Fshati i Ali Ahmetit

Vera për shqiptarët nuk është stinë, por festë. Tre muaj festë! Sidomos për mërgimtarët. Ata kanë filluar dyndjen në vendlindje dhe për disa javë qëndrimi atje kanë njëqind pika të rendit të ditës: dasmë, dasmë…, njëqind herë dasmë. Dhe, dasmat te shqiptarët, sidomos te ata në Maqedoni, nuk janë më si më parë – simpatike, modeste, në oborrin e shtëpisë, një mbrëmje, një orkestër, muzikë shqiptare, me njerëzit më të afërm dhe shoqërinë, pa salltanet. Ato janë shndërruar në koncerte të mirëfillta, nganjëherë në festivale që zgjasin me javë, me disa orkestra, me repertor «multikulturor», me mbi treqind mysafirë, në lokal dhe në shtëpi, në disa lokale, te shtëpia e dhëndrit dhe te e nuses, një herë vetëm për gratë, një herë vetëm për burrat, një herë tjetër bashkë, në mëngjes e në darkë… Festë për martesë, festë për fejesë, festë për syneti. Secilën herë me muzikë «live». Atë që përbënte dikur matura, sot përbën semimatura. Kurse këtë të fundit e ka zëvendësuar çerekmatura, festa pas mbarimit të klasës së katërt! Festa e maturës tani i shëmbëllen ceremonisë së ndarjes së çmimit Oscar. Shtoju këtyre edhe absolventiadën… Ndërkohë që ka rënë edukimi dhe mësimi, kështu gjithsesi ankohen vetë mësuesit.

Këto festa janë të lidhura me shpenzime marramendëse – banketi është vetëm maja e Eisbergut. Euforia vetëshkatërruese ka hyrë edhe në raportet ndërkombëtare mbi shqiptarët në Maqedoni. Ajo i merr disa rreshta një studimi mbi ekonominë politike të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni nga European Stability Iniciative, të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës. Studimi ka mbi dhjetë vjet që ka dalë dhe ngel po kaq aktual, si atëbotë; për shkak të titullit intrigues: «Fshati i Ali Ahmetit», me siguri e kanë lexuar shumë njerëz të kënduar. Dokumenti është një e ashtuquajtur «Case Study», që i referohet Zajazit dhe Kërçovës, por reprezentativ për gjithë shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Sigurisht që këto investime krijojnë një dinamikë në jetën shoqërore, e rrisin konsumin në pak sektorë, siç janë artizanati dhe gastronomia. Mirëpo, varfëria ngel e njëjtë, nëse nuk rritet më shumë. Sepse këto festa paraqesin edhe sfilata të prestigjit të shtëpive në kuptimin sa më e madhe dasma, aq më i shquar oxhaku. Dhe, në këtë log askush nuk dëshiron të ngelë mbrapa; për t’u vardisur të kamurve në këtë revistë disa ngrenë kredi në banka, e disa shkruhen te fajdexhinjtë, të cilët po përjetojnë një koniunkturë, duke u thelluar kontrastet dhe duke u zhytur në një vorbull që gjeneron konflikte të tjera. Në njëfarë mënyre, këto festa korrelojnë me varfërinë që e ka përfshirë këtë shoqëri; sa më i madh mjerimi, aq më të shumta dhe më të mëdha zijafetet. (Së fundmi dëgjoj që nuk festohet vetëm njëvjetori i lindjes së fëmijëve, por edhe gjashtëmujori). Një shpjegim më i thellë se rënia e përgjithshme nuk duket në sfondin e këtij shkëlqimi.

