Fotografia e cenuar revoltohet

Dikur bëhej ceremoni për të dalë para fotoaparatit. Tash fotografimi përcjell çdo hap. Për dikë teknologjia e cenon artin e fotografisë, e për dikë tjetër fotografia e cenuar është aty për të folur ende për kohën, dhe revoltohet duke ngjallur kujtimet. Për fotografët, teknika e vjetër nxirrte imazhin autentik që s’mund të kthehej, dhe kjo është vlera e fotografisë




Fotografia e parë bardhezi kur Irena Gjoni ishte vetëm gjashtëmuajshe është më e veçanta në njërin prej shumë albumeve të saj. Meqë ende nuk mund të çohej në këmbët e veta, e mbante dora e babait. Është kjo fotografi që Gjoni e ruan me fanatizëm. Shpjegon disa prej arsyeve të shumta. Por momentin e rrokur prej shkrepjes së aparatit, studiuesja e shkencave të letërsisë e kujton si «rilindje».

«Aty nis ‹rrëfimi› jetësor imi përmes imazhit që më tregon për kohë të pambajtura mend prej meje për shkak të moshës, pra si ditëlindja ime e dytë kur kam lindur me imazh», thekson Gjoni nga Saranda, duke vlerësuar në retrospektivë se fotografia e parë ishte «ditëlindje e kënaqshme» kur dihet se ishin të pakta mundësitë e fotografimit në Shqipërinë komuniste.

Trinia e një fotografie

Detajet që ka kapur objektivi i japin Gjonit shkas që ta vlerësojë edhe më shumë fotografinë, që ia ka forcuar edhe më shumë lidhjen me babanë. «Ajo dorë që më mban sigurt, tregon një lidhje të ngushtë mes meje dhe tim ati gjatë gjithë jetës. E shoh atë foto si kujtesë, si mendim, si emocion, si vazhdimësi, gati si një trini metafizike (tru – mendje – shpirt) dhe si një trini kohore (e shkuar – e tashme – e ardhme)», thekson Gjoni, autore e pesë librave me poezi, studime dhe prozë.

Ajo nuk e sheh fotografinë vetëm si dokumentim të një çasti, por edhe si mbresë, emocion, kujtesë, art dhe shumëçka tjetër. «Dhe çasti e emocioni janë të papërsëritshëm», thekson Gjoni, që mendon se fotografia «lexohet» ndryshe varësisht prej kohës dhe njerëzve që e shikojnë. «Gjithashtu me kohën fiton një vlerë e një përmasë të re».

Nuk u ka rezistuar mundësive që ofron revolucioni teknologjik. Gjoni po mundohet t’i radhisë fotografitë në albume në mënyrë kronologjike ose sipas tematikave të tyre edhe kur i poston në profilin e saj në internet. «Vijoj t’i qëndroj besnike mënyrës së vjetër, por të jem e sinqertë, jo me intensitetin e dikurshëm, sepse teknologjia e bën të veten».

Pajisjet e reja teknologjike janë bërë pjesë e studiove të fotografisë në kryeqytet. Asnjë prej pesë myshterinjve gjatë mesditës së martë nuk i ka kërkuar pronarit të «Foto Neshës» në Prishtinë, Luan Dizdari, që të «lajë» fotografi. Janë fotografuar për aplikim vizash e studimesh jashtë vendit, ose për pano të përfundimit të studimeve bachelor a master.

«Për cilën ambasadë e ke?», e pyet Dizdari me aparat në dorë Mërgime Krasniqin.

«Nuk e kam vetëm për ambasadë, më duhet fotografi  edhe për studime, për Gjermani. Vetëm një më duhet për atje», tregon Krasniqi, që shpreson të vazhdojë studimet postdiplomike në shtetin me ekonominë më të zhvilluar në Evropë.

