Fshehtësitë e qiririt

Dritëro Agolli.



Qiriri ka vërtet diçka të fshehtë,
Diçka që s’mund ta marrësh thjesht me mend,
Qiriri derdh me dyllin lot të nxehtë
Dhe ti vështron tek tretet si një shenjt.

Sjell frymë e tij një mirësi mistike
Dhe qenien tënde ta pushton në çast.
Pastaj ti humb mbas ëndrrave biblike
Dhe kotësitë e jetës mbeten pas.

Të zbresin tok me dyllin nga shandani
Fytyra disi fshehur në ngujim.
Të shfaqen varg Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani
Të shfaqen lotët e të treturit Naim…

Dhe zbutesh krejt si shenjt që del nga hiri, –
Nga shkrumb i viteve që shkuan varg e varg, –
Ti s’flet dhe pret të flasë veç qiriri,
Siç pret një mendimtar që vjen nga larg.