Elemente të tilla, sidomos në dimensionin destruktiv, gjenden vetëm në institucionin e «Potlatch»-it në shoqëritë margjinale indigjene në bregun veriperëndimor të Amerikës. Por, ato kanë një funksion të fortë në dobi të komunitetit dhe megjithatë kanë qenë objekt i ndërhyrjes së sistemit. Me zellin e jashtëzakonshëm si peshkatarë dhe gjahtarë, këto fise kishin krijuar teprica ekonomike dhe një kulturë të lartë materiale. Shtëpitë e tyre të bukura nga druri, skalitjet në pllaka të bakrit, stemat dhe imazhet artistike janë një trashëgimi e vyer muzeale në Perëndim. Për dallim prej shoqërive primitive gjahtare, ato kishin një organizim të ndërlikuar social, të stratifikuara vertikalisht, ku prestigji nuk rridhte vetëm nga prejardhja, por edhe nga pasuria. Dhe, ngjarjet sociale – fitimi i një titulli apo një martesë dhe të tjera – shoqëroheshin me një «Potlatch», që domethënë «të japësh», e që përbënte një festë bujare, me ç’rast nikoqiri i qeraste mysafirët e tij me begatitë e grumbulluara, ushqime, orendi e stoli, të cilat pastaj shpërndaheshin në komunitet. Kjo ceremoni ishte dëshmia e të qenit i denjë për një titull shoqëror. Dhe, sa më i madh numri i mysafirëve, aq më i lartë nami i nikoqirit. Për nder të mysafirëve dhe të të ftuarve të zgjedhur, ata thyenin para syve të tyre gjithë inventarin që kishin krijuar, nganjëherë madje i vinin flakën edhe shtëpisë. Këto ngjarje shpeshherë përbënin sfida për rivalët e tyre, sepse ata ishin të detyruar t’iu përgjigjeshin me të njëjtën monedhë. Filozofia e ritit ishte rishpërndarja e të mirave dhe shkatërrimi i tepricave, që do të rezultonte me amortizimin e diferencave të mëdha materiale në shoqëri. Këto tradita nuk u shuan edhe me integrimin e këtyre shoqërive në sistemin kapitalist, ato vazhduan në trajta ekscesive, sa u ndaluan nga autoritetet. Në këto shoqëri prestigji që vjen prej heqjes dorë nga pasuria vazhdon të jetë më i rëndësishëm se dobia që sjell pasuria e grumbulluar.

Nuk dëshiroj, sikurse i thoshte Volteri me ironi Rusoit, të ngjall dëshirën të ecim me katër këmbë. As pledoj për ndërhyrje të sistemit në jetën kulturore të komunitetit. Le që ai nuk ka treguar ndonjëherë vullnet për t’iu qasur me dashamirësi shqiptarëve. Ai – për shembull – më me shqetësim e ka vështruar aksionin a faljes së gjaqeve ndërmjet shqiptarëve në fillim të viteve ’90-ta, sesa përhapjen e gjakmarrjes. Dasmat shqiptare, edhe ato në Maqedoni, janë një sferë autonome e nikoqirëve dhe grave të tyre. Vetëm një herë ka ndërhyrë sistemi në to, edhe atë për mbrapsht. Në muzgun e periudhës komuniste autoritetet i kërkonin dasmorit të dorëzonte për miratim në polici repertorin e këngëve që do të këndoheshin në dasmë, për t’u siguruar që nuk do të kishte momente të cilat do ta frymëzonin nacionalizmin shqiptar. Në këto procese, supozoj me propozimin e autoriteteve, për t’i shpëtuar ndalimit të festës, është montuar një element kulturor sllav në dasmën shqiptare në Maqedoni. Nga kjo periudhë atyre iu ngeli peshqesh vallja sllave me ritëm prej tre të pestave – «Pajdushka», e cila edhe sot e kësaj dite është pothuajse kurora e çdo dasme shqiptare në këto vise. Ashtu sikurse mbylleshin të gjitha koncertet e shoqërive kulturo-artistike shqiptare në këtë periudhë me një këngë jugosllave!

Një vështrim i këtij fenomeni të shpalosë një potencial kolosal që mund të orientohet më mbarë, i cili mund t’i jepte një dorë të ngrohtë shoqërisë dhe më shumë nder individit. Me të nami i një personi do të rritej në raport me investimin në një fond për komunitetin, që mund të jetë një bursë për sudentë, një fond strehimi të të varfërve… Realisht për çdo sezon mund të lansohej një aksion solidariteti social apo projekt kulturor. Dhe, ky propozim, në thelb, as që është imi, atë e dëgjon gjithë kohës nga vetë qytetarët. Unë dëshiroj vetëm t’i bëj jehonë duke shprehur bindjen se një projekt të tillë në rrethana të abstenimit të sistemit mund ta menaxhojë një shoqëri civile kreative – intelektualë, studentë, klerikë, artistë, afaristë me integritet – ashtu sikurse edhe aksionin historik të faljes së gjaqeve në vitet e ’90-ta, me të cilin ajo i ka kryer kombit një shërbim të paharruar.