Fshati që ende e konsideron hero Gorbaçovin

Ende shumë rusë vajtojnë prishjen e Bashkimit Sovjetik 25 vjet më parë. Por në fshatin e lindjes të Mihail Gorbaçovit janë disa njerëz që gjejnë fjalë pozitive për liderin e fundit të Bashkimit Sovjetik, i cili i dha fund «perandorisë së kuqe» dhe u bë hero në Perëndim.




Shtresa e hollë e dëborës dhe heshtja dominojnë në fshatin pitoresk Privolnoje, që është larg prej zemrës së pushtetit të fuqishëm. Por ky fshat i thellë është vendlindja e Mihail Gorbaçovit, liderit të fundit të Bashkimit Sovjetik. 25 vite pas rënies së kësaj perandorie, trashëgimia politike e tij vazhdon të jetë temë e nxehtë. «Atë vend e ka mbuluar turpi pse e lindi atë burrë», thekson me zemërim një taksist kur i tregohet se ku po shkon ekipi i BBC-së. Si shumë rusë, Andrej e fajëson Gorbaçovin për rënien e Bashkimit Sovjetik.

Por në Privolnoje, njerëzit ende thonë fjalë të ëmbla e të zgjedhura për burrin që adhurohet anembanë Perëndimit që i dha fund Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje. Takohem me Raisa Kopejkinan që po e hiqte dëborën para shtëpisë së saj me gurë. Ajo jeton në rrugën ku ndodhet shkolla, ku dikur mësimet i ndiqte bashkë me Mihail Gorbaçovin. Raisa pastaj po ligjëronte kiminë, derisa i biri i çiftit që merrej me bujqësi, që e njihte si Misha, u ngjit në majat e Partisë Komuniste.

«Ai ishte një djalosh i thjeshtë, i hapur nga një fshat i rëndomtë dhe u ngrit në sekretar të përgjithshëm para syve tanë», kujton me entuziazëm Raisa, me tavolinën të mbushur me fotografi të rinisë. «Ai ishte djalë i mençur dhe ne ishim krenarë që kishim jetuar dhe punuar me të», thekson ajo. Raisa kujton ditën e 25 dhjetorit e shqetësuar teksa po shikonte shokun e klasës që po jepte dorëheqje në televizor. Bashkimi Sovjetik ishte shkatërruar edhe zyrtarisht atë ditë. Ende ka kujtime të kohëve të vjetra në Privolnoje.

Lenini prej guri, që është rimëkëmbur së fundi, qëndron krenar para Pallatit të Kulturës. Por tani është edhe një kishë ortodokse afër tij, financuar pjesërisht prej burrit që dikur kishte kryesuar një shtet ateist. Brenda është ikona e Zonjës Tonë të Kazanit, e cila gjithashtu është dhuruar prej Mihail Gorbaçovit. «Më pagëzuan tinëz, askush nuk e dinte», rrëfen kujdestari i kishës, Viktor Kudrin, para se të tregojë si ndryshuan gjërat.

«Arsyeja pse tani prifti nuk ndodhet këtu është se së fundi është ndërtuar një kishë e re në fshatin ngjitur dhe një tjetër në fshatin pas tij», thekson Kudrini. «Ka kërkesë të madhe për klerikë dhe ne nuk mund t’i përgatisim shumë shpejt». Brenda Pallatit të Kulturës, disa prej fshatarëve pleq janë të lumtur që tani mund të luten lirisht. Një plakë rrëfen se si një turist amerikan kishte sjellë për herë të parë Bibla në fshat. Shumica prej pleqve thonë se kishin aprovuar reformat ekonomike që i kishte nisur Mihail Gorbaçovi, sepse ua mundësonin bujqve të ishin më produktivë dhe të fitonin më shumë.

Por kur vjen puna te rënia e Bashkimit Sovjetik, edhe Privolnoje besnike ka hamendje. «Afërmendsh se Mihail Gorbaçovi bëri shumë për fshatin tonë», më thotë një burrë, teksa pi çaj dhe ha pite të gatuar në shtëpi. «Por kur vjen puna te Bashkimi Sovjetik, jemi të zhgënjyer pse u prish». Në shtëpinë tjetër, burri më i famshëm i fshatit ka zënë vendin e nderit në një muze të vogël. Një përshkrim poshtë fotografive të Mihail Gorbaçovit njofton se ai ishte lideri i parë të cilit rusët mund t’i thoshin hapur «jo».

«Më nuk konsiderohej krim të menduarit ndryshe», thuhet më tutje në njoftim, dhe bëhet e ditur edhe vendimi i atëhershëm për rehabilitimin e të burgosurve politikë. Por shkundja e madhe që nisi nën drejtimin e Mihail Gorbaçovit dridhi në fakt themelet e Bashkimit Sovjetik dhe një numër në rritje rusësh janë penduar për këtë. Një anketë e kryer këtë muaj prej qendrës së pavarur «Levada» ka treguar se 56 për qind e rusëve e konsiderojnë gabim prishjen e BRSS-së. Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, ka deklaruar në fillim të javës se kreu i Kremlinit ende e konsideron «katastrofë» prishjen e Bashkimit Sovjetik.

Ishte fundi i një superfuqie dhe rusët prej atëherë e kanë pasur të zorshme ta pranojnë humbjen e atij statusi. «Gjermania tani është e bashkuar, por vendi ynë u bë pikë e pesë», më ka thënë pensionisti Nikolai. «Ky është gabim i liderëve tanë. Ata mund ta kishin shpëtuar».