Fotografia e Visar Kryeziut shpallet fituese në konkursin e «Knorr»

Fotografi shqiptar, Visar Kryeziu është shpallur fitues në konkursin e fotografisë nga kompania «Knorr» në Zvicër. Ai ka kapur një moment të vajzës së tij duke ushqyer mjellmat pranë një liqeni, kurse pranë saj ka vendosur një produkt të «Knorr».




I diplomuar në Fakultetin e Arteve në degën e Grafikës në Prishtinë, Kryeziu vazhdon krijimtarinë artistike edhe në Zvicër, kryesisht në pasionin e tij për fotografinë.

Ai në një intervistë për Koha.net është shprehur se ka qenë i bindur se do të shpallet fitues në këtë garë, përkundër konkurrencës së fort.

«Po, kam pritur që të fitojë. Në fakt kam qenë i bindur ende pa e shkrep fotografinë se do të jetë një foto që do të bëjë një konkurrencë të fortë karshi garuesve të tjerë. Në momentin që e kam parë konkursin dhe kriteret që kërkoheshin, mua më ka lindur menjëherë ideja se çfarë foto duhet të jetë», ka thënë Kryeziu për Koha.net.

«Knorr» është një industri gjigante në Zvicër, e cila merret me prodhimin e gjërave ushqimore. Fotografia më e mirë është përzgjedhur nga një juri profesioniste, kurse në mesin e mbi 100 konkurrentëve, fotografia e Visar Kryeziut është shpallur më e mira.

I pyetur nga Koha.net se çfarë rëndësie ka ky çmim, Kryeziu është shprehur se është i veçantë, sepse i jep shtytje edhe më tepër që të vazhdoj rrugën e artit.

«Ky çmim ka një rëndësi të veçantë, për shkak se me këtë hap po vazhdoj më tutje rrugën e artit, të cilën e kam filluar qysh në kohën që kam përfunduar degën e Grafikës në Akademinë e Arteve në Prishtinë», është shprehur ai.

Për këtë çmim ai është shpërblyer me 2500 franga, si dhe ka fituar një udhëtim me aeroplan të vogël që të vizitojë të gjitha Alpet e Zvicrës.