Fotoreporteri kosovar në kufijtë që ndajnë botën

Armend Nimani pi kafe i qetë. Në një kafehane në Prishtinë teksa ndez cigaren thotë se tash është në pushim. Por nuk ndërron dy fjalë të tjera pa shtuar një fakt.




«Pushimi ynë nuk është pushim. Duhet të jemi të gatshëm dhe të pajisur ne fotografët», thotë ai. Nimani (29) është kthyer pas një xhiroje njëmujore nëpër Ballkan, përderisa puna e tij ka marrë vëmendje anembanë botës.

Fotografi që tash e 9 vjet punon për agjencinë franceze të lajmeve – AFP, ka përcjellë refugjatët e Lindjes, të cilët nëpërmjet vendeve të Ballkanit synojnë shtetet evropiane, shkruan sot «Koha Ditore». «Kam qenë në kufirin Serbi-Hungari, Serbi-Kroaci. Kam qenë në Preshevë dhe në Gjevgjeli», tregon ai.

Imazhi i patejkalueshëm i vajzës siriane

Pas Gjevgjelisë e Preshevës ishte nisur për në kufirin serbo-hungarez. Me të marrë vesh se më 15 shtator Hungaria do të mbyllte kufirin për refugjatët që kryesisht janë sirianë, Nimani ia kishte mësyrë «frontit» të radhës.

«Varet se si kalon storja nga një kufi në tjetrin», thotë ai derisa rrëfen udhëtimin që ka bërë bashkë me refugjatët. Tregon se kufiri hungarez ishte mbyllur më datën 14, një ditë më herët sesa ishte paralajmëruar. Nimani kishte arritur të ngrijë momentin kur familja e fundit ishte lejuar të kalonte.