Fitorja e Pirros e Erdoganit

Instinktet e kanë shpëtuar liderin turk prej puçit, por po instinktet do t’ia kërcënojnë përsëri legjitimitetin, shkruan «Politico».

Recep Tayyip Erdogan. Foto: Shutterstock

Paradokset gjithnjë kanë qenë nyje në marrëdhëniet ndërmjet ushtrisë turke dhe politikanëve të këtij shteti. Forcat e armatosura të Turqisë – ose fraksionet brenda tyre – kanë justifikuar ndërhyrjet e tyre të vazhdueshme në politikë me pretendimet se po e shpëtojnë vendin prej korrupsionit dhe politikanëve popullistë. Klasa politike nga ana e saj, e frustruar për shkak të krerëve të krimbur, fajëson ndërhyrjet e ushtrisë si pengesë për përparimin e vendit në aspektin demokratik.

Përpjekja e fundit për puç në Turqi nuk bënte përjashtim. Të premten mbrëma, në një letër elektronike të Forcave të Armatosura Turke thuhej se ushtria po e shkelte ligjin me qëllim që të rikthente sundimin e ligjit. Si kundërpërgjigje, presidenti Recep Tayyip Erdogan i bëri thirrje popullit turk të dilte në rrugë në mbrojtje të demokracisë për të cilën është angazhuar fort për ta minuar me sulme ndaj mediave dhe prishje të baraspeshës së pushteteve.

Dhe në të vërtetë, njerëzit u turrën në rrugë për të siguruar pikat kryesore në mbrojtje të qeverisë. Në kohën kur mediat sociale po shfaqnin disa marshues që po festonin kundër qeverisë mbi tanke të puçistëve, një aleancë e gjerë shoqërore e politike doli kundër puçit, duke përfshirë edhe partitë më të mëdha të vendit që si rrallëherë dolën njëzëri kundër ushtrisë. Më shumë se 200 persona u vranë dhe më shumë se 1440 u plagosën në përleshje ndërmjet ushtarëve të dërguar për të marrë pushtetin dhe forcave policore proqeveritare dhe fraksioneve besnike të ushtrisë.

S’ka fitues në planin afatgjatë

Në fund, Erdogani dhe mbështetësit e tij fituan atë ditë, duke rikthyer shpejt kontrollin. Dhe mbase kjo nuk ëhstë për t’u habitur. Zgjedhje pas zgjedhjeve – megjithëse të paskruppulta për nga forma, por të dominuara prej krerëve politikë partiakë në praktikë – është dëshmuar se gjysma e elektoratit ende e mbështet Partinë për Zhvillim dhe Drejtësisë (AKP) të presidentit.

Por askush në Turqi nuk ka fituar në planin afatgjatë. Dëmi i shkaktuar ndaj ushtrisë – më e rëndësishme se kurrë duke pasur parasysh trazirat në fqinjësinë e Turqisë – do të jetë jashtëzakonisht i madh. Në planin ndërkombëtar, imazhi edhe ashtu i dëmtuar i Turqisë do të shkojë në fund të pusit.

Nuk ka lidhje specifike ndërmjet përpjekjes për puç dhe ndarjes së thellë islamike-shekullare të Turqisë. Qeveria dyshon se përpjekja për grusht shteti ishte vepër e grupit rival islamik besnik ndaj Fethullah Gülenit me banim në Pennsylvania.

Por ndasi të theksuara vazhdojnë të dominojnë shoqërinë turke. Gjysma e vendit që nuk e përkrah Erdoganin vazhdon të tregohet kundërshtuese e fortë ndaj islamizmit tinëzar dhe marrjes së kontrollit të shtetit dhe ekonomisë. Problemi i pazgjidhur kurd i vendit po i jep zjarr kryengritjes, dhe problemet rajonale nuk kanë të sosur.

