«Frankfurter Allgemeine Zeitung»: Dy valë refugjatësh nga Ballkani

Ish Jugosllavia nga njëra anë shërben si tranzit për refugjatët nga Afrika, në anën tjetër është vet burim azilkërkuesish nga Perëndimi. Christian Geinitz analizon për Frankfurter Allgemeine Zeitung se çfarë i preokupon njerëzit e këtyre vendeve.




Ballkani perëndimor vuan dyfish nga refugjatët, konstaton autori. Maqedonia, për shembull, gjithmonë e më shumë është vend emigracioni për shkak të tensioneve ndëretnike dhe gjendjes së keqe ekonomike. Për më tepër, ajo shërben edhe si vend tranziti për refugjatët nga Afrika dhe Azia, të cilët dëshirojnë të kalojnë në Europën perëndimore. Për t’i hequr qafe ato, vendi e ka ndryshuar ligjin e azilit, duke iu lejuar refugjatëve të përdorin mjetet e transportit publik, që ta lëshojnë vendin një orë e më parë. 72 orë u lë afat ligji i ri atyre ta lëshojnë Maqedoninë.

Vendi është pjesë e hartës së refugjatëve nga Siria, Afganistani, Iraku, Somalia dhe vatra të tjera krizash që për stacion të fundit i kanë vendet e Beneluksit, Austrinë, Gjermaninë, Zvicrën. Vitin e kaluar numri i këtyre kontingjeneteve është trefishuar, shënon autori. «Në qershor ka pasur ditë kur autoritetet regjistronin nga 2’000 veta», ndërkohë që Maqedonia vet ka vetëm dy milion banorë, vërenë media. Në anën tjetër ajo është pjesë e grupit të vendeve si Mali i Zi, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të cilëve nxitojnë gjithashtu të rregullojnë një status qëndrimi në vendet e Perëndimit. Ndonëse janë kandidatë për në UE.

Ndërsa vendet e Ballkanit, përkatësisht Maqedonia, ka ndryshuar procedurat e azilkërkimit për refugjatët brenda vetes, Perëndimi e ka përshpejtuar procedimin e aplikimeve për azil nga vendet e Ballkanit. «Në vend 5,3 muaj, sa ka shkuar ajo mesatarisht për të gjitha nacionet, procedurat për vendet e Ballkanit tani zgjasin vetëm 3,2 muaj», ndërkaq qëllimi është që ajo për të gjitha nacionet të shkojë në tre muaj. Ideja është që kjo ta shuajë entuziazmin e qytetarëve të këtyre vendeve për emigrim. Në fakt, numri i aplikimeve nga Serbia dhe Bosnja është zvogëluar që nga kualifikimi i këtyre vendeve si të «sigurta». Numri i refugjatëve nga Maqedonia ndërkohë është rritur dukshëm. «Kjo nuk befason, sepse vendi është duke kaluar kohë të turbullta…», thekson autori.

Është një përzierje faktorësh politikë dhe socio-ekonomikë që i nxit njerëzit të emigrojnë, bie dakord autori me një specialist çështjesh ekonomike në Vjenë, Mario Holzner. Nga kjo perspektivë, ai madje mund të imagjinojë edhe skenarë më të këqinj: «Kur e sheh si është katandisur Bosnja, është një mrekulli si nuk i kapin të gjithë valixhet…», citon ai. Si një faktor i rëndësishëm i këtyre zhvillimeve shihen tensionet ndëretnike. Parlamenti i Bosnjës është kaq i përçarë, vërenë autori, sa nuk bie dakord as edhe për rendin e ditës së tij.

Kurse qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, sipas autorit, duan një rotacion pushteti dhe elitash politike. «Korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar, sikurse edhe në Shqipëri, vlejnë si endemikë», thotë artikulli. Të ardhurat për kokë banori, shprehur në trajtën e produktit të brendshëm bruto për banor, i kulluar si fuqi blerëse, shkon nga 7’700 euro në vit në Kosovë deri në 10’900 euro në Mal të Zi. Sipas artikullit, ai arrinë në 12’600 euro në Bullgari dhe 19’905 euro në vit në Greqi.

Me përjashtim të Serbisë, rritja ekonomike në vendet e Ballkanit perëndimor është relativisht e lartë: Në 2014-tën ajo në Maqedoni shkonte në 3,5 për qind, në Kosovë 3,6 në Mal të Zi 2,3 për qind, në Shqipëri 2 dhe në Bosnjë 1,7 për qind. Përpara krizës finicanciare botërore, ajo në Shqipëri shkonte në 6-7 për qind. Por papunësia arrinë 18 për qind në Serbi dhe 30 për qind në Maqedoni dhe në Kosovë.

Disa nga azilkërkuesit, transmeton artikulli, e pranojnë që vijnë për arsye ekonomike. Shumë aplikantë nga Shqipëria dhe Serbia jugore dëshirojnë të përfitojnë nga rrjeti shëndetësor dhe shkollor gjerman. Ata shpresojnë të gjejnë një punë, ndërsa përkrahjen ekonomike që do marrin ta ndajnë mënjanë. Sipas burimeve të autorit, për këta emigrantë ia vlenë qoftë edhe një qëndrim prej treçerek viti në Gjermani. ks

Frankfurter Allgemeine Zeitung, 24.07.2015