Fotografia e Prizrenit: Imazhi i tolerancës

Për vizitorët e Prizrenit mjafton një shëtitje e shkurtër në zonën historike, për të parë në një perimetër të ngushtë xhamitë e teqetë, kishat ortodokse dhe katedralen katolike. Përderisa ky formësim i studiuesve nuk ka qenë i rastësishëm, por ka ardhur si rrjedhojë e zhvillimit të vetë qytetit gjatë historisë, jo rrallë, fotografia që i përthekon krejt bashkë është përdorur si ilustrim i tolerancës ndërfetare




Objektivët e fotografëve të ndryshëm, në qendër të Prizrenit, kanë kapur imazhe përmes të cilave tregohet afërsia fizike e objekteve të bashkësive të ndryshme fetare me traditë shekullore në qytetin e vjetër. Këto imazhe kryesisht janë prezantuar në kuadër të kapitujve që flasin për tolerancën ndërfetare apo për bashkëjetesën ndërmjet tyre. Për vizitorët e Prizrenit mjafton një shëtitje e shkurtër në zonën historike, për të parë në një perimetër të ngushtë xhamitë e teqetë, kishat ortodokse dhe katedralen katolike. E ky formësim sipas studiuesve nuk ka qenë i rastësishëm, por ka ardhur si rrjedhojë e zhvillimit të vetë qytetit gjatë historisë. Sipas tyre, qyteti i Prizrenit është ngritur në hapësirën ku dy kultura dhe tri religjione të mëdha janë takuar gjatë historisë, duke lënë gjurmë që janë të fuqishme edhe sot e kësaj dite. Madje konsiderohet se tradita e bashkëjetesës fetare në këtë qytet ka qenë më e gjatë në krahasim me historinë e përplasjeve apo fërkimeve të kohëpaskohshme.

Sot, zëri i ezanit nga minaret e xhamive dëgjohet para dhe pas kambanave të kishave ortodokse e katolike.

Përfaqësues të bashkësive fetare që veprojnë në Prizren vlerësojnë se toleranca është një virtyt që ka karakterizuar këtë qytet, pavarësisht dallimeve në besim dhe praktiktimit të tyre.

«Prizreni paraqet një mozaik të kulturave dhe besimeve të ndryshme dhe kjo na bën më të pasur të gjithë neve», ka thënë Orhan Bislimaj, sekretar në Këshillin  e Bashkësisë Islame të Prizrenit, gjatë prezantimit në njërin prej edicioneve të «BarCamp Prizrenit». Në këtë kuadër ai ka theksuar se vetë feja islame e promovon tolerancën, pasi që Kurani ka pranuar si realitet faktik ekzistencën e religjioneve të tjera, dhe se në këtë kuptim bashkëjetesa fetare mbështetet në tri koncepte: prejardhjen e përbashkët gjenealogjike; lirinë e besimit si një dëshirë e Zotit dhe afërsinë në kuptimin si fe qiellore.

Ndërkaq dom Alfred Sokoli, kapelan i famullisë së Kishës Katolike në Prizren, në po të njëjtin forum, ka vlerësuar se në Prizren niveli i tolerancës ndërfetare është i kënaqshëm, ani pse ka mundësi për të bërë edhe më shumë në këtë drejtim.

«Bashkëjetesa fetare është e kënaqshme, por natyrisht se mund ta avancojmë edhe më tej. Por kjo varet se sa dëshirojmë që ta njohim njëri-tjetrin», është shprehur Sokoli.

Ai ka përkujtuar se aq sa ka vlerë një person, aq ka vlerë edhe liria e tij në besim, dhe ka përmendur disa ngjarje aktuale që duhet të prekin në zemër njerëzit në mënyrë që ata gradualisht të ndryshojnë qëndrimet dhe të bëhen tolerant ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht dallimeve në fe.

