«Frankfurter Allgemeine Zeitung»: BE kundër ndarjes së Kosovës, Mogherini është pothuaj vetëm, Thaçi ka humbur përkrahjen e të huajve në rajon

Gazeta gjermane thekson se shumica e vendeve të BE-së janë kundër korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Përse e kundërshtuan shumica e ministrave të jashtëm ndarjen e Kosovës në një takim në Vjenë në fund të gushtit? Dhe çka thuhet në një raport intern të një politikani gjerman dhe një ish-diplomati britanik mbi idenë e korrigjimit të kufijve?




Në një koment që botohet në numrin e së martës të gazetës konservatore gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» thuhet se shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, e ka thyer një tabu të politikës së BE-së ndaj Ballkanit. Që nga përleshjet e përgjakshme të viteve ’90 në Ballkan për politikanët e BE-së vlente parimi se shkëmbimi i territoreve në bazë të përkatësisë etnike nuk është zgjidhje dhe do të ashpërsonte tensionet në rajon. Mogherini, shkruan gazeta gjermane, është deklaruar në përkrahje të planeve të presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi.

«Franca është treguar e hapur ndaj shkëmbimit të territoreve, por Gjermania dhe një shumicë e qartë e shteteve të BE-së e hedhin poshtë këtë. Kjo u bë e qartë në fund të gushtit në një takim joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në Vjenë. Ministri i jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas përmendi rrezikun e hapjes së plagëve të reja në rajon dhe rritjen e kërkesave për korrigjim të kufijve në tërë rajonin. Kolegu i tij nga Luksemburgu Jean Asselborn tërhoqi vërejtjen: ‘Kjo mund të ndikojë shumë negativisht në vende të tjera të rajoni’. Kjo vlen në radhë të parë për Bosnjë-Hercegovinën, ku marrëdhëniet mes grupeve etnike boshnjake, serbe dhe kroate janë pandryshueshëm tepër të tensionuara. BE po ashtu frikësohet se shkëmbimi i propozuar i territoreve mund të zgjojë apetite edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe në disa pjesë të Serbisë të banuara nga pakicat», shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Gazeta shkruan se përkundër kundërshtimit gjerman, përkundër dështimit të takimit mes Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel në fillim të shtatorit dhe përkundër refuzimit të shumicës së vendeve anëtare të BE-së të korrigjimit të kufijve në Ballkan, Mogherini nuk e ka ndërmend të dekurajohet.

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» citon një raport intern, të cilën e kanë shkruar për Këshillin Europian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR) Norbert Röttgen, kryetar i komisionit për politikë të jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, dhe ish-diplomati i lartë i BE-së nga Britania e Madhe, Robert Cooper. Raportin këta dy e kanë shkruar pas një vizite në Kosovë. Röttgen dhe Cooper «arrijnë në përfundim se presidenti Thaçi e ka humbur përkrahjen nga vëzhguesit e huaj në rajon dhe ka vështirësi të mëdha të arrijë konsensus në Kosovë». Sipas Röttgen dhe Cooper ambasadorët europiane në Prishtinë janë të një mendimi: ata thonë se ndryshimi i kufijve me gjasë nuk do të kalojë në mënyrë paqësore. «Qeveritë dhe vëzhguesit nuk do të duhej ta trajtonin me entuziazëm idenë e ndryshimit të kufijve», thuhet në raport. Röttgen dhe Cooper në raportin e tyre përmendin qëndrimet e ndryshme në Prishtinë rreth idesë së Thaçit. Ndryshimin e kufijve e kundërshton kryeministri Ramush Haradinaj, andaj «me gjasë do të hiqet dorë nga ky synim». Röttgen dhe Cooper theksojnë se Haradinaj ka humbur durimin me bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, e «sidomos me Brukselin». Haradinaj citohet të ketë thënë në adresë të Brukselit: «Mos i prekni çështjet nëse nuk keni përgjigje për to». Röttgen dhe Cooper theksojnë në raportin e tyre se ndryshimi i qëndrimit amerikan sa i përket idesë së shkëmbimit të territorit ka ngjallur «mosbesim dhe refuzim» në mesin e udhëheqësve politikë në Kosovë. (dp)