Fotoja e përqafimit të fëmijës sirian nga polici shqiptar bën xhiron e botës  




Polici, fotografia e të cilit me fëmijën sirian në përqafim prindor ka nxitur valë emocionesh në rrjetet sociale, quhet Rexhep Arifi, transmeton Koha.net raportimet e medieve.

 

Ai është nga Presheva dhe tash një muaj është i angazhuar në Miratoc, ku është vendosur qendra për pritjen e refugjatëve që arrijnë në Serbi përmes Greqisë e Maqedonisë.

Fotografinë emocionuese të Arifit më së pari e publikoi në Twitter gazetarja e BBC-së, Menvin Rana, me tekstin:

“Sirianët janë shumë falënderues ndaj policisë serbe. Thonë se policët serbë janë të mirë dhe të parët që nuk sillen ndaj tyre si ndaj kafshëve”.

Mediet serbe bëjnë të ditur se Rexhep Arifi është policë në Drejtorinë e Preshevës nga viti 2002.

Kushëriri i tij i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se Rexhepi nuk ka qenë i ndërgjegjshëm se fotografia e tij po bën xhiron e botës.

Gazetarja e BBC-së kur ka parë se fotografia po shpërndahet me shpejtësi rrufeje, përmes Facebook dhe twitter postoi edhe foto të tjera të Arifit.

Rexhepi kishte mbetur pa babë kur kishte qenë vetëm gjashtë muajsh. Ai kishte vdekur në aksident komunikacioni.

Rexhepi nuk është i martuar, nuk ka fëmijë dhe është 34 vjeç.