FJALA: Për demarkacionin, përgjegjës ish-MPB dhe ish-udhëheqja Komunale e Pejës

Lidhur me procesin e demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, partia FJALA deklaron se përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet e Kosovës si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal nga mandati i kaluar.




Përndryshe, lidhur me demarkacionin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, kryetari i partisë FJALA, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Gëzim Kelmendi ka reaguar në Kuvendin e Kosovës para 4 viteve, konkretisht në seancën e mbajtur me datë 25.03.2011.

Kelmendi, në atë seancë ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Komuna e Pejës që të marrin hapa konkretë lidhur me demarkacionin, pasi që autoritetet malazeze vetëm se kishin marr në «pronësi» sipërfaqe të mëdha të tokës së Kosovës në drejtimet Pejë – Kullë Rozhajë dhe Pejë – Kuqishtë – Çakor.

«Por, një reagim dhe një kërkesë e tillë e Deputetit Gëzim Kelmendi, kishte hasur në vesh të shurdhër. Partia FJALA shpreh shqetësimin e saj se nga viti 2011 kur është dashur insttitucionionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin hapa konkret, tash vonesa e shkaktuar ka rezultuar me pasoja», thuhet në reagimin e FJALËS.

«Pasojat janë se një pjesë e mirrë e tokës së Kosovës që kufizohet me Malin e Zi në drejtimet Pejë – Kullë Rozhajë dhe Pejë – Kuqishtë – Çakor, aktualisht është e «marrur» dhe është duke u shfrytëzuar nga Mali Zi», theksohet më tej në reagim.

Për fund, Partia FJALA konstaton se fajtor për humbjen e kilometrave të shumtë të sipërfaqes së tokës së Kosovës është Ministria e Brendshme e Kosovës nga mandati i kaluar dhe udhëheqja komunale e Pejës nga mandati i kaluar.