«S’ka foto as për frajera»

«E çka po thu, të tjerat s’të duhen a. E për frajera?», i drejtohet Dizdari asaj, duke i rekomanduar që edhe një herë të shikohet në pasqyrë. «Por s’më duhen», thekson Krasniqi. Të dy qeshin bashkë. Pronari thotë se mundohet të relaksojë myshterinjtë para se të «ngrihen» në karrige dhe të hedhin shikimin nga aparati. Krasniqi dëgjon këshillën e Dizdarit. «Po thu se kështu s’jam e bukur a», ia kthen Krasniqi përpara pasqyrës, anash së cilës ka edhe krehër. Vajza flokët i rregullon pak me duar, pasi shton shkëlqimin e buzëve. Dizdarit nuk i duhet ta shkrepë dy herë aparatin.

Sytë i mbyll një djalosh që po fotografohej për indeks. Herën e dytë ul kokën. E treta, e vërteta.

Një zonje, me burrin dhe të bijën që e presin, i jep këshilla nëse dëshiron t’i shihen flokët më shumë kur vendos kapelën e uniformës së një kolegji privat apo ta ulë atë deri në ballë.

Mërgime Krasniqi, derisa pret ta marrë fotografinë, i kthehet bashkëbisedimit për ndikimin e madh të teknologjisë.

«Ka dy vjet që ndoshta nuk kam ‘ndreq’ fotografi. Ka qenë dasma e vëllait», kujton Krasniqi, duke thënë se dëshiron t’i ruajë si kujtim të gëzimit familjar.

«Fotografi ‹lajnë› ose ata që kanë pare, dhe shkojnë në dasmë, dhe thonë: ‹Pasi që jemi vesh mirë, hajde po shkojmë të dalim në fotografi, e shfrytëzojmë›. Këto të dasmave i ‹lajnë› se thonë me i pasë afër vetes në dhomë se mos po ndodh diçka e t’i kam», thekson Dizdari. «Por edhe fotografia digjitale ka jetëgjatësinë e vet».

Krasniqi thotë se nuk sheh dallim ndërmjet fotografive të postuara në llogarinë e saj në rrjete sociale me ato të albumeve në shtëpi.

«Për rininë është krejt njëjtë», ndërhyn Dizdari, që ka profil në «Facebook», por nuk e «bombardon» me fotografi.

Fotografi me shkrim

«Po patjetër ka ndryshim», ngulmon poetja Gjoni, që bën dy krahasime për të fuqizuar vlerësimin e saj. «Nuk është njëlloj si ta ndiesh flakën e nxehtësinë e zjarrit afër një oxhaku, me një zjarr në televizor (e shoqëron me një qeshje virtuale,v.j.)», shkruan Gjoni gjatë një interviste elektronike. «Apo nuk është njëlloj të ndiesh nga afër prekjen e lëkurës e puthjen e një njeriu të dashur, me mijëra puthje virtuale të dhëna në distancë (përsërit qeshjen elektronike, v.j.) Me fotografinë e stampuar ka një marrëdhënie më intime».

«Anë të mirë» të fotografisë «në dorë», Krasniqi e sheh dorëshkrimin në pjesën e pasme të bardhë të fotografisë.

Gjoni i konsideron shumë të rëndësishme detajet që shkruhen aty. Nuk i merr vetëm si përshkrim të thjeshtë të lokacionit e kohës, por para së gjithash si përkujdesje të personit që i ka shkruar të dhënat për ta plotësuar fotografinë.

Thotë se koha kalon, kujtesa bën të veten e mund të harrohen edhe vendi a data ku është bërë fotoja. «Por ato detaje jo vetëm ta sjellin më të gjallë atë çast, por edhe ta pasurojnë brendësinë e atij çasti duke shërbyer si një mënyrë për të deshifruar kujtime dhe detaje që nuk janë rrokur në objektivin e aparatit fotografik, por në atë të mendjes e të shpirtit», shton Gjoni.

Përtej këtyre detajeve, ngulmon ajo, mund të ketë edhe elemente të tjera. Në këtë kontekst, kujton një episod interesant të para disa ditëve: «Pasi ia tregova një mikut tim një foto ku unë isha një fëmijë 3 vjeç, vërejti pas saj veç të dhënave, edhe një makinë të vogël të pikturuar në mënyrë naive». Prindërit i kishin treguar se vizatimi ishte ngazëllim se kishte parë veten në fotografi. «Dhe për këtë arsye, do t’i bëja vetes në foto një shëtitje me makinën që po vizatoja. Mjaftoi ky detaj, si një spunto për një bisedë për fëmijërinë me mikun tim, pra duke u nisur nga këto ngacmime të shënimeve në foto».