Askush s’e di çka sjell e nesërmja

Disa komentues kishin parashikuar me të drejtë se mund të ketë trazira në ushtri para se të ndodhnin ngjarjet e fundjavës. Forcat e armatosura të ushtrisë së Turqisë para së gjithash kanë qenë boshti i Republikës moderne turke që nga viti 1923, si dhe të shumë shteteve me histori të lidhur me Turqinë në mijëvjeçarin që lamë pas. Ushtria ndërhyri bujshëm në politikë me grusht shtete të përgjakshme më 1960, 1971 dhe 1980-83; shfaqje postmoderne pa gjakderdhje ishte rrëzimi e qeverisë më 1997; dhe një përpjekje e dështuar prej deklaratës për media për të bllokuar zgjedhjen e paraardhësit të Erdoganit, Abdullah Gül, më 2007.

Të tjerë komentues, që më parë kishin hedhur poshtë mundësitë e një grusht shteti, kanë theksuar mbështetjen popullore të Erdoganit si argumentin kryesor pse asnjë ushtri me rekrutë të rinj nuk e ka luksin të çohet kundër tij. Dhe deri tani, po del se ata kanë pasur të drejtë teksa po shohim ushtarë që dorëzojnë uniformat dhe armët pa e shkrepur asnjë plumb. Një drejutes tanku deklaroi në një televizion turk se nuk kishin marrë asnjë paralajmërim se në çfarë misioni po niseshin.

Do të ishte e mrekullueshme nëse dështimi për ta marrë pushtetin thyen ciklin e Turqisë prej grusht shteti në autokraci dhe prapë grusht shtet me koalicione kaotike qeverish ndërmjet këtyre zhvillimeve. Liberalët dhe rinia urbane digjen për ditën kur do të mund të heqin qafe politikanët dhe ushtrinë e fuqishme në politikë, që t’i hapet rruga zbatimit të ligjit, respektimit të kontratës shoqërore dhe të drejtave individuale të njeriut.

Konteksti aktual fatkeqësisht nuk është shenjë shpresëdhënëse – mbase kjo ka qenë një prej arsyeve pse grupi që ndërmori përpjekjen për puç, kishte menduar se do të kishte sukses. Serioziteti i gjendjes është marrë në konsideratë edhe prej Erdoganit, që ka sens të hatashëm për mbijetesë politike edhe në kohë të vështira. Në javët e fundit, ka bërë ndryshime të theksuara duke nisur ta ndryshojë krejtësisht qasjen e politikës së jashtme me gabime të Turqisë në pesë vitet e fundit. Që nga viti 2011, të katër shtyllat e sigurisë kombëtare të vendit – marrëdhnëiet me Lindjen e Mesme, Rusinë, SHBA-në dhe BE-në – kanë pësuar dëme serioze.

Erdogani i hapi dyert e Turqisë ndaj Lindjes së Mesme, duke luajtur liderin e fuqishëm për fqinjët myslimanë. Por në vend të kësaj pësoi goditje të fuqishme meqë 2,7 milionë refugjatë sirianë ia behën dhe pjesa tjetër e rajonit nisi të eksportonte konfliktin në territorin turk, përfshirë gjashtë sulmet e mëdha të vitit të kaluar që duket se janë kryer prej «Shtetit Islamik».

Argumentet për Sirinë acaruan marrëdhëniet me Rusinë, furnizuesen më të madhe të gazit natyror të Turqisë dhe partnere e fuqishme tregtare. Kjo qasje nisi të ndërronte vetëm pas shprehjes së keqardhjes turke për rrëzimin e një aeroplani luftarak rus në kufirin turk me Sirinë në nëntor, dhe vendimit të fundit të Rusisë për të hequr bllokadat për tregti dhe turizëm.

Marëdhëniet kyçe me aleaten e saj në NATO, SHBA-në, janë dëmtuar ngjashëm për shkak të argumenteve për Sirinë. Shtetet e Bashkuara mbështesin një fraksion të kurdëve sirianë, që Turqia, me njëfarë justifikimi, e konsideron pjesë të Partisë Popullore Kurde (PKK). «Ka njerëz në Pentagon që mendojnë se aktualisht janë në luftë me Turqinë», ka deklaruar privatisht një zyrtar i lartë amerikan.

