Franca e shqetësuar për të miturit shqiptarë që kërkojnë azil

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës Dunja Mijatoviq tha në një intervistë për BIRN se disa vende europiane me në krye Francën mbeten të shqetësuara për valën e azilkërkuesve të mitur shqiptarë; megjithatë, situata është e menaxhueshme. Në Itali, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar ndodhen rreth tre mijë fëmijë shqiptarë të moshës 7-17 vjeç, të cilët kanë aplikuar për azil gjatë 4 viteve të fundit.

Dunja Mijatoviq.



Gjatë vizitës së saj Dunja Mijatoviq është takuar me autoritet më të larta në Shqipëri – si kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, akterë të shoqërisë civile dhe ka vizituar një shkollë të veçantë për fëmijë me aftësi të kufizuara në Shkodër dhe një kopsht në lagjen «Guerrile» të qytetit verior – për të parë nga afër integrimin e fëmijëve rom. Në përmbyllje të vizitës së saj në Shqipëri, Mijatoviq nënvizoi progresin e bërë nga vendi në fushat e monitoruara, angazhimet e marra nga qeveria shqiptare, si dhe nevojën për implementimin e kuadrit pozitiv rregullator për të drejtat e fëmijëve.

Në një intervistë me BIRN Mijatoviq ndaloi dhe te çështja e azilkërkuesve të mitur shqiptarë në Europë, duke nënvizuar se Franca në mënyrë të veçantë mbetet e shqetësuar, por të dy vendet po punojnë së bashku për ta zgjidhur problemin.

«Kjo është diçka që në fakt vetë kryeministri [Edi Rama] e përmendi si problem, të cilin ai po përpiqet ta zgjidhë. Nuk është diçka që e diskutova me vendet e BE-së sepse isha këtu për të diskutuar çështje, që ndodhin këtu në Shqipëri, dhe kjo është pjesë e shqetësimit, jam dakord me ju, kur vjen fjala te fëmijët. Por dëgjova nga kryeministri se pati disa diskutime të rëndësishme me presidentin Emmanuel Macron, në qoftë se mendojmë për Francën që është në krye të kësaj liste», tha Mijatoviq.

Një investigimin i BIRN i publikuar në muajin shkurt, zbuloi se në Itali, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar ndodhen rreth tre mijë fëmijë shqiptarë të moshës 7-17 vjeç, të cilët kanë aplikuar për azil gjatë 4 viteve të fundit. Shtrati ligjor i kërkesave të tyre është pretendimi se ata u braktisën nga prindërit.

«Ka hapa që të dyja qeveritë po i ndërmarrin për t’u siguruar së pari që kjo nuk është e lidhur me trafikimin apo kontrabandimin e fëmijëve; por edhe për të parë si mund të ulet ky numër dhe si mund të ndihmohen këta njerëz», shtoi Mijatoviq.

Komisionerja gjithashtu nënvizoi se të kushtet në institucionet e shëndetit mendor në Shqipëri si spitalet psikiatrike lenë për të dëshiruar dhe qendrat ekzistuese duhet të mbyllen. «Të gjithë e dinë që ka një problem, që është gjë e mirë sepse nënkupton se do të fillojmë të lëvizim në drejtimin për ta ndryshuar situatën. Unë adresoj çështjen e deinstitucionalizimit që duhet të ndodhë sa më shpejt aq më mirë. Kjo është diçka e pranuar nga qeveria, shoqëria civile, edhe nga qeveritë vendore që ato qendra duhet të mbyllen. Por do të përmendja edhe se vetëm mbyllja nuk është zgjidhje. Nevojitet të vlerësohet me kujdes situata për të parë numrin e njerëzve që nuk mund të kujdesen për veten. Mbase ka shumë njerëz që mund të integrohen në shoqëri me pak ndihmë nga punonjësit socialë me kohë të plotë apo të pjesshme. Por edhe përmes hapjes së qendrave të vogla komunitare që do të marrin njerëzit që nuk kujdesen dot për veten. Ky nuk është një proces i lehtë dhe është një problem i madh në rajon dhe në shumë vende të Këshillit të Europës», tha Mijatoviq. Ajo gjithashtu tha se gjatë vizitës së saj në Shqipëri kishte parë shembuj pozitiv të integrimit të personave me aftësi të kufizuar në shkollë dhe të fëmijëve rom në komunitet, duke nënvizuar se shpesh herë duhet të shkojmë përtej kritikave dhe të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje. (BIRN, reporter.al)