Fondacioni gjerman: «Pas zgjedhjeve Shqipëria mund të mbërthehet nga kriza»

Fondacioni «Konrad Adenauer», i cili është i afërt me partinë CDU të kancelares Angela Merkel, shkruan në një raport se në vitin elektoral 2017 Shqipëria gjendet para një testi të rëndësishëm të pjekurisë politike.

Tirana gjatë natës. Foto: Shutterstock



Viti 2017 mund të jetë një vit i ndryshimeve potenciale në Shqipëri. Në këtë përfundim ka arritur Fondacioni «Konrad Adenauer», i cili është i afërt me partinë CDU të kancelares Angela Merkel. Në një raport fondacioni thekson se më 2017 Shqipëria do të zgjedh presidentin dhe një parlament të ri. Pas këtyre zgjedhjeve Shqipëria mund të mbërthehet nga një krizë politike dhe institucionale, në vitin 2017 Shqipëria gjendet para një testi të pjekurisë politike.

Fondacioni gjerman thekson se që tani ekzistojnë paqartësi nëse presidenti i zgjedhur do të jap betimin para kësaj legjislature apo para legjislaturës së re. Mandati i presidentit të tanishëm Bujar Nishani përfundon më 24 korrik 2017. «Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 2017 janë problematike për shkak të afatit të ngushtë kohor, brenda të cilit duhet të mbahen dhe afateve të caktuara kushtetuese».

Sipas Fondacionit «Konrad Adenauer» zgjedhjet e vitit 2017 janë relevante edhe sa i përket politikës së jashtme, ngase zbatimi i reformës zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve sipas standardeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) janë parakusht për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Deputeti gjerman Gunther Krichbaum ka numëruar 7 pika që duhet të plotësojë Shqipëria për të shtuar gjasat për hapjen e negociatave. Mes tyre është edhe organizimi i mirë i zgjedhjeve. Një gjë të tillë e ka nënvizuar edhe kancelarja Angela Merkel në takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Më 13 dhjetor ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë vendosur të mos i hapin negociatat me Shqipërinë mbi anëtarësimin në BE, por të presin raportin e ardhshëm të progresit. Sipas fondacionit gjerman Partia Demokratike opozitare është ankuar se nuk janë të garantuara zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për bllokim dhe sabotim të procesit të reformave. (-lli)