Dizdari, i cili punon në studion e trashëguar nga babai që nga vitit 1975, thotë se më parë fotografisë i kushtohej rëndësi më e madhe.

«Fotografia ka qenë art. Tash është krejt diçka tjetër», thekson Dizdari, duke treguar se kërkohej mjeshtri e madhe për finalizimin e procesit pas katër orësh pune para se fotografia t’i dorëzohej myshteriut. «Atëherë është dashur me qenë mjeshtër i mirë që fotografia mos me u zverdhë ose me u nxi».

Revolta e shkrimtarit dhe «alfabeti i dritës»

Shkrimtari e studiuesi shqiptar në Paris, Luan Rama, ka shkruar së fundi në profilin e tij në «Facebook» për fotografitë, që «nuk duhen cenuar», sepse «ndryshe ato revoltohen dhe mund t’u braktisin». Shkruan se fotografitë kanë gjuhën e tyre. Edhe atëherë kur ato janë hedhur e harruar diku në sëndukë a bodrume të lagështa, janë «alfabet drite».

«Atëherë kur ky alfabet është i cunguar dhe në mundohemi të lidhim fjalitë, të kërkojmë në palimpsestin kohë, të imagjinojmë se çfarë mungon, pasi kujtesa njerëzore është efemere, është biologji molekule që vdes, ndërsa fotografia e cenuar është aty për të folur ende për kohën, për jetën, për dashuritë e ëmbla e të çmendura, ku vallë është marrë ajo fotografi, nga cili, një profesionist, një amator, apo një imazh pasqyre prej së cilës ende nuk jemi ndarë», shkruan ish-ambasadori shqiptar në Francë. «‹La nostalgie›»… gjithçka rivjen në saje të asaj që kemi në duar, pasionet, vrullet rinore, rendjet, britmat».

Për Ramën, fotografitë marrin formë dhe gjallërojnë gjithçka duke stepur protagonistët që në momentin që kanë «veten» në dorë, frymojnë si në kohën kur kanë hedhur shikimin kah aparati. «…jemi dikur tjetër, ndjejmë një tjetër puls, kohë tjetër, imazhi i dikurshëm që kthehet si një lloj miti personal».

«Fotografitë autentike dëshmojnë kohë dhe janë aq të fuqishme për të evokuar emocione, ndjesi, që të tërheqin larg, larg e zgjojnë refleksione të asaj të kaluare që është gjithmonë prezente në kujtimet tona», ka komentuar shkrimin e Ramës, mikesha Mira Xhiku.

Rama i ka thënë gazetës se teknologjia e tanishme e komunikimit mundëson shquarjen e dallimeve. Sidoqoftë, ai vlerëson se më i rëndësishëm është raporti që krijohet ndërmjet syve dhe asaj që është pasqyruar në fotografi.

«Shpirti ynë që flet»

«I rëndësishëm është raporti metafizik, që kemi me atë botë njerëzore, apo, materia e fiksuar, e ‹ngrirë›përjetësisht dhe asaj çka ajo na transmeton», thekson Rama, duke shtuar: «Kujtesa jonë është një arkiv i jashtëzakonshëm imazhesh, por kur fotografia është pas jush, atëherë ne bëhemi pjesë e atij imazhi. Është shpirti ynë që flet».

E vërteta që përçohet nëpërmjet fotografisë ka bërë që Hazir Reka, fotoreporter i agjencisë së lajmeve «Reuters», të zgjedhë fotoapartin para kamerës, megjithëse kohëve të fundit i kërkohet të xhirojë në raste të caktuara.

«Gjithnjë më ka pëlqyer fotografia statike se është më e vështirë e realizueshme se fotografia lëvizëse», thekson Reka, që në fillim të viteve ‘80 kishte menduar të studionte kamerën në Kroaci, por kishte hequr dorë për shkak të procedurave të gjata nëpër të cilat duhej të kalonte në kuadër të programeve të bursave të atëhershme që favorizonin punëtorët e Radiotelevizionit të Prishtinës. Sfida nuk mbaronte për Rekën me kryerjen e punës në terren. Vështirësi të jashtëzakonshme paraqisnin kushtet e punës gjatë protestave e demonstratave të viteve tetëdhjetë – sepse teknologjia e kohës nuk ia mundësonte të shihte çka kishte përfshirë brenda kornizës.