«Dialogu është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar njëri-tjetrit. Dialogu na mundëson që ta njohim njëri-tjetrin. Nëse nuk e njohim mirë njëri-tjetrin atëherë ekziston gjithmonë rreziku që injoranca të prodhojë frikë, dyshime e paragjykime», ka deklaruar Sokoli, teksa ka këshilluar të rinjtë që të informohen në pikëpamje të gjerë, duke i ikur rrezikut të kuptimeve të fjalëpërfjalshme dhe nga ata që nxisin urrejtje. «Prania e pesë religjioneve aktualisht në Prizren është një pasuri e madhe për ne, dhe kjo tolerancë e bashkëjetesë duhet ruajtur dhe zhvilluar, duke biseduar dhe duke u njohur më mirë», ka theksuar ai.

Në anën tjetër ligjëruesi i sociologjisë së religjionit, Ardian Gola, thotë se tradita ekumenike në Kosovë në përgjithësi dhe në Prizren në veçanti ka ekzistuar, por ka tërhequr vërejtjen se duhet ruajtur nga tendencat e përdorimit të fesë për qëllime politike.

«Bashkëjetesa fetare rrezikohet nga përdorimi politik i fesë/religjionit», ka thënë Gola. Sipas tij, si politika ashtu edhe të gjitha qarqet e tjera duhet të punojnë në ruajtjen e bashkëjetesës fetare. Gola ka shpjeguar se si në nivel global ka një rikthim të vëmendjes në religjion në kuptimin e përdorimit politik të tij.

«Ka tendenca që religjioni të rikthehet në shoqëri. Se a i duhet religjioni apo jo shoqërisë, kjo nuk duhet të jetë çështje e debatit. Por duhet debatuar se cili është roli që ka religjioni në shoqëri», ka thënë Gola, duke shtuar se shekullarizmi është i nevojshëm në aspektin politik, respektivisht ndarjen e shtetit nga feja, derisa në aspektin social religjioni është i nevojshëm ngase adreson nevojat shpirtërore të njerëzve.

Lidhur me këtë Bislimaj nga Bashkësia Islame ka përkujtuar se në vitet e fundit të shekullit të kaluar ka ndodhur një distancim prej Kishës Ortodokse për shkak të implikimit të saj në çështje politike, por që megjithatë në vitet e fundit ka përpjekje për ndërtimin e raporteve korrekte ndërmjet të gjitha bashkësive fetare. Përveç kësaj, ai ka theksuar se ndonjëherë edhe politika shtetërore në Kosovë ka cenuar tolerancën fetare duke «përkëdhelur» më shumë një komunitet fetar. «Pra, edhe politika shtetërore duhet të jetë e kujdesshme në këtë drejtim, që megjithatë trajtimi të jetë korrekt në çdo aspekt», është shprehur Bislimaj.

Toleranca fetare e Prizrenit përgjatë ecurisë kohore është përballur me sfida të shumta shkaku i konflikteve të shumta e sistemeve politike, gjatë së cilës kohë edhe ka përjetuar trysni. Madje ka monumente të trashëgimisë fetare që nuk janë ruajtur në formën e tyre origjinale. Pavarësisht historisë së bashkëjetesës fetare në Prizren, gjatë luftës së fundit, në vendbanime të ndryshme të kësaj komune nga forcat serbe janë shkatërruar edhe objektet islame. Ndërkohë edhe një valë e dhunës në vitin 2004 ka lënë të dëmtuara disa objekte të Kishës Ortodokse. Me këtë rast, kishte pësuar edhe monumenti i vetëm në qytetin e Prizrenit që është radhitur në listën e UNESCO-së, me propozimin e autoriteteve të Serbisë, pra kisha e Shën Premtes, që në popullatën lokale njihet edhe si «Xhuma Xhamia». Vetë historiku i këtij objekti të kultit, jep dëshmi se i ka shërbyer «më të fortit» që ka mbajtur pushtetin. Kjo Kishë e «xhami» në një vend, qëndron si dëshmi për kompleksitetin e jetës fetare në Prizren. Është njëra prej «personazheve» të fotografisë së diversitetit.