Fotografia e ndryshoi botën

Fahredin Spahija u lind ne Dvorcë të Shkupit, më 4 prill 1960. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Mitrovicë.




Studimet për grafikë, si dhe magjistraturën për dizajn grafik i kreu në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Me artin fotografik ka filluar të merret në vitin 1996 dhe deri më sot ka marrë pjesë në një numër të madh të ekspozitave kolektive, si dhe ka realizuar 12 ekspozita personale.

Në periudhën 2009-2011 ishte drejtor i Galerisë Kombëtare. Është profesor i fotografisë dhe i dizajnit grafik në kolegjin universitar AAB, shkruan sot «Koha Ditore». Temat e tij të preferuara në artin fotografik lidhen kryesisht me njeriun. Ai trajton me shumë sukses portretin dhe nudon.

Drita është elementi që e krijon imazhin fotografik dhe i tërë ky si proces është shumë i thjeshtë. Jam mrekulluar kur për herë të parë e kam kuptuar këtë gjë! Mrekullohen edhe studentët e mi gjatë ligjëratës kur shpjegohet se si krijohet imazhi filmik e kuptojnë mënyrën e krijimit të imazhit fotografik.

Dhe kjo çështje s’ka ndërruar qysh kur për herë të parë me këtë fenomen natyror, u ballafaqua Aristoteli këtu e 2.300 vjet më parë për të mbetur i njejtë edhe në momentin kur në vitin 1826 u realizua «ngrirja» e parë e një imazhi fotografik në Paris si dhe kur në vitin 1963 një grup studentësh entuziastë, por edhe të etur për hulumtime, të Universitetit të Stenfordit (SHBA), arritën ta realizojnë imazhin e parë digjital.

Pra, përkundër zhvillimit të vazhdueshëm dhe edhe enorm të teknologjisë fotografike, vetëm një gjë betet e pandryshueshme, mënyra se si krijohet imazhi fotografik. Drita mbetet elementi i vetëm që e krijon atë.