Flasin kështu, sepse kjo është kultura e tyre primitive

Mbi gjuhën e përdorur nga sundimtarët e Kosovës dhe më gjerë në viset e Pellazgoshqiptarisë.



Platoni, filozof antik grek, dhe Heideggeri, filozof gjerman, pajtoheshin për një gjë: të menduarit është udhëtim. Gjatë udhëtimit çdokush e ka shansin të mësojë – për të mirë ose për të keq. Konfuçi, filozof kinez, thoshte se vetëm urtakët e nivelit më të lartë dhe palaçot nuk ndryshojnë. Për të mësuar, thoshte Seneka, duhet tërë jeta.

Nuk mund të thuhet se politikanët sundues e qeverisës të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë shqiptare, Preshevës janë në moshën e axhamillëkut. Shumica e tyre kanë kaluar moshën 40-vjeçare. Janë burra në moshë dhe me moshë, siç thuhet. Në këtë moshë nëpër oda të ulin në krye të vendit, në logje në krye të kuvendit. Ku t’i ulim politikanët tanë?

Ku ta ulim Ramush Haradinajn? Ky që zyrtarit të shtetit i drejtohet me «peder», ky që nuk e ka fare problem kur bashkëshortja e tij u thotë gazetarëve «mercenarë». Haradinaj flet kështu, sepse kjo është kultura e tij. Kulturë primitive. Kulturë tribale. Kulturë që shenjë dalluese e ka frustrimin. Dhunën verbale dhe jo vetëm verbale. Krimin. Korrupsionin. Haraçin. Mentalitetin e mujsharit.

Ku ta ulim Hashim Thaçin? Atë djalin e fshatit Brojë, që zapton foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe – pa iu dridhur zëri – i thotë Albin Kurtit «kthehu në Vladimir». Malazezët e quajnë Vladimir, shqiptarët Katërkollë. E vërteta është se babai i Kurtit është lindur në një fshat të Malit të Zi, jo në Katërkollë apo Vladimir, siç gënjen Thaçi. Albin Kurti ka lindur në Prishtinë, është bir i një nëne nga Gollaku. Ku i mbetet të ulet Hashim Thaçi pas këtyre fjalëve urrejtëse, përjashtuese? Nuk shoh vend tjetër përveç se në mullarin e primitivizmit. I ulur në këtë mullar Thaçi do të duhej ta merrte shumë seriozisht porosinë e shkruar në sallën hyrëse të Tempullit të Apostullit në Delfi: «Njihe vetveten!»

Po Isa Mustafa ku duhet të ulet? Ky që kundërshtarët politikë i quan «gomarë», ky që gazetarët kritikë i quan armiq të vendit, ky që nuk ka hall tjetër përveç se të tregojë se djemtë e tij janë të ndershëm, edhe pse kështu nuk po mendon drejtësia kosovare, ndonëse e kontrolluar nga politika.

Apolloni, Zoti i Dritës, Shërimit dhe Urtisë, do të shkulte flokët po t’i shihte sot politikanët e Kosovës si flasin, si llomotisin, si shpifin, si gënjejnë.

Ku duhet të ulen edhe disa krerë të «Vetëvendosjes», që sillen sikur të ishin përgjegjës për licencim shqiptarësh? Edhe më keq: kush merr guximin të kritikojë këtë parti, që s’i pëlqen të quhet parti, menjëherë shpallet pjesëtar i taborit kundërshtar, tallet, njolloset, fyhet.

Aspak më e mirë nuk është gjendja në viset e tjera të Ilirisë, Pellazgoshqiptarisë, Republikës së Primitivizmave. Pa shikoni njëherë fjalimet që ka mbajtur Sali Berisha në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Janë britma plot vrer, fyerje e shpifje të llahtarshme. Dëgjojeni gjuhën që flasin disa deputetë të Partisë Socialiste të Shqipërisë, jo pak prej tyre kodoshë, trafikantë droge e njerëzish, banditë me libreza të përfaqësuesit të popullit.

Pa shikoni njëherë si flasin shumica e politikanëve të Maqedonisë shqiptare. Një gjuhë e ngarkuar me llum, njollosje të kritikëve seriozë, shpifje nga më monstruozet. Në këtë konglomerat nuk dallojnë as politikanët e Luginës së Preshevës, të cilët nuk e kanë fare problem të nderojnë me fletë-falënderim kryeministrin çetnik serb, i cili tash thotë se nuk është më çetnik. Dhe në Preshevë naçallniku politik shqiptar i beson kësaj përralle, andaj, shpejt e shpejt, ia dorëzon fletë-falënderimin. Zahvalnicën!

Urtia dhe retorika nuk janë dhuratë zoti. Ato duhet mësuar gjatë procesit të edukimit të vetvetes. Këta që na sundojnë nuk e edukojnë dot veten. Këta kanë një hall: si të ruajnë bizneset e shokëve, djemve, vëllezërve duke fyer popullin. Dhe sidomos ata që marrin guxim t’i kritikojnë.

Çfarë i mbetet miletit të lodhur nga kjo dhunë e përditshme gjuhësore? Filozofi grek Talesi thoshte: «Po e kape gjarprin në mes, do të kafshojë, po e kape në zverk nuk do të bëjë vaki asgjë – kështu është puna me rrethanat». Dhe rrethanat janë siç i përshkruam më lartë: kemi një klasë politike të paedukuar, të etur të zhvatë sa më shumë nga arka e shtetit, të prirë për të frikësuar kundërshtarin politik dhe publik dhe të rryer në vjedhjen e votës.

Ç’të bëhet përballë këtyre rrethanave? Nëse shqiptarët ndihen mirë, atëherë asgjë. Madje duhet t’u kërkojmë falje që po i shqetësojmë me këtë tekst. Por shqiptarët nuk po ndihen mirë. Në 12 muajt e fundit Kosovën e kanë braktisur mbi 100 mijë njerëz. Vetëm gjatë korrikut 7 mijë shtetas të Shqipërisë kanë kërkuar strehim në Gjermani. Gati të gjithë ikanakët e dinë se shanset për azil në Gjermani janë baras me zero. Megjithatë, njerëzit po ikin. Po ikin nga këto klasa politike që sundohen nga politikanë të tipit të Ilir Metës, po shurdhohen nga përrallat e Edi Ramës se «Europa egoiste» po i injoron shqiptarët, po tmerrohen nga gjuha e Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe vartësve të tyre gojëndyrë e gojëçorapë. Këta do të vazhdojnë të flasin kështu, sepse kjo është kultura e tyre. Primitive. Por kur do të flasin ata që ia duan të mirën Kosovës, Shqipërisë dhe krejt atyre viseve ku banojnë, jetojnë e gjallërojnë shqiptarët?