«Fshati sekret» i Serbisë në një kodër matanë Mitrovicës

Sekreti që rrethon një vendbanim të sapo ndërtuar në Kosovën veriore nxjerr në pah problemet me të cilat përballen serbët që janë kthyer në Kosovë pas luftës, dhe se si ata kanë nevojë për siguri, vende pune dhe shtëpi. Një udhëtim nëpër vendbanime të serbëve në Kosovë.

Pritet të bëhet realitet: Projekti Lugina e Diellit.

Në kodrën e vogël të Zveçanit, me pamje nga qyteti i Mitrovicës në veri të Kosovës, i mbrojtur nga një gardh me tela me gjemba dhe i mbështjellë nga një mantel i sekretit, po bëhet një vendbanim i quajtur Lugina e Diellit. Lugina e Diellit filloi në maj të vitit 2016 si një ndërmarrje e përbashkët e qeverisë serbe dhe kishës ortodokse si një strehë e ardhshme për serbët e Kosovës të cilët që nga lufta në vitin 1999 nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre në jug të lumit Ibër që ndan Mitrovicën mes serbëve dhe shqiptarëve.

Ajo ka për qëllim të jetë një komunitet i ri në një pjesë të izoluar, që më parë ishte një vend i pavlerë, edhe pse qeveria serbe nuk është treguar e gatshme për të zbuluar ndonjë hollësi rreth ndërtimit të saj, ose se kush mund të jetojë atje në të ardhmen. BIRN kërkoi një sërë qasjesh te zyrtarët në zyrën e qeverisë serbe për Kosovën për informacion në lidhje me Luginën e Diellit, por edhe pasi fillimisht ranë dakord të përgjigjen, ata nuk e bënë këtë.

Një vendbanim «më afër Perëndisë»

«Nuk e di se e kujt ishte kjo ide e mrekullueshme që ta vendoste këtë projekt në majë të malit», thotë Marko, një shofer taksie, ndërsa shkonim në Rrugën e Minatorëve, një emër që ka jehonë në kompleksin të minierës së Trepçës në Mitrovicë. «Ndoshta ata donin që banorët e ardhur të jenë më pranë Perëndisë. Gjithsesi, ne pothuajse kemi harruar se ekziston. Ata kanë ndërtuar rrugën, por unë mendoj se kjo është e gjitha që ata kanë bërë». Marko është i zhgënjyer dhe dyshues ndaj të gjitha llojeve të gjërave, duke përfshirë edhe motivet e mia. Pas mbërritjes, një gardh i gjatë me tela gjemborë dhe një shenjë e vdekjes që paralajmëronte tension të lartë e shqetësuan atë më tepër. Ai nuk dëshironte probleme, dhe preferonte të paguhej dhe të largohej menjëherë.

Është herët në mëngjes dhe kujdestari nuk shihet askund, por Marko ngurron të presë. Ramë dakord që ai të qëndrojë për 10 minuta. Brenda vendbanimit janë vendosur trotuaret dhe rrugët kryesore, me shtylla elektrike, por jo shumë ndërtime janë të dukshme, përveç pesë apo gjashtë ndërtesave të mesme, asnjëra prej të cilave nuk është e përfunduar. Sipas zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, këtu duhet të ndërtohen rreth 220 banesa. Projekti përfshin një çerdhe, qendër tregtare, klub shoqëror, ambulantë dhe objekte sportive. Por jo shumë punë është duke u bërë.

Kamionët e parkuar dhe makineritë e rënda duket se kanë qenë të palëvizshme për një periudhë të gjatë dhe vetëm zhurma e çekiçëve të marangozëve tregon se një çati po ndërtohet në një ndërtesë më të madhe në të djathtë të rrugës kryesore. Në rrugën atje, disa qindra metra poshtë, ecja jonë është ndërprerë nga shoferi i një Renault Clio të zezë.

«Çfarë po bën këtu?», pyet një i ri me një qëndrim të rëndë përmes dritares së hapur të makinës. «A e dini se është e ndaluar të hyni këtu? Kjo është pronë e Kishës Ortodokse Serbe, a keni parë shenjën?» Por këto pyetje janë gjithnjë të natyrës retorike. Ai nuk pret përgjigje, as nuk është në gjendje të flasë për lejet e ndërtimit, afatin kohor për përfundimin e projektit, apo ndonjë gjë tjetër për këtë çështje. Para kohe, ne jemi përsëri në portën e përparme, dhe shpejt kthehem në taksinë e Markos. Ai është i kënaqur që unë dola jashtë. I përshtatet profilit të tij të një spiuni. Në rrugën tonë prapa, ai më tregon vendbanimin e Kroit të Vitakut, e ndërtuar për familjet e kthyera shqiptare. Ndërtimi i saj nxiti një protestë në komunitetin serb pasi u interpretua si një kolonizim i shumicës serbe në veri të Kosovës nga shqiptarët. Ajo gjithashtu nuk duket shumë e gjallë, ose e mbaruar për këtë çështje.

