«Flotel Europa»

Pas dy dekadave regjisori Vladimir Tomiq na merr në një udhëtim për të na treguar për rritjen e tij në një anije të mbushur me jehona të luftës – dhe gjëra të tjera që e përbëjnë një adoleshencë.




Më 1992, një valë refugjatësh nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë arritën në Danimarkë. Me kampe të refugjatëve të mbushura tërësisht, Kryqi i Kuq tërhoqi një anije gjigante në kanalet e Kopenhagës. Anija, «Flotel Europa», u bë një shtëpi e përkohshme për një mijë njerëz që prisnin për vendimet lidhur me aplikimet e tyre për azil.

Në mesin e tyre ishte një djalë i ri, 12-vjeçar, Vladimiri, i cili u largua nga Sarajeva me nënën e tij dhe vëllanë më të madh. Ata kaluan dy vite në harresën e «Flotel Europa».

Vladimir është sot një regjisor që ka marrë xhirimet e ndodhive në këtë anije. Ironikisht, anija është mishërim i një bukurie detare, iniciuar prej një katastrofe.

«Janë 70-të minuta që tregojnë mbi eksperiencën në këtë anije. Asokohe edhe unë me familjen time patëm bërë xhirime në këtë anije, dhe më pas vitin e kaluar gjeta edhe xhirime të tjera, pamje brenda anijes. Më vonë më lindi ideja që me këto imazhe të gjetura të krijoj filmin» tregon regjisori Vladimir Tomiq.

Dy dekada më vonë, Vladimir Tomiq na merr në një udhëtim për të na treguar për rritjen e tij në këtë anije të mbushur me jehona të luftës – dhe gjëra të tjera që e përbëjnë një adoleshencë. Ai ishte vetëm 12 vjeç kur gjithçka ndodhi, por thotë se kujton shumëçka.

Videot që i posedon babai i tij, në formatin VHS, janë gjetur dhe janë pjesë e dokumentarit. Kuzhina, kabina pa dritare, televizioni në dhomë, aktivitetet e tjera, ekskursionet dhe një pjesë vallëzimi me rroba tradicionale.

«Kujtoj familjen time përgjatë bregut për t’u futur në anije, kujtoj edhe gjyshin dhe gjyshen. Nëna ime ishte personi që kishte më shumë komunikim, kjo ndoshta edhe për të na lehtësuar pak ndjenjën se po iknim», tregon Tomiq.

Dokumentari është pjesë e DokuFest – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dhe Dokumentarit i cili të dielën mbyllë edicionin e 14-të, në kategorinë Balkan Dox. Tanimë ka marrë çmim në Berlinale, në Munih dhe në Manifesta në Madrid.

«Unë mbaj mend gjithçka në atë anije. Dashurinë e parë, puthjen e parë, mësimet që i merrnim. Por më shumë mbaj mend frustrimin për të arritur në cak, frikën se ku po shkonim, por edhe lehtësimin se po iknim nga më e keqja. Ishte një frikë e përzier», tregon Tomiq.

Në mes të dokumentarit shihen edhe nëna e regjisorit dhe vëllai i tij. Dy fytyra të tronditura, tej mase simpatike, të cilat nuk duan të flasin dhe shihet se janë të tmerruar dhe nuk e dinë realitetin. Ata mësojmë danisht po ashtu.

«Mbaj mend edhe funeralet, edhe martesat që kanë ndodhur. Ka qenë si një shtëpi e madhe e cila po lëvizte. Dua që njerëzit ta dinë këtë ngjarje, pra është tregim që bota duhet ta dijë dhe mendoj se ky është mesazhi që dua ta marrin njerëzit kur shikojnë rrugëtimin e hotelit tonë», thotë regjisori kur flet për filmin autobiografik. Tomiq ka diplomuar nga Akademia e Arteve në Danimarkë.