Frika nga terrori i nxit zviceranët të sigurojnë armë

Vazhdon trendi i blerjes së armëve në Zvicër. Shifrat tregojnë një rritje të ndjeshme të furnizimit me armë. Ekspertët janë të shqetësuar.

Foto: Fotos593 / Shutterstock.com

Për sigurimin e një arme zjarri duhet një leje përkatëse. Dhe, numri i kërkesave për një të tillë është rritur në mënyrë markante. Më 2015, në Zvicër, janë bërë 29’146 kërkesa për leje arme, që i bie 17 për qind më shumë se një vit më parë. Sipas gazetës «Sonntagsblick», interesimi për armë, përkatësisht për leje arme, me 49 për qind, është rritur sidomos në Zvicrësn lindore. Në Luzern rritja shkon në 34 për qind, kurse në Zug në 33 për qind. Shifrat e 2016-tës tregojnë një rritje edhe në St. Gallen dhe Baselland. Kryetari i Federatës Profesionale të Tregtarëve të Armëve pohon se po shiten më shumë armë se më parë.

Ekspertët këtë zhvillim e shohin me shqetësim. Sipas Ortwin Renn, profesor në Universitetin e Stuttgartit, armatosja nuk sjell më shumë siguri, përkundrazi sjell më shumë dhunë dhe më shumë të vdekur. Skeptik është edhe Beat Williger, zëvendëspresident i Konferencës së Drejtorive Kantonale të Policisë: Nuk mund t’ia ndalosh askujt të sigurojë në mënyrë legale një armë, por kjo nuk është ndonjë zgjidhje për terrorin. Sipas tij, vënia e drejtësisë kokë më vete nuk korrespondon me filozofinë e shtetit ligjor. Për këtë kompetente janë institucionet, si policia.

«Schweiz am Sonntag» raporton se në Baselland, deri në fund të qershorit, autoritetet kanë lëshuar 800 leje arme, aq sa më 2012 janë lëshuar për gjithë vitin. E njëjta vlen edhe për Baselstadt-in; ndërsa më 2012 autoritetet e këtij kantoni kishin lëshuar 355 licenca arme. Më 2015 kishin qenë 484 të tilla. Me këto leje, njerëzit mund të blejnë pistoleta, revolverë apo pushkë gjysmëautomatike.

Numri i saktë i armëve që njerëzit kanë nëpër shtëpi, për arsye të ndryshme, nuk mund të dihet saktësisht. Aq më tepër që sigurimi i një armë para dhjetorit të 2008-tës nuk ishte e detyrueshme. Gjithsesi në regjistrin e armëve të Basellandit janë regjistruar 19’200 ekzemplarë, kurse në atë të Baselsatdt-it janë regjistruar 35’000 ekzemplarë. ks