«Një produkt i realitetit të Kosovës»

«Përkundër kritikave të drejtuara në projektin e Luginës së Diellit në takimin [e fundit] me ambasadorët e vendeve të Kuintit [një grup joformal vendimmarrës që përfshin SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë, unë personalisht e mbështes atë», tha për BIRN, Dalibor Jevtiq, Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës. Jevtiq e përshkroi atë si «produkt të realitetit të Kosovës«». «Lugina e Diellit është rezultat i pamundësisë së serbëve të kthehen në Prishtinë, Gjakovë, Mushtisht dhe qytete të tjera. Nëse kjo do të ishte ndryshe, ne nuk do të duhej të mendonim për zgjidhje si kjo», tha ai. Sipas Ministrisë së Kosovës për Komunitete dhe Kthim, rreth 240 mijë serbë u larguan nga shtëpitë e tyre pas luftës së Kosovës dhe vetëm 10 për qind e tyre janë kthyer deri tani. Këtë vit, 343 persona u kthyen, pothuajse 50 për qind më pak se në vitin 2016.

Strategjia e qeverisë së Kosovës është të sigurojë kushtet e duhura për kthim për të gjithë ata që duan të kthehen, duke trajtuar çështjet kyçe si prona që janë marrë nga të tjerët derisa pronarët e tyre nuk kanë qenë aty, por gjithashtu duke ofruar mbështetje socio-ekonomike për të siguruar kthim të qëndrueshëm. «Ne kemi koordinim me qeverinë serbe në mënyrë që të sigurojmë që projektet tona të mos bllokohen», thotë Urosh Staletoviq, zëdhënës në Ministrinë e Kosovës për Komunitete dhe Kthim.

Ka disa histori suksesi, njëra prej tyre në komunën e Istogut në zonën lindore të Pejës, në të cilën 17 familje janë kthyer vetëm këtë vit. Atje takova Vesna Mallikoviqin, person përgjegjës i zyrës lokale për kthim. «Nuk ka qenë e lehtë, por ne po përparojmë», thotë Mallikoviq. «Megjithatë, nuk është e mjaftueshme që të ndërtohen shtëpi dhe të pritet që njerëzit të kthehen, ata duhet të rindërtojnë jetën e tyre, pak e nga pak. Është sikur të bësh bashkë një mozaik, dhe kjo kërkon kohë para se i gjithë imazhi të shfaqet nga pjesët e ndara», shpjegon ajo.

Majin e kaluar, Milijana Mallikoviq dhe bashkëshorti i saj Ranko u kthyen në shtëpinë e tyre të re në fshatin Dragolevc, e cila është ndërtuar pranë shtëpisë së vjetër, e cila pothuajse u shkatërrua plotësisht në vitin 2000. Vetëm themelet dhe shtyllat kryesore janë ende atje. Para se të fillonte puna ndërtimore, tonelata të mbeturinave duhej të zhvendoseshin, në mënyrë që të nivelizohej terreni. «Me fqinjët shqiptarë ne vetëm shkëmbejmë përshëndetje kur kalojmë pranë njëri-tjetrit», thotë Malikoviq. «Ata nuk vijnë në shtëpitë tona dhe ne nuk shkojmë në shtëpitë e tyre. Por fëmijët janë kaq të ëmbël, ata pyesin: <A jeni lodhur?> Kjo është e gjitha e re për mua», thotë Mallikoviq me buzëqeshje. «Unë ju kam premtuar atyre se do të jenë përsëri familja më e madhe këtu në Dragolevc, siç ishin dikur», thotë Mallikoviq për ne të dy, me një përpjekje të qartë për t’u siguruar që çdo fjalë që ajo thotë ka një ton inkurajues dhe të ngritur. «Si nuk mund t’i përkrahni ata kur shihni një vullnet të tillë [për të pasur sukses]?». Një nga projektet që mbështet Mallikoviq është i ashtuquajturi «mjalti multietnik», një iniciativë e bërë nga Këshilli Danez për Refugjatët, i cili u siguroi të kthyerve koshere bletësh.

