Fotoekspozita e gjuetarëve sfidon imazhin e tyre si armiq të natyrës

Një ekspozitë me foto historike e hapur nga shoqata e gjuetarëve në Durrës, hedh dritë mbi rrënjët e saj të thella në komunitet duke sfiduar steriotipet, paligjshmërinë dhe duke i dhënë një dimension tjetër rolit të këtij sporti në mbrujtjen e dashurisë për natyrën.

Foto ilustruese: Shutterstock



Gjuetarët e vërtetë të Durrësit që prej tre vitesh i kanë varur në gozhdë armët e tyre çifte në zbatim të moratoriumit qeveritar, megjithatë nuk kanë reshtur kurrë së menduari për gjahun dhe natyrën. Disa ditë më parë drejtuesit e shoqatës së qytetit hapën një ekspozitë me foto, që rikrijojnë historinë 80-vjeçare të gjuetisë në rrethin bregdetar, dhe që jo pak ngjasojnë si sfidë për paligjshmërinë dhe institucionet shtetërore.

Megjithëse nuk janë dakord me vendimin e qeverisë për zgjatjen e periudhës së moratoriumit në mbrojtje të faunës, ata besojnë se ligji i ri për gjuetinë që po përgatitet në bashkëpunim me Federatën përkatëse të gjuetarëve do të ndryshojë rregullat aktuale. Duke nënvizuar njëkohësisht se vetëm zbatimi i rreptë i legjislacionit, njëlloj për të gjithë, mund të mbrojë natyrën dhe të ndëshkojë keqbërësit e çdo lloji.

Dhjetra qytetarë që vizitojnë çdo ditë galerinë e arteve «Nikolet Vasia», ku është hapur ekspozita, kanë gjetur një dimension tjetër të jetës së qytetit në këto foto, që shërbejnë edhe si dëshmi e pasionit për gjuetinë dhe e zbatimit të legjislacionit në mbrojtje të natyrës.

Dy ditë më parë në galerinë e arteve ka ardhur një grua e moshuar, e cila ka gjetur në fotot e hershme edhe figurën e të atit gjuetar, Zenel Metalla. Zonja me profesion arsimtare tregonte se që kur ajo ishte 10 vjeç babai e mësonte se si mbahej arma; se cilat ishin periudhat e gjuetisë dhe se si duhet të kujdesej për pyllin.

Në ekspozitën «Gjuetia, trashëgim në breza» janë mbledhur foto nga familjet e gjuetarëve Bedini, Hanxhari, Aleksi, Sabli, Delvina, Çali, Vezuli, Kurti, Plaku, Hasa e të tjerë. Këta të gjithë kanë trashëguar nga të parët, më shumë se pasionin për gjjuetinë, dashurinë për pyllin dhe për kafshët.

Përballë fotove Karlo Çini kërkon figurën e të atit, i cili së bashku me familjen që në vitet 1930-të nga Italia ishte zhvendosur në Shkozet të Durrësit. Nuk ishin të pakët italianët me banim në Durrës, që iu bashkuan nismës së vendasve për të krijuar shoqatën «Pali Rroço» në vitin 1948.

Vasil Aleksi, sekretar i shoqatës së gjuetarëve tha për BIRN se gjysma e materialit prej 180 fotosh vjen nga një album i pasuruar kohë pas kohe, ndërsa të tjerat janë ofruar nga familjarët e gjuetarëve.

Inxhinier Lelo Aleksi, kryetar i shoqatës së gjuetarëve | Foto: Gëzim Kabashi

Ai kujton autorizimet fiktive që u dhanë për të gjuajtur «dhelprën e kuqe», një specie bartëse e mikrobit të tërbimit dhe që duhej monitoruar vazhdimisht. Lejet për gjuetinë e dhelprës u keqpërdorën edhe për kafshë të tjera, thotë me keqardhje gjuetari pasionant. «Këto tre vjet pushimi nga gjuetia kemi patur kohë të reflektojmë për shumë gjëra dhe përgatitja e ekspozitës erdhi në kohën e duhur. Ashtu si ishte katandisur gjuetia, moratoriumi ishte më se i nevojshëm», tha inxhinier Lelo, siç e thërrasin të gjithë bashkëqytetarët. Duke u kujdesur të nënvizojë se ky është opinion i tij, ai shton se «në vitin e parë efektet e moratoriumit qenë të ndjeshme, por më pas nuk munguan abuzimet».

