicra…

Risia e këtij forumi të dytë në Zvicër për investimet në Maqedoni ishte ndoshta promovimi i platformës «Start-up Fund» të Sekretariatit Shtetëror për Ekonomi, SECO. Ajo është një tip kredie për projekte investimesh në Maqedoni, të cilën e prezantoi shefi i këtij projekti, Andreas Ragaz. Për të shijuar kredi nga ky fond, aplikanti duhet të jetë rezident në Zvicër, investimi të derdhet në sektorin privat, projekti duhet të jetë i aftë komercialisht, kredia të kthehet brenda pesë vitesh, vlera e kamatës qëndron ndërmjet 1,5 deri 4 për qind, kurse kredia jepet vetëm në franga. Shuma e saj shkon deri në 500’000 franga, e shumta 50 për qind të vlerës së përgjithshme të investimit.

Takimi përfundoi me slajdin përshëndetës, në formën: «Faleminderit! Hvala! Danke!»