Korrjet pritet të bëhen vitin e ardhshëm, kështu që për momentin, duke e bërë ajvarin dhe duke e shitur atë në Beograd, Millkoviq kontribuon në buxhetin e familjes. «Kur u kthyem ne nuk kishim tenxhere apo ndonjë gjë tjetër, por organizuam veten dhe shitëm çdo kavanoz që bënim», kujton ajo. Ajo dhe bashkëshorti i saj donin të ktheheshin në vitin 2006 dhe të qëndronin në tenda, por ishte shumë e vështirë për ta, kështu që pritën disa vjet. Së fundi, kur u kthyen në shtëpinë e re majin e kaluar, pjesa tjetër e pronës së tyre dukej si një skutë.

«Të gjitha pemët ishin prerë dhe madje edhe puset ishin të mbushura me mbeturina. E gjithë rruga në rrugën kryesore për në shtëpinë tonë ka qenë me pemë të mëdha arre, të gjitha janë zhdukur tani, por ne do t’i mbjellim përsëri. Ju nuk mund ta shihni shtëpinë në rrënoja dhe plehra të tjera që ishin grumbulluar. Pra, kjo ishte gjëja e parë që duhej bërë. Ne morëm 40 kamionë», thotë ajo.

Mallikoviq tha se atyre së pari iu ofrua një shtëpi në një vendbanim të ri në Osojan, por ajo dhe bashkëshorti i saj e refuzuan atë. «Ne nuk mund të jetonim atje, nuk është fshati im, nuk është vendi im, shtëpia është shtëpi, atje do të ndjehesha sikur po jetoja në shtëpinë e dikujt tjetër», shpjegoi ajo. Por tani, pas shumë vitesh të kaluara në periferi të Beogradit, ekziston një problem tjetër, fëmijët e tyre tani janë mësuar duke jetuar dhe duke punuar në kryeqytetin serb. «Unë mendoj se edhe fëmijët do të kthehen kur të shohin se jemi vendosur këtu përsëri. Shpresoj dhe lutemi që një ditë do të vijnë», tha ajo.

«Puna është e vetmja mënyrë për të mbijetuar»

Sot është festa e shenjtorit në shtëpinë e Belit dhe Natasha Zuviq, e para në shtëpinë e tyre të re që nga viti 2000, kur ata ikën nga fshati i tyre. Tryeza është e mbushur me ushqim, me një qiri në mes dhe ne jemi të mirëpritur për t’u bashkuar në festë. Nuk ka asnjë shans për të shmangur një gllënjkë të rakisë së kumbullës. Është e detyrueshme. «Puna është e vetmja mënyrë për të mbijetuar», thotë Sllavko Nikoliq, i ulur në krye të tryezës. Ai dhe gruaja e tij janë familja e vetme serbe që kanë ardhur për të jetuar në qytetin e Istogut.

Ashtu si shumica e njerëzve pa një punë në një institucion shtetëror, ata po bëjnë një jetesë nga bujqësia, nga rritja e patateve dhe shalqinjve. Problemi është se si të shesin prodhimet e tyre, megjithatë, kështu Sllavko e bën rakinë nga çdo gjë që ai rritë dhe e ruan atë derisa të gjejë një mënyrë për ta shitur atë. Natasha është e shpejtë dhe mban një buzëqeshje të vazhdueshme në fytyrën e saj. Ajo është e gëzuar që është kthyer përsëri në shtëpinë e saj. Burri i saj Beli gjithashtu buzëqesh gjithë kohën. Papritur ai thotë, duke iu drejtuar vetes dhe të tjerëve: «Ditën tjetër, duke qëndruar në pragun e shtëpisë, u ktheva dhe pashë majat e Bjeshkëve të Nemuna. Nuk e kisha ditur që ne mund ta shihnim nga këtu». Beli dhe Natasha na ftojnë t’i vizitojmë përsëri vitin e ardhshëm, kur oborri i tyre të jetë i pastruar nga të gjitha shkurret e vogla të mbeturinave me bimësi, dhe derisa po largoheshim nga Osojani, premtuam se do ta bëjmë këtë.

Në Osojan, fshati më i madh në komunën e Istogut, serbët filluan të kthehen shumë kohë më parë, në vitin 2001. Mallikoviq tregon qendrën rinore të re të fshatit. Pas saj ka një pishinë. Por traktori i parkuar në hyrje e bën atë të vrerët, pasi qëllimi i saj ishte të bënte që të rinjtë të dilnin në këtë vend. Ai i takon njërit prej njerëzve të moshës së mesme që po pinte birrë në një qoshe.