«Unë dhe miqtë e mi nuk e kemi vënë çiften në krahë këto vite», tregon Lelo, por sipas tij nuk ka ndodhur njëlloj me të tjerët, të cilët ai preferon ti quajë «kasapë» dhe jo gjuetarë. «Unë jam 76 vjeç», shtoi ai, duke mos e fshehur merakun se zgjatjet e panevojshme të moratoriumit dhe mungesa e zbatimit të ligjit për gjuetinë mund ta lënë pa të ardhme pasionin e tij gjysëmshekullor.

«Para disa ditësh, dikush që e njohim ka hedhur në Fb foto nga gjuetia e lepujve, disa nga të cilët edhe pse të vrarë duken që janë shtatzënë, me këlyshë në bark», tregon i zëmëruar Frano Tufa, një tjetër gjuetar veteran. «Ndonjëherë këto kafshë fatkeqe përfundojnë në tavolinat e restoranteve, megjithëse jashtë çdo kushti ushqimor», shtoi ai.

Shoqata e gjuetarëve «Pali Rroço» në Durrës ka rreth 1300 anëtarë të regjistruar, por vetëm 100 prej tyre paguajnë kuotizacionet dhe zbatojnë rregulloret. Sipas Aleksit gjendja bëhet më e rëndë kur numri i lejeve për armë gjahu të shpërndara nga Drejtoria e policisë së qarkut arrin në rreth 5000. «Shpesh herë nuk kemi gjetur mbështetje nga Policia e shtetit në denoncimet për gjuetarët e paligjshëm, që natën qëllojnë mbi lepujt duke përdorur ndriçues», tregon Lelo Aleksi. «Të njejtin qëndrim ka mbajtur në jo pak raste edhe inspektori i shërbimit pyjor», shtoi ai.

Nuk janë të pakët njerëzit me armë që nuk dijnë asgjë për rregullat e gjuetisë, p.sh. se nuk mund të gjuash më shumë se sa në tre ditë të paracaktuara të javës, apo se kafshë apo shpendë të veçantë mund të gjuhen vetëm në periudha shumë të përcaktuara të vitit. Sipas Lelo Aleksit, edhe lejet e armëve të gjahut mund të jepen pa asnjë provim paraprak të gjuetisë, që vite të shkuara bëhej me pjesmmarrjen e shoqatës së gjuetarëve.

Në fillim të viteve 2000, në kuadrin e kompetencave që iu dhanë agjencive turistike të specializuara, gjuetarët e huaj, e veçanërisht ata nga Italia, dëmtuan masivisht me miliona zogj, duke i joshur me imitues për ti shfarosur. «Në pesë dekadat e fundit kanë funksionuar tre ligje radhazi, por problemi i vërtetë i tyre ka qenë zbatimi selektiv dhe kontrolli i munguar i institucioneve shtetërore», tha gjuetari pensionist.

Aleksi shpjegon se një grup ekspertësh në bashkëpunim me Federatën e gjuetisë po përgatit një projektligj të ri për gjuetinë. Ai nënvizon se anëtarët e shoqatës shpresojnë se pas kësaj do të mbërrijë edhe zbatimi i rreptë i ligjit, si e vetmja mënyrë për ti vënë fre abuzimit.

«Gjuetia para se të jetë sport, është dashuri dhe kujdes për natyrën dhe faunën», përfundoi Lelo Aleksi.

Foto historike të gjuetarëve durrsakë

Foto historike të gjuetarëve durrsakë