Fol: Korrupsioni po e bën të rëndë jetën në Kosovë    




Niveli i ryshfetit dhe i korrupsionit ka vazhduar të ketë trende të rritjes. Të paktën, kështu kanë vlerësuar qytetarët në një anketë të realizuar nga Lëvizja Fol dhe që u prezantua në ditën e Demokracisë, transmeton TV Arta.

 

Sipas të dhënave, problemi më i madh i qytetarëve del të jetë papunësia, më 52.8%, pastaj korrupsioni dhe performanca e Qeverisë. 26.10% mendojnë se politikanët i manipulojnë zgjedhjet. Shumë qytetarë kanë thënë se zyrtarët publikë u japin tender kompanive të njohura për ta, si dhe punësojnë njerëz familjarë para një personi që ka kualifikim adekuat.

42.2% kanë thënë se iu ndodh shpesh t’u japin dhurata të çmueshme zyrtarëve publikë, në këmbim të një shërbimi publik.

Drita Hajdari, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka kërkuar ndihmën e shoqërisë civile dhe medieve për luftimin e korrupsionit. Ajo ka thënë se janë tejet shqetësuese rastet e përfshirjes së gjykatësve dhe prokurorëve në raste korruptive. Kurse, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Conell, e ka cilësuar të turpshëm dhe të papranueshëm nivelin e korrupsionit në Kosovë. Ai theksoi se është e papranueshme që zyrtarët publikë të përfshihen në skandale dhe të mos ndëshkohen.