Fshehtësitë e dialogut në Bruksel

Diplomati britanik Robert Cooper ka ndërmjetësuar në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Në një tekst autorial ai zbulon detaje nga procesi i negociatave. Ai shkruan se «parimi më i rëndësishëm mbi të cilin ishte zhvilluar dialogu ishte fakti se nuk e paragjykonte çështjen e njohjes», po ashtu Cooper mendon se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk duhet të jetë pikë qendrore as në të ardhmen. Sa i përket integrimit të serbëve të veriut Cooper thotë se filozofia e BE-së ishte kjo: «Ne nuk donim të ndryshonim mënyrën se si jetonin serbët në Kosovë».




Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që lansoi dialogun bënte thirrje që ai të promovonte bashkëpunimin, të afronte më shumë Serbinë dhe Kosovën me Bashkimin Evropian dhe të përmirësonte jetën e qytetarëve të rëndomtë. Këto fjalë kanë dalë kështu si po i them prej dy debatave të vështira në Këshillin për Siguri dhe Politikë të Bashkimit Europian, që në përgjithësi kishin zgjatur tetë orë. Ato ishin fjalët e fundit që ishin thënë të ideve më ambicioze ku nuk mund të arrihej marrëveshje në një BE, ku pesë shtete anëtare nuk e njihnin (nuk e njohin ende) Kosovën. Bashkimit Europian shpeshherë i duhet kohë e gjatë për të arritur ujdi; por kur pajtimi arrihet, rezultati është zakonisht i ndjeshëm. Atëherë negociata të vështira pasuan ndërmjet presidentit Tadiq dhe zonjës Ashton – gjithashtu zgjatën me orë të tëra. Në fund të krejt kësaj, u pajtuam që Serbia dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian do të sponsoronin bashkërisht draftin: «28 shtete evropiane», qysh ishte shprehur presidenti Tadiq. Kosova fatkeqësisht nuk mund të ishte bashkësponsore, meqë nuk ishte anëtare e OKB-së.

Ky mandat ishte mënyrë e drejtpërdrejtë dhe e përnjëmendtë për shpjegimin e asaj çfarë po bënim dhe pse po e bënim. «Bashkëpunimi…. për të përmirësuar jetën e qytetarëve të rëndomtë» reflekton atë që nganjëherë e quajnë «metodë evropiane» – më parë të kërkosh paqen nëpërmjet bashkëpunimit praktik se sa nëpërmjet retorikës të bujshme për vëllazërinë e njerëzimit – megjithëse edhe ne nganjëherë nuk i shpëtojmë dot kësaj joshjeje. Kjo është metodë e shpikur me Komunitetin e Qymyrit dhe Çelikut. Qëllimi i fundit «të afrojnë Serbinë dhe Kosovën më afër BE-së» është në thelb punë e zgjerimit: premtimi i Selanikut që një ditë do të realizohet prej BE-së.

Dialogu ishte ndarë në dy pjesë: e para, në nivel zyrtar, kishte për qëllim të merrej me çështje praktike. Nganjëherë i referohej si «dialog teknik» prej njerëzve që dëshironin të theksonin se cështjet e diskutuara nuk ishin politike. Kjo s’kishte kurrfarë kuptimi. Të gjitha çështjet kanë aspekte politike dhe teknike njashtu. Sidoqoftë, nganjëherë është e dobishme të fokusohsh në aspektin teknik dhe të pretendosh se nuk ka kurrfarë lidhjeje me politikën. Në fakt, edhe çështjet që në jetën e përditshme do të mund të konsideroheshin teknike, ta zëmë si puna e vulave të doganave të Kosovës, ishte arritur (ose bllokuar) në nivelet më të larta politike. Pjesa e dytë e dialogut – marrë përsipër drejtpërdrejt prej zonjës Ashton me kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës – ishte pa asnjë fije dyshimi edhe më politike; por kështu duhej thënë sepse çështjet me të cilat po merreshim qenë eksplozive në aspektin e brendshëm të funksionimit.

Parimi më i rëndësishëm mbi të cilin ishte zhvilluar dialogu ishte fakti se nuk e paragjykonte çështjen e njohjes. Edhe Serbia, edhe Kosova, ishin të obsesionuara pas kësaj cështjeje. Ne besonim se ishte çështje e ndjeshme që ta linim anash. Ka shumë shembuj të shteteve që në njëfarë forme nuk e njohin njëra-tjetrën, por prapëseprapë gjejnë mënyrë të bashkekzistencës dhe bashkëpunimit. Rasti më i theksuar është ai i ish-Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Gjermania Perëndimore kurrë nuk e kishte njohur si shtet Gjermaninë Lindore, dhe gjithnjë ngulmonte se, sikur edhe në kushtetutën e saj, Gjermania ishte një shtet i vetëm. Kjo nuk e kishte ndalur marrëveshjen e mirë të bashkëpunimit, përfshirë në një pikë një vizitë shtetërore të Eric Honneckerit. Ose, që të marrim edhe një shembull, në kohën kur Britania dhe Republika e Irlandës iu bashkuan BE-së, kushtetuta irlandeze pretendonte se ishte kushtetutë e gjithë ishullit të Irlandës – e asaj të Veriut dhe të Jugut njëherësh. Kjo nuk pengoi Britaninë dhe Irlandën që t’i bashkoheshin BE-së, dhe në fakt marrëdhëniet e tyre të reja si bashkanëtare të BE-së përmirësuan atmosferën ndëmrjet tyre dhe ofruan pjesë të kontekstit për Marrëveshjen e të Premtes së Mirë.