«Për të rinjtë më parë, ishte e vështirë», thotë Marko Ostojiq, i cili e menaxhon këtë vend. «Ne ose duhet të shkonim në Mitrovicë, që është 60 kilometra nga këtu, ose në Graçanicë ose në Serbi, kështu që shpresojmë që kjo qendër do ta ndryshojë atë». Marko ishte 21 vjeç kur u kthye në Osojan me prindërit e tij në vitin 2006. Ishte më e vështirë atëherë, kujton ai, pasi kishte shumë mosbesim. «Tani gjërat po duken më mirë, kam qenë kohët e fundit në Prishtinë, në klubet e natës me miqtë e mi shqiptarë», thotë ai. «Ishte me të vërtetë e mrekullueshme».

«Paqja është gjëja më e rëndësishme»

Disa serbë të Kosovës janë kthyer në shtëpitë e tyre pa asnjë mbështetje nga autoritetet. Ndërsa shkojmë drejt fshatit të tij Suhogërllë, në rajonin e Drenicës, Dine Tomasheviq shpjegon se si jeta e tij ndryshoi në shkurt të vitit 2000, kur autobusi në të cilin ishte ai u godit nga një granatahedhës. «Kjo ndodhi pikërisht në këtë kthesë, ku duhet të ngadalësohet, e shihni. Isha ulur pranë dritares dhe autobusi ishte plot me njerëz», thotë ai ndërsa kalojmë fshatin Vitak. «Ishte një shpërthim, dhe në çast e gjithë kabina ishte e mbushur me tym. Nuk mund të shihnit asgjë, kështu që në momentin e parë nuk e kuptova që unë u godita, por pastaj e ngrita krahun dhe pashë që dora ime ishte e copëtuar». Pastaj ai shikoi poshtë dhe pa gjak që po dilte nga këmbët e tij, ndërsa e njëjta predhë që e goditi, vrau një burrë në ulësen tjetër. «Dikush më dha një lidhëse të këpucëve dhe unë vetë e lidha këmbën», kujton ai.

Ai u dërgua në spitalin e Mitrovicës nga një njësi franceze nga forca e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai humbi gishtin e tij tregues, gishtin e mesëm dhe një pjesë të konsiderueshme të kofshës së sipërme. U deshën vite që ai të shërohet, aftësia e tij për të punuar është zvogëluar, por vullneti i tij dhe vendosmëria e tij mbetet e fortë. Tani punon në shkollën fillore në Suhogërllë si kontabilist. «Edhe unë u martova», thotë ai me krenari, me një entuziazëm të përulur për jetën. Në shtëpinë e tij familjare, të cilën ai e ndan me babanë, vëllain dhe bashkëshorten, gruaja e tij e re Millena po mban djalin e tyre të mitur, Vasilije. Dine i ndërtoi atij një shportë basketbolli nga metali. Jeta këtu është modeste, por e mirë, thotë ai. Problemi është se fshati shpesh nuk ka ujë të pijshëm gjatë muajve të verës.

Ai do të donte të kishte një shtëpi të veten, por pa ndihmë, ajo ende është vetëm një ëndërr. «Kur ju ktheheni vetë, qeveria mendon se ju keni gjithçka, por nuk është kështu. Ne gjithashtu mund të marrim mbështetje, pasi këto janë larg kushteve të zakonshme në të cilat jetojmë», thotë ai. Babai i tij i moshuar Milloradi krijon pesëdhjetë instrumente të thjeshta tradicionale frymore. Më të mirat janë nga druri i kumbullave, dëllinjave apo frashrit, thotë ai. Ai madje e ka ndërtuar një të tillë në shkopin e tij të ecjes. Njerëzit në fshat kanë pasur më shumë kafshë shtëpiake, thotë Milloradi, por ka pasur shumë vjedhje. «Ishte luftë, dhe ndodhnin gjëra të këqija», thotë ai. Milloradi ka jetuar këtu pothuajse gjithë jetën dhe ka jetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe në konfliktin e viteve 1990 në Kosovë dhe fjalët e tij të thjeshta vijnë nga përvoja e hidhur. «Jeta është e çmuar për të gjithë. Madje edhe milingonat e mbajnë atë të dashur. Kështu që paqja është gjëja më e rëndësishme. Çdo udhëheqës i shtetit duhet ta ketë këtë në mendje».
(BIRN)