«Kur je në një ngjarje që po zhvillohet, çfarëdo qoftë ajo ngjarje, protestë apo demonstratë, kur e regjistron atë në film, së paku unë kështu e ndiej, nëse ka qenë ngjarje e rëndësishme, unë mezi kam pritur me e zhvillu filmin, me e nxjerr prej kemikateve me e këqyr a e kam pozicionin e mirë, ndriçimin e mirë», kujton Reka, që ngutej të finalizonte procesin e punës që fotografitë të botoheshin në disa prej gazetave e revistave të shteteve të ish-Jugosllavisë, që pasqyronin shtypjen serbe ndaj shqiptarëve. Kureshtja tipike e fotoreporterit do t’i kushtonte me xhinset e tij.

«Dikur e kam kuptu se kimikatet në xhepa m’i prishnin ‹501-shet›, që në atë kohë kushtonin 150 marka, sepse nuk kam pasur durim me prit», rrëfen me qeshje Reka, para se të përshkruajë përzgjedhjen me llupë të disa prej fotografive. Të gjitha fotografitë e shkrepura me «të vjetrën» i ruan në filma të palosur në studio. Qindra sosh  i janë fshirë së fundi për shkak të një defekti në kompjuter. «Besoj se m’i kthejnë fotografitë pasi ta ‹ringjallin›hard-diskun».

A po tradhtohet profesioni?

Ai thotë se tani ndërhyrje digjitale bëhen në të gjitha fotografitë. «Atëherë e ke pa fotografinë ashtu qysh ka qenë», thekson Reka. «Tash faktikisht e cenon. Më shumë je dizajner sesa fotograf».

A po tradhtohet profesioni?

«I bie se po», përgjigjet shkurt Reka. Ai thotë se për qëllime reklamimi, lejohet ndërhyrja në fotografi, por jo edhe në ato që paraqesin lajm në mediume. “Lejohet ndriçimi me shumë pak ndërhyrje, por intervenimi me ‹Photoshop› nuk lejohet».

Reka ka veçuar disa fotografi që i ka futur në korniza. Do të dëshironte t’i kishte të kornizuara shumicën prej fotografive, «por po kushton shtrenjtë».

Korniza të formateve të ndryshme qëndrojnë mbështetur e varur në anën e djathtë të murit në studion e Dizdarit në qendër të kryeqytetit. «Më shumë në korniza i shtinë kur vdes ndokush e familjet dëshirojnë me ia qit të dashurit fotografinë aty para derës», tregon pjesëtari i familjes prizrenase Dizdari, e cila merret me fotografinë tash 84 vjet.

Pakkush po i kornizon fotografitë e momenteve të veçanta, tregon një xhamprerës që nuk dëshiron të identifikohet. «Veç ndonjë peizazh, se rrallëkush ma bjen fotografinë me ia ‹ramos›», thekson burri me syze në lokalin e tij të vogël në Prishtinë. «Përpara ka pas punë shumë me ‹rama›».

Valmir Llabjani ka zgjedhur vetëm pesë prej dhjetëra fotografive prej pushimeve të sivjetme në Shqipëri për t’i bërë pjesë të albumeve.

«Çka janë më të veçanta, do t’i ‹laj›. Të tjerat i ruaj në telefon», thekson ai.

Një i intervistuar tjetër ka thënë se është në hall me të dashurën që nuk dëshiron t’i ruajë në albume fotografitë e pushimeve. «Nuk po i pëlqejnë se në shumicën është pa grim», thotë me qeshje djali në fillim të njëzetave.

Shkrimtari Rama mendon se në fotografinë autentike s’ke nevojë «ta vësh dorën, ta zbukurosh» për shkak se «nuk e duron tjetërsimin». Insiston se fotografia do të jetë «vetvetja, edhe pse mund të mungojë një pjesë e trupit».

