Frytet e zemërimit

Kosovarët e lodhur nga qeverisja e keqe, nga aferat korruptive, nga arroganca e klanit Pronto të dielën filluan ta çlirojnë vendin e tyre. Vota e protestës e ngarkon sidomos Lëvizjen Vetëvendosje me përgjegjësi të madhe.

Albin Kurti me bashkëshorten e tij në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje.



Në zgjedhjet e së dielës Lëvizja Vetëvendosje i ka vjelur frytet e zemërimit në rritje në Kosovë ndaj klasës parapolitike të dominuar nga PDK, të cilës në çastet e fundit para zgjedhjeve iu bashkuan edhe Ramush Haradinaj me partinë e tij rajonale dhe Fatmir Limaj, ndonëse ky i fundit pa asnjë disponim. Pamjet kur Haradinaj e tërhoqi zvarrë Limajn për ta nxjerrë në skenë me Kadri Veselin simbolizonin raportet mes këtij koalicioni të territ dhe intrigave: mungesën e besimit mes liderëve. Këta njerëz – Veseli, Haradinaj dhe Limaj, me Hashim Thaçin në prapavijë – me vite të tëra i kanë bërë gropën njëri-tjetrin, kanë bashkëpunuar kur këtë e ka kërkuar biznesi (sepse për ta politika është biznes) dhe kanë manipuluar me njëri-tjetrit pamëshirshëm – pra, këta njerëz që nuk i besojnë njëri-tjetrit kërkonin besimin e popullit.

Dhe populli foli. Duke i dhënë një shpullë historike atyre që i shohin si fajtorë për qeverisjen e keqe, për aferat korruptive, për mentalitetin e sundimit që aq mizorisht reflektohej në aferën Pronto. «Mshoj xhanarski jarani jem». Kështu flisnin mes vete eksponentë të PDK-së, kur kurdisnin tenderë, manipulonin vota, kur merrnin leje për ndërtime. Të dielën foli një xhandar tjetër: populli! Në zgjedhjet e vitit 2014 PDK, AAK dhe Nisma kanë pasur 45 për qind të votave (54 deputetë). Të dielën këto parti dhe 10 parti të tjera që i futi në xhep Veseli nga frika se do pësonte humbje kolosale morën rreth 35 për qind të votave. Vota e protestës e ngarkon sidomos Lëvizjen Vetëvendosje me përgjegjësi të madhe. Dyfishimi i votave domethënë shumëfishim i përgjegjësisë.

VV ka marrë një mandat për të çliruar Kosovën nga mentaliteti i muskujve. Për këtë kësaj partie i duhen partnerë. Dhe partneri më i afërt është Lidhja Demokratike e Kosovës. Debakli që pësoi LDK në këto zgjedhje ka qenë i pritshëm. Edhe njëherë u konfirmua një rregull i pashkruar politik në Kosovë: kush bën koalicion me klanin Pronto, do të digjet, madje rrezikon të bëhet subjekt i parëndësishëm. LDK ka përvojë të keqe me PDK-në, e cila subjektet e tjera i trajton vetëm si paterica. Këtë rol tani e ka marrë Ramush Haradinaj. Por, me Haradinajn do ta kenë edhe më lehtë krerët e PDK-së, sepse fuqia e tij politike është e kategorisë së lehtë. Jo rastësisht krerë të PDK-së po thonë se PDK është partia e parë, jo koaliconi PDK, AAK, Nisma dhe të tjerët. Lideri më i votuar, po thonë nga selia e PDK-së, është Kadri Veseli, jo Haradinaj.

Koalicionit të territ nuk i mjafton Lista Serbe për të krijuar qeverinë. Do të ketë përpjekje sidomos nga PDK për të peshkuar deputetë nga koalicioni i LDK-së. Do t’ia ledhatojnë egon Behgjet Pacollit, duke i thënë «do të bëjmë ministër të Jashtëm siç të bëmë president»; Mimoza Kusarit do t’ia kujtojnë kohën kur ishte zëdhënëse e qeverisë së Bajram Rexhepit dhe më vonë e përkdhelura e mediave të afërta me PDK-në; do të ketë përpjekje për të joshur edhe ndonjë deputet të LDK-së që s’ka asnjë parim. Në bazë të votave të deritanishme të numëruara (rreth 91 për qind) koalicioni PDK dhe 12 parti të tjera mund të ketë rreth 40 deputetë, VV afërsisht 31 dhe LDK rreth 29 mandate, Lista Srpska 9 mandate, SLS (serbe) 1 mandat, KDTP (turke) 3 mandate. Nëse vazhdon i njëti trend, secili prej tri blloqeve politike mund të fitojë apo humb një deri dy mandate.
Nëse mund t’u besohet përbetimeve nga ana e eksponentëve të LDK-së se nuk do të ketë koalicion me Kadri Veselin dhe patericën e tij Ramush Haradinaj, atëherë i vetmi variant për ta bërë Kosovën me qeveri është koalicioni mes VV-së dhe LDK-së. Nuk përjashtohet mundësia që emisarë të bashkësisë ndërkombëtare të bëjnë presion për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë (PDK, LDK) për shkak të «sfidave pë sigurinë» ose thënë më qartë për shkak të aktakuzave të Gjykatës Speciale.

Është shumë e mundshme që sidomos BE të përfaqësojë në Kosovë të kundërtën e asaj që ka përfaqësuar në Maqedoni: atje partia me më së shumti deputetë u dërgua në opozitë për shkak të korrupsionit dhe krimeve të tjera, ndërsa në Kosovë më së lehti – nga prizmi i cinikëve të Brukselit – «qeveriset» me parti që janë të shantazhueshme. Por, zëri i qytetarëve të dielën ishte tepër i lartë. Vota e protestës u drejtua jo vetëm kundër klanit Pronto dhe kundër LDK-së për shkak të koalicionit me PDK-në, por edhe kundër atyre diplomatëve që për stabilitet janë të gatshëm të suspendojnë edhe demokracinë. Kosova edhe sot po i vuan pasojat e zgjedhjeve të vjedhura më 2010: nga ato zgjedhje doli një qeveri pa legjitimitet që mori vendime të dëmshme për Kosovën. Kjo qeveri u mbështet nga vendet perëndimore. Është çasti i fundit që të ndryshohet kjo qasje e bashkësisë ndërkombëtare.