Ka njerëz në BE që thonë se Serbia duhet ta njohë Kosovën para se të bëhet anëtare. Unë personalisht mendoj se është e vështirë që një trup me pesë shtete anëtare të të cilit nuk e njohin Kosovën, mund të ngulmojnë se Serbia duhet të veprojë kështu; por sipas mendimit tim, në çfarëdo rasti kjo nuk duhet të jetë pika qendrore. Çfarë ka rëndësi është që Serbia të ketë marrëdhënie normale dhe të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë Kosovën. Ky është një test larg më i rëndësishëm – një që është i mirë për realitetin e përditshëm, që nuk është punë e marrëveshjeve të minutës së fundit – dhe ende duhet kohë që gjërat të shkojnë në drejtimin plotësisht të duhur për të dy palët.

Një prej kritikave të dialogut ka qenë se në praktikë ai ndryshoi titullin. Ta zëmë, kemi kaluar kohë të gjatë për të arritur marrëveshje për aranzhimet që mallrat dhe njerëzit të kalojnë kufirin/vijën administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës; por realiteti është se bandat kriminale efikase të Ballkanit – një model ironik i bashkëpunimit ndëretnik për kalimin e kufirit – po trafikonin mallra përtej kufirit shumë kohë para se të arrihej marrëveshje në dialog. Por këtu shumëkush e huq: një element kyc i filozofisë tonë ishte se detyra nuk kishte të bënte me ndryshimin e realitetit, por në vend të kësaj të ndryshonim realitetin nëpërmjet sundimit të rendit e ligjit.

Kjo ishte gjithashtu filozofia edhe kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës në pjesën politike të dialogut. Ne nuk donim të ndryshonim mënyrën se si jetonin serbët në Kosovë: na dukej e arsyeshme që policia dhe gjykatat në veri të përbëhehsin kryesisht prej serbëve etnikë. Por ata duhet të operonin sipas ligjit të vendit – në këtë rast Kosovës (dhe ligji duhej të ishte në përputhje dhe plotëni me standardet evropiane). Nuk është e pranueshme që serbët të operojnë nëpërmjet fondeve sekrete nga qeveria në Beograd. Është gjithashtu e drejtë që serbët në Kosovë duhet të kenë fjalën e tyre në punët e tyre dhe në punët e shtetit të Kosovës; kështu që pikëpamjet e tyre janë të njohura dhe merren parasysh. Kjo nuk do të thotë se ata kanë të drejtën e vetos: megjithëse mbrojtjet europiane normale për minoritete duhet të mbikëqyren për së afërmi. E gjithë kjo duhet të bëhet hapur dhe në pajtim me ligjin.

Në fund, dialogu, si gjithçka tjetër në marrëdhëniet e Serbisë me BE-në është për punë të zgjerimit. Kjo është punë shumë serioze për ne. BE-ja është bashkësi e ligjit dhe nuk mund të pranojmë anëtarë të rinj derisa sistemet e tyre të drejtësisë nuk i arrijnë standardet e larta – dhe sa më e gjerë që bëhet BE-ja, po aq më të rëndësishme bëhen këto standarde.

Nuk janë krejt të përsosura vendet anëtare të BE-së, por dallimi ndërmjet Europës së BE-së dhe Europës së OSBE-së është se në BE kur arrihet një marrëveshje ajo zbatohet. Në OSBE (duket) marrëveshjet janë vetëm fazë tjetër në procesin negociues që kurrë nuk mbaron. Qysh edhe ka ndodhur, në dialog ne kishim – dhe ende kemi – një numër marrëveshjesh që nuk janë zbatuar. Çfarë të mire ka kjo punë? Vetëm e bën palën e shqetësuar të duket jokompetente dhe të pabesueshme: asnjëra prej këtyre nuk e bën atraktiv një anëtar të ri. Nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet shpejt BE-së, gjëja më e mirë që mund të bëjë është të negociojë seriozisht, dhe pastaj menjëherë të zbatojë marrëveshjet. Kjo do të befasonte dhe mahniste të gjitha shtetet anëtare. Asgjë tjetër nuk do të ishte më e mirë për reputacionin e Serbisë dhe të rajonit të saj.

Dialogu kurrë nuk është zhvilluar vetëm për shkak të Serbisë. Është zhvilluar edhe që Kosova të mësohet të veprojë si shtet i pjekur. Kjo nënkupton kushtimin e rëndësisë më të madhe mirëqenies së popullit, se sa simboleve të shtetit. Nëse Kosova dëshiron të bindë botën se pavarësia e saj ishte e justifikueshme, atëherë duhet bëjë model trajtimin e serbëve të Kosovës se si mund të jetojnë bashkërisht komunitetet etnike. Njëditë, kjo do të mund ta mahniste edhe Serbinë.

 

(Autori i këtij shkrimi është Sir Robert Francis Cooper, diplomat dhe këshilltar britanik, që së fundi po i shërben si këshilltar special Komisionit Evropian. Pas themelimit zyrtar të EEAS-it, shërbimit të jashtëm të BE-së, në dhjetor të vitit 2010, Cooper ishte konsulent i EEAS-it. Është autor i librit «The Breaking of Nations: Order and Chaos in the Twwenty-First Century»). Ky shkrim u botua në: www.europeanwesternbalkans.com.