Fitorja e Trumpit nxit zviceranët t’i bashkohen socialdemokratëve

Pas 20 viteve të vështira Partisë Socialdemokrate e Zvicrës befas po i bashkohen gjithnjë e më shumë anëtarë. A do të forcohet e majta në zgjedhjet e vitit 2019?

Ndërsa javën që shkoi bota mes habisë dhe frikës shikonte fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në webfaqen e selisë së Partisë Socialdemokrate (SP) në Bernë u regjistruan aktivitete të jashtëzakonshme. Dhjetëra zviceranë u anëtarësuan në Partinë Socialdemokrate, shkruan gazeta «Tages Anzeiger».

«Vetëm të mërkurën ne kishim dhjetë herë më shumë anëtarësime se në një ditë normale. Kjo është tepër e pazakonshme», tha zëdhënësi i socialdemokratëve Michael Sorg. Trendi vazhdoi edhe në ditët në vijim. Pas një jave partia fitoi 150 anëtarë të rinj. Sipas Sorg fitorja e Trumpit dhe forcimi i të djathtës në Zvicër në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë zemëruar dhe trimëruar shumë njerëz të angazhohen, duke mbështetur të majtën.

Sorg tha se që nga zgjedhjet e vitit 2015 në Zvicër Partia Socialdemokrate po rritet vazhdimisht. Ai premtoi se në fund të janarit do të prezantohen shifrat definitive të anëtarësisë. «Llogarisim se në vitin 2016 do të rrisin numrin e anëtarësisë për dy për qind». Kështu socialdemokratët do të kishin 30 mijë anëtarë. Socialdemokratët presin që në zgjedhjet e 2019 e majta në Zvicër të forcohet edhe si përgjigje ndaj politikës së derregullimit social, siç po praktikohet nga e djathta zvicerane, e cila prej vitesh ndjek një kurs të ashpër kundër BE-së dhe kundër të huajve, sidomos shqiptarëve. (-lli)