«…pra edhe e grisur, e copëtuar, e prishur, fotografia autentike dëshmon kohë, dëshmon se fotografitë nuk duhen cenuar, pasi ndryshe ato rebelohen ndaj nesh dhe mund të na braktisin përgjithnjë», shkruan Rama.

Gjoni nëpërmjet fotografive sheh buzëqeshjet, trishtimin, lumturinë, frikën, zhgënjimet dhe sukseset e saj. Për këtë arsye i pëlqejnë shumë fotografitë spontane. Me to ushqen kujtesën dhe shpirtin, e nganjëherë frymëzohet për poezi.

«Por shpeshherë më bëjnë edhe nostalgjike, edhe melankolike», thekson Gjoni. «Aty qesh e aty qaj me to për kohën që ka ikur, për kujtimet që nuk kthehen, për njerëzit që nuk janë më në këtë botë, por që përmes fotos çmallem e i ndiej gjithmonë pranë».

Enver Hoxha fotografonte popullin

Irena Gjoni thotë se gjyshërit nga nëna ishin fotografuar që në vitin 1929, dhe se prindërit e saj ishin kujdesur për të «dokumentuar» fëmijërinë, ngase «ku i dihet të ardhshmes së fëmijës së tyre, ndaj duhet t’i ketë fotografitë».

Por ka një rrëfim tjetër që shkon përtej traditës familjare për fotografinë. Në njërin prej shteteve më të izoluara në botë, regjimi i hekurt i Enver Hoxhës «kujdesej» që të fotografonte shqiptarët e rrethuar me kufijtë elektrikë e me gjemba.

«Ndoshta sot tingëllon e çuditshme, por në vitet e fëmijërisë sime fotografi ishte një punonjës shteti që e kishte radhën të shkonte në vendlindjen time një herë në disa muaj për të bërë fotografi», kujton Gjoni. «E në këto kushte, prindërit i shfrytëzonin këto raste, ose merrnin vetë rrugën në qytet për të më fotografuar. Jam e lumtur për kujdesin e pasionin e tyre, sepse falë kësaj, posedoj një arkiv të pasur edhe me shumë foto spontante dhe e ndiej akoma më fort identitetin tim sa herë i shfletoj».

Dëshmitarët më besnikë të kohës

Historia e fotografisë në Kosovë është lëmë i ri dhe asnjëherë ose fare pak i hulumtuar dhe i studiuar në Kosovë nga historianët, shkruan Shukri Kaçaniku në hyrje të librit të tij, «Fotografia në Kosovë: 1900-1950», botuar në dhjetor të vitit 2012 nga Botimet KOHA.

Ai tregon se përmbajtja, hulumtimi dhe kopjimi i fotografive të autorëve që janë prezantuar në libër është bërë kryekëput duke iu falënderuar familjeve dhe familjarëve të tyre, koleksioneve private, si dhe një pjesë të vogël nga arkiva e tij personale.

«Për fat të keq, te ne nuk ekziston tradita e fotografisë dhe e fotografimit, por as edhe kujdesi për ruajtjen e fotografisë», shkruan Kaçaniku, duke bërë të ditur se ka fare pak institucione ku ruhet e grumbullohet fotografia. Ai sjell fotografi të fotografëve që ishin injoruar qëllimshëm gjatë punës së tyre në gjysmën e parë të shekullit njëzet.

«Kështu pra u përpilua ky libër kushtuar fotografëve tanë të parë, padrejtësisht të injoruar, në përpjekje për t’i vënë në vendin e merituar në historinë e fotografisë shqiptare fotografët e harruar, si: Ahmet Zherka, Vëllezërit Koro, Zef Mjeda, Osman Zymi, Faik Sharri, Nazmi Spahiu, Rexhep Rakovica, Ramadan Gilanliu, Riza Pepa, Bitër Kajtazi, Nexhat Dizdari, Vehbi Rexhepi, Kristë Gashi e të tjerë», shkruan Kaçaniku në «Fotografia…». «Të gjithë këta fotografë punuan dhe krijuan në kushte dhe kohë shumë të vështira. Atëherë kur po ndërtohej ardhmëria dikush mbante lapsin, ndokush pushkën në dorë. Këta vizionarë bartnin aparatin fotografik – dëshmitarin më besnik të kohës».