«Frankfurter Allgemeine Zeitung»: Shqipërisë i duhet një koalicion i madh për t’u nisur drejt anëtarësimit në BE

Gazeta e rëndësishme gjermane shkruan se kryeministri Edi Rama po akuzohet për manipulim të zgjedhjeve, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Shqipërisë nuk i duhet ashpërsimi ritual i luftës politike, por një qeveri me bazë të gjerë.

Edi Rama. Foto: AFP



Mediat gjermane kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje ashpërsimit të klimës politike në Shqipëri. Gazeta konservatore «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ), e afërt me qeverinë e kancelares Angela Merkel, shkruan në numrin e së shtunës se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është tallur me opozitën shqiptare, duke e këshilluar atë që zhvesh trikot, të braktis stadiumet dhe të luajë futboll në rrugë. Rama e ka krahasuar veten dhe qeverinë e tij me Juventusin, i cili edhe sivjet i prin tabelës së ligës italiane të futbollit. Opozita, thekson FAZ, e ka dëgjuar këshillën e Ramës dhe ka vendosur të luajë lojën «në rrugë», duke shpresuar se e fiton atë. Partia Demokratike dhe partnerët e saj kanë braktisur parlamentin, duke djegur mandatet. Gazeta e rëndësishme gjermane shkruan se kryeministri Edi Rama po akuzohet për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2017, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Partia Socialiste ka 74 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (nga gjithsej 140 mandate). Kjo, sipas gazetës gjermane, është një shumicë e ngushtë, andaj krahasimi i Ramës me futboll është i pavend. Krahas 43 deputetëve të Partisë Demokratike nga Kuvendi u larguan edhe 19 deputetë të LSI-së dhe tre përfaqësues të tjerë të popullit. Pas këtyre largimeve Rama dhe partia e tij janë mjaft të vetmuar – jo vetëm në parlament. FAZ njofton se të pakënaqur janë jo vetëm përkrahësit e opozitës. Gjatë muajve të fundit ka pasur shpesh protesta të studentëve kundër tarifave dhe kundër gjendjes së tmerrshme në konvikte.

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se fushatat pjesërisht të dhunshme të opozitës përkatëse kundër qeverisë përkatëse për shkak se kjo gjatë privatizimit dhe shpalljes së tenderëve për projekte të mëdha publike shmang rregullat ligjore dhe dyshohet se mbush xhepat, janë pjesë e përditshmërisë politike po aq sa edhe armiqësia e egër mes PD-së dhe PS-së që nga kthimi i Shqipërisë në demokraci në vitin 1991. Gazeta gjermane thekson se në vend të ashpërsimit ritual të luftës politike Shqipërisë i duhet një koalicion i madh për t’u nisur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këtë, sipas FAZ, e tregojnë edhe të dhënat demografike. Vitin që shkoi për herën e tretë me radhë është konstatuar një rënie e numrit të popullsisë – në 2,86 milionë banorë. Arsyeja kryesore për këtë rënie përkundër saldos pozitive të lindjeve është numri i madh i atyre që largohen nga vendi. (dialogplus.ch)