Së fundi, marrëveshja e arritur me BE-në për refugjatët, që ende po negociohet, nuk e ka ndalur turrin e humbjes së momentumit të viteve 2000 për përparim drejt normave të BE-së dhe për zgjidhjen e problemit të Qiprosë së ndarë. Megjihatë, padyshim se hasmëria prej krerëve populistë të BE-së dhe refuzimi i Qiprosë greke për marrëveshje për Qipron kanë pasur rol në këtë teposhtë.

Sidoqoftë nuk ka asnjë shenjë dyshimi në njërën prej sfidave më të rënda të vendit: keqmenaxhimi i konfliktit me PKK-në pas dështimit të procesit të paqes pothuajse një vit më parë. Sipas një hulumtimi të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, janë vrarë së paku 1700 persona prej kolapsit të procesit, ku pjesa më e madhe ishin kurdë në rajonin juglindor. Kjo konsiderohet një prej periudhave më vdekjeprurëse në kryengritjen që nisi 32 vjet më parë. Pas një dekade ku dukej se po vinte një epokë e re prosperuese, janë zhvendosur 350 mijë kurdë dhe janë shkretuar hise të mëdha të qyteteve kurde.

Turqia e paradokseve

Në fakt ishin forcat e armatosura që në fund të viteve nëntëdhjetë kishin punuar fort në prapaskenë për ta çuar Turqinë drejt kandidaturës për Bashkimin Evropian më 1999 dhe ia kishin lehtësuar AKP-së së Erdoganit të shënonte përparim pas zgjedhjeve të fituara më 2002. Dhe ishte po ai lidership ushtarak që u burgos për vite me radhë pas atyre zgjedhjeve, duke u akuzuar për tradhti – me Erdoganin që po zbatonte drejtësinë flagrante si të drejtë të baraspeshës civile-ushtarake në pajtim me Bashkimin Europian.

Dhe teksa po zhvilloheshin ngjarjet e fundjavës, presidenti mbase mund ta dëshmojë përsëri se është operator i jashtëzakonshëm politik. Por edhe në qoftë se e përdor përpjekjen për grusht shtet për ta çuar përpara ndryshimin deri në sistem presidencial ekzekutiv, sundimi i tij do të bëhet edhe më i brishtë.

Legjitimiteti i tij si sundimtar i gjithë Turqisë po pëson krisje në të gjitha fushat. Përkrahja e madhe që gëzon nga rruga prej prosilamikëve vjen kryesisht si pasojë e asaj çfarë përfaqëson sistemi dhe askush nuk mund ta zërë vendin e tij ose t’i mbrojë interesat dhe statusin e fituar së fundi prej tyre.

Cilido vizitor në pallatin me 1150 dhoma të ndërtuar sipas qejfit të Erdoganit si presidencë më 2014 do të ngelet i habitur me faktin se janë boshe shumica e dhomave të mëdha dhe korridoreve të praruara. Për herë të parë për vite me radhë, partitë parlamentare u bashkuan të shtunën për të dënuar përpjekjen për puç – përfshirë edhe nacionalistët kurdë. Në kohën kur Erdogani po mundohet të zbulojë kush ishin ata që qëndronin prapa përpjekjes për puç, më e udhës do të ishte ta kapte dorën e shtrirë, dhe t’i bindej sundimit të ligjit. Sa më i vetmuar që do të mbetet, aq më të vështirë do ta ketë të fitojë.

(Hugh Pope, që në mesin e librave të botuara ka edhe «Turkey Unveiled», Overlook, 2011, dhe «Sons of the Conquerors: The rise of the Turkic world», Overlook, 2006, është drejtor për komunikim i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Nigar Göksel është analist i njohur në Turqi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, organizatë për parandalimin e konflikteve).