Fshatrat e Potemkinit në televizionet publike të Ballkanit

Një raport i Fondacionit gjerman «Konrad Adenauer», i cili është i afërt me partinë e kancelares Angela Merkel, përshkruan frustrimin e qytetarëve me televizionet publike, të cilat i shërbejnë propagandës së pushtetit. Në një raport të një gazete gjermane thuhet se në mesin e udhëheqësve autoritarë të Ballkanit Perëndimor kryeministri i Shqipërisë Edi Rama më së miri po arrin ta shesë sapunin për djathë.




Gjatë fundjavës qindra demonstrues në Beograd u futën në ndërtesën e televizionit publik të Serbisë RTS për të kërkuar informim objektiv dhe të paanshëm. RTS është komplet në shërbim të pushtetit të Aleksandër Vuçiqit, madje nuk ka më dallim me RTS-in e viteve ’90 që e lavdëronte pandërprerë Sllobodan Millosheviqin. Protestuesit në Serbi po kërkojnë dorëheqjen e drejtorit gjeneral të RTS-së, Dragan Bujosheviq, dhe kryeredaktorit të lajmeve, Nenad Lj. Stefanoviq. Bujosheviq dhe Stefanoviq dikur kanë qenë gazetarë solidë, ndërkohë janë vënë në shërbim të pushtetit – një fenomen jo aq i panjohur në Ballkan, ku gazetarët shiten e blihen varësisht nga nevojat e pushtetarëve dhe një numër i vogël i gazetarëve, të cilët duan të mbrojnë dinjitetin profesional, atakohen nga zagarët publicistikë të regjimeve përkatëse. Pas protestave të fundjavës presidenti serb Vuçiq ka deklaruar se është i gatshëm të hapë temën e RTS-së – domethënë presidenti i vendit sillet hapur si pronar dhe kryeredaktor i vërtetë i televizionit publik, të cilin e paguajnë qytetarët. Në raportin e Fondacionit gjerman «Konrad Adenauer», i cili është i afërt me partinë e kancelares Angela Merkel, mbi gjendjen e mediave publike në Ballkan theksohet se shumë qytetarë nuk e ndiejnë veten të informuar si duhet nga televizionet publike.

Sa i përket Shqipërisë: në raport thuhet se muajve të fundit kanë protestuar studentët për shkak të tarifave të larta dhe gjendjes së mjerë në konvikte. Pakënaqësi po shkaktojnë edhe projekte të ndryshme ndërtimore të qeverisë, mes tyre autostrada e re e Tiranës. Gazeta gjermane «Fankfurter Allgemeine Zeitung» citon në numrin e së martës historianin Oliver Jens Schmitt, i cili thotë se kryeministri Edi Rama ka arritur që përmes kontrollit pothuaj të gjithanshëm t’ua mbyllë gojën mediave. «Në mesin e udhëheqësve autoritarë të Ballkanit Perëndimor kryeministri shqiptar Edi Rama po ia del më së miri që opinionit perëndimor t’i prezantojë fshatra të Potemkinit. Ai ende shfaqet si artist alternativ, si intelektual, i cili krahas kësaj qeveris edhe një vend të Ballkanit». Prezantimi i fshatrave të Potemkinit në shqip mund të përkthehet si shitje e sapunit për djathë ose kosovarçe: dushk për gogla. Raporti i fondacionit gjerman nuk merret me televizionin publik shqiptar – me gjasë për shkak se në Shqipëri nuk është aq i rëndësishëm sa janë televizionet publike në vendet e tjera të Ballkanit.

Në Mal të Zi mijëra qytetarë javëve të fundit kanë kërkuar jo vetëm dorëheqjen e presidentit Millo Gjukanoviq, por edhe largimin e udhëheqjes së televizionit publik, i cili, sipas një organizatori të protestave, «nuk është më televizion publik, por televizion për propagandë partiake. Qe 30 vjet televizioni publik dezinformon, shkakton tensione dhe përçan shoqërinë në vend se të informojë, të edukojë dhe të bashkojë». Në raport kritikohet edhe qeveria kroate për ndikim në televizionin publik.

Fakti se televizionet publike në Ballkan janë shndërruar në instrumente të propagandës së pushtetit, tregon se shumë programe të BE-së, OSBE-së dhe fondacioneve të ndryshme perëndimore nuk kanë sjellë shumë sukses. Një shembull i keq i propagandës partiake është edhe televizioni i Kosovës RTK, i themeluar nga OSBE dhe i mbështetur me shumë para